Trump: Zgjidhjet ushtarake tani janë gati

104

Presidenti Trump bëri sot një kërcënim të ri kundër Koresë së Veriut, duke shkruar në Twitter se, “zgjidhjet ushtarake janë tani plotësisht gati”, nëse regjimi i Kim Jong Un-it “bën veprime të pamatura”. “Shpresojmë se Kim Jong Un do të gjejë një rrugë tjetër!” shkruan Presidenti Trump në komentet e tij, duke iu referuar zhvillimit të armëve bërthamore nga Koreja e Veriut megjithë shtimin e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara ndaj Penianit. Deklarata e re vjen një ditë pas paralajmërimit të bërë të enjten nga Presidenti ndaj Koresë së Veriut, kur tha se, “atyre do t’u ndodhin gjëra që ata nuk i kanë menduar kurrë si diçka të mundur”, nëse sulmojnë Shtetet e Bashkuara ose aleatët e tyre. Presidenti Trump u tha gjithashtu gazetarëve se kërcënimi i tij i mëparshëm “për zjarr dhe furi” mund të mos ketë qenë “mjaft i fortë”. Ai tha dje se, Koreja e Veriut “duhet të sillet mirë, përndryshe do të ketë probleme sikurse disa vende të tjera”.
Presidenti i bëri komentet, ndërsa pushon në klubin e golfit të tij në New Jersey. Më herët gjatë kësaj jave ai tha se Koreja e Veriut do të përballet me zjarr dhe furi që bota nuk e ka njohur ndonjëherë. Koreja e Veriut ka njoftuar se po finalizon një plan për të hedhur katër raketa balistike pranë brigjeve të territorit amerikan të Guamit në Paqësor, një provokim i ri në retorikat mes Phenianit dhe Uashingtonit. Ushtria Popullore e Koresë së Veriut bëri publike hollësi të reja për një goditje me raketa ndaj Guamit. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA, raketat që planifikohen të lëshohen pritet të jenë me rreze të mesme veprimi. Ato do të kalojnë mbi Japoni dhe janë planifikuar të bien 30 deri 40 kilometra nga Guami, i cili ndodhet 3 mijë kilometra në juglindje të Gadishullit Korean.
Plani, që sipas ushtrisë do t’i paraqitet udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un në mes të muajit gusht, ndryshon prej kërcënimeve të mëparshme ndaj Shteteve të Bashkuara dhe përshkruhet si një operacion shumë specifik. Në Guam jetojnë 163 mijë qytetarë amerikanë si dhe janë të vendosura një bazë ushtarake amerikane që përfshin dhe një njësi operacionele nëndetësesh, një bazë ajrore dhe një Roje Bregdetare. Paralajmërimin e Presidentit Trump këtë javë se Pheniani do të përballej me “zjarr dhe furi” nëse kërcënon përsëri Shtetet e Bashkuara, ushtria e Koresë së Veriut e cilësoi “tërësisht të pakuptimtë”. Në komentin e saj agjensia e lajmeve KCNA tha për Presidentin Trump se “dialogu me një person të tillë, të cilit i mungon arsyeja tingëllon i pamundur dhe se vetëm forca e pakufizuar mund të funksionojë mbi të”. Ndërkaq, Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in, ka reaguar i përmbajtur lidhur rrezikun në rritje bërthamor që paraqet Koreja e Veriut dhe në veçanti mbi paralajmërimet e Presidentit Trump.