Pse qeveria nuk shpall gjendjen e jashtëzakonshme për zjarret?

124

Flakët e zjarreve që kanë pushtuar vendin po përpijnë mijëra hektarë me pyje dhe zona të mbrojtura, ndërsa Rama dhe ministrja vazhdojnë pushimet në bregdet. Si është e mundur që janë qindra vatra zjarri dhe mijëra hektarë pyje të djegura dhe qeveria nuk shpall gjendjen e jashtëzakonshme,
Flakët e zjarrit po rrezikojnë edhe zonën turistike në Sarandë. Bëhet e ditur se, një zjarr me përmasa të mëdha ka rënë pranë Syrit të Kaltër, zona e njohur dhe e frekuentuar shumë nga turistët, sidomos gjatë verës. Për të shuar zjarrin që rrezikon zonën turistike janë nisur zjarrfikëset nga Delvina dhe Gjirokastra, pasi në Finiq, zonë e cila mbulon Syrin e Kaltër, nuk ka zjarrfikëse.
Ndërkohë, flakët e zjarrit vijojnë të përpijnë pyjet në Parkun Kombëtar të Dajtit. Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me shkurre në Parkun e Liqenit të Tiranës rreth orës 14:00 dhe është shuar nga ndërhyrja e menjëhershme e punonjësve të zjarrfikëses. Mësohet se nuk ka pasur dëme të mëdha, por është djegur vetëm një sipërfaqe me shkurre. Mbas malit të Dajtit, tek ‘Antenat’ flakët përpijnë pyje e kullota. Edhe në fshatin Trovë të Ulzës janë riaktivizuar vatrat e zjarrit që në orët e para të mëngjesit të djeshëm.
Zjarret kanë marrë përmasa të mëdha në Gjirokastër, duke vënë në rrezik edhe nënstacionin elektrik në Grapshit. Ka qenë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, i cili ka njoftuar autoritete për të reaguar sa më parë, pasi zjarri i është afruar shumë nënstacionit.
Në Dropull, zjarret e rëna po shkaktojnë dëme të mëdha. Në fshatin Lugar zjarret kanë qenë shumë pranë banesave, duke vënë në rrezik dhe jetën e njerëzve. Ndërsa situata është paraqitur e rënduar dhe në Frashtan, Horace dhe Goricë. Flakët dhe tymi i madh e ka bërë të vështirë ndërhyrjen e helikopterëve. Për shuarjen e flakëve janë angazhuar edhe banorët e zonës.
Vatra e zjarrit në Muzinë është riaktivizuar ditën e djeshme, duke krijuar rrezik për zonën përreth. Banorët të fshatit Frashtan në Dropull, të shqetësuar nga flakët e zjarrit kanë kërkuar ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Ndërhyrja e zjarrfikësve është e nevojshme në këtë zonë, pasi duhet të mbrohen manastiret. Mësohet se një nga zjarrfikësit është lënduar gjatë operacionit për shuarjen e zjarrit. Nisur nga situata e vështirë, banorët kanë kërkuar ndërhyrje me helikopter për të vënë në kontroll flakët.
Zjarret që kanë përfshirë vendin prej dy muajsh po shkaktojnë dëme të mëdha. Mbi 1 200 hektarë është sipërfaqja e djegur nga zjarret. Prej të cilave, 724 hektarë pyje, 182 hektarë në zona të mbrojtura dhe 273 hektarë kullota. Dëmi i deritanishëm, sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Mjedisit është mbi 66 milionë lekë të reja, ose 500 mijë euro. Po kaq po kushtojnë pothuajse operacionet për shuarjen e zjarreve. Pjesa më e madhe e tyre shkon për ndërhyrjet nga ajri.
Helikopterët e angazhuar në operacione kanë kryer qindra fluturime. Për çdo fluturim, kompanisë private që i disponon, Emergjencat Civile i paguajnë nga 150 mijë deri në 337 mijë lekë të reja.
Drejtuesit e Emergjencave flasin për afro 200 orë fluturime dhe përllogarisin rreth 500 mijë euro të tjera. Fondi i disbursuar deri tani për helikopterët është 230 mijë euro. Në kostot paraprake nuk janë llogaritur shpenzimet për forcat zjarrfikëse apo ato të ushtrisë. Deri tani në të gjithë vendin ka pasur 280 zjarre, disa prej të cilave ka rezultuar se janë vendosur qëllimisht.

Zjarret i afrohen Tiranës, vatër edhe tek Parku i Liqenit
Situata e zjarreve në Shqipëri është bërë aq shumë alarmante, sa që vatrat kanë mbërritur edhe pranë kryeqytetit. Së fundmi flakët nuk kanë kursyer as periferinë më të afërt të Tiranës, ku mësohet se një vatër zjarri ka shpërthyer në një pjesë të Parkut të Liqenit.
Sipas informacioneve të para, bëhet fjalë për një zjarr masiv të rënë në Parkun e Liqenit, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta zjarrfikëse që po punojnë për izolimin e flakëve dhe mos përhapjen e tyre në të gjithë parkun. Deri tani nga flakët nuk rrezikohen banesat.
Situata paraqitet e vështirë në Qarkun e Tiranës. Vazhdon operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit në Malin e Derjes pranë fshatit Shëngjergj, Bashkia Tiranë. Zjarrfikësit së bashku me forcat ushtarake janë në vendngjarje, por për shkak të terrenit të thyer kanë vështirësi për shuarjen e zjarrit. Si pasojë është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me pisha dhe shkurre.
Në fshatin Maknor, Pezë, Bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Në vendngjarje janë dërguar 3 automjete zjarrfikëse me personelin përkatës dhe forca ushtarake, por nuk kanë arritur ta shuajnë zjarrin. Operacioni vazhdon edhe ditën e sotme. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre.
Në fshatin Kuç, Bashkia Vorë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Në vendngjarje janë dërguar 2 automjete zjarrfikëse me personelin shoqërues, por nuk kanë mundur të shuajnë plotësisht zjarrin. Operacioni është në vazhdim edhe ditën e sotme. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre.
Në Kavajë, është izoluar vatra e zjarrit në pyllin me pisha të fshatit Cikallesh. Forcat zjarrfikëse me mjete, të ndihmuar edhe nga helikopteri kanë izoluar zjarrin. Si pasojë u dogj dhe u përshkua një sipërfaqe rreth 90 ha me shkurre dhe pisha.
R.POLISI