40% më pak nxënës në bankat e 9-vjeçares se 20 vite më parë

151

Dje ishte disa e parë e shkollës për rreth 340 mijë nxënës, që janë të regjistruar për të ndjekur arsimin 9-vjeçar. Por, në qytetet e largëta ose në zonat rurale, shumë banka rrezikojnë që të mbeten bosh. Numri i nxënësve është shumë më i ulët në krahasim me 20 vite më parë. Sipas statistikave të INSTAT, në vitin shkollor 1996-1997 kishte 560 mijë nxënës të regjistruar në arsimin 9-vjeçar. Sot, pas 20 vitesh, numri i tyre ka rënë me rreth 217 mijë apo gati 40% më pak.
Rënia e numrit të nxënësve ka ardhur në proporcion të drejtë me tkurrjen e peshës së grupmoshave të reja. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 1989, popullsia në moshën 0-14 vjeç ishte rreth 1 milion persona, ndërsa në vitin 2017 ka zbritur në vetëm rreth 522 mijë persona, pothuajse përgjysmim. Pesha e popullsisë 0-14 vjeç ka zbritur në 18% të totalit nga 32% që ishte në vitin 1989.
Në të kundërt, teksa vendi ka përjetuar pas viteve ’90 rënien e lindshmërisë dhe emigracionin masiv, -ku janë larguar më së shumti moshat e reja -, është rritur pesha e të moshuarve. Popullsia mbi 65 vjeç zinte 13% të totalit në vitin 2017, nga vetëm 7.4% në vitin 2001, po sipas INSTAT.
Ky ndryshim i strukturës së popullsisë pritet të ketë efekte të rënda në një të ardhme të shpejtë, si në strukturën e forcës së punës, kërkesë-ofertën për punë (me ndikim në profilet e universiteteve) ashtu dhe në skemën e pensioneve dhe kostos për kujdesin e të moshuarve.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2017, popullsia në grupmoshën nga 15-44 vjeç, që është pjesa më energjike e tregut të punës, ra me 162 mijë persona në krahasim me vitin 2001 ose me 11.6%. Rënien më të fortë shihet ta ketë grupmosha 15-19 vjeç, me më shumë se 24%. Më tej, rënie të madhe ka pësuar popullsia në moshën 35-45 vjeç, kur në vitin 2017 numërohen 330 mijë persona më pak se në vitin 2001.
Më pas, struktura e popullsisë në moshë pune shënon rritje të fortë për moshën 45-64 vjeç, duke u shtuar me 208 mijë persona ose 38% në krahasim me vitin 2001.