Nuk bëhet striptizëm me zjarret

196

Bledi KASMI

Kur vendi digjet dhe bukuroshet krihen;

Kur pilotët e një ushtrie të një vendi në NATO bien dëshmorë jo në mision për të mbrojtur sovranitetin territorial, por duke qenë pjesë e misioneve ndërkombëtare të narkotrafikantëve që shpërndajnë drogën nga Maroku në Spanjë;

Kur aeroportet ushtarake të një vendi të Aleancës së Atlantikut kthehen në pista fluturimesh ku ngrihen avionët me ngarkesa hashashi të baronëve të drogës;

Kur helikopterët e blerë me miliona euro të taksapaguesve shqiptarë rrëzohen jo në misione lufte të Aleancës as në operacione shpëtimi, por duke ngritur pllakat e vilës alpine të ministres në Vermosh;

Kur pilotët vriten sepse detyrohen që të ngarkojnë trefishin e kapacitetit jo me ushtarë, por me material ndërtimi për vilën e ministres;

Kur fondet e ministrisë dhe të qeverisë zvogëlohen duke shkelur detyrimin që kemi ndaj Aleancës së Atlantikut vetëm se këto fonde duhet të shkojnë për luksin e ministrave;

Kur kolonelë të ushtrisë të vlerësuar nga NATO dhe SHBA për rolin e tyre në misionet në Irak dhe Afganistan shkarkohen duke u zëvendësuar me hajdutë xhepash;

Atëherë është e kuptueshme se në këtë vend, në një ditë si kjo e sotmja, kur në të gjithë vendin ka qindra vatra zjarri që po shkretojnë mijëra hektarë pyje, qeveria nuk ka asnjë faj që është nisur me pushime. Faji është i denoncuesve të këtij realiteti. I të vetmes media të pakapur nga pushtat e oligarkisë që ministrja e tubit grek me një fjalor të huazuar nga shefi i saj, që trajtohet si palaço në samitet ndërkombëtare, e quajti dje “fundkazani mediatik”.

Helikopterët kanë rënë të ngarkuar me pllaka, ndërsa pilotët janë pakësuar duke humbur jetën në këto operacione ose në ato të shpërndarjes së drogës, për pasojë sot s’kemi as pilotë, as helikopterë që të luftojnë me zjarret.

Nuk ka as fonde dhe as mjete. Fondet e emergjencave civile janë qesharake. Vetëm 1.2 milionë euro, ndërkohë që vetëm për arredimin e zyrave në Kryeministri këtë vit u shpenzuan 30 milionë euro.

Me zjarret nuk bëhet striptizëm zonja ministre.

Sot do të duhet të kishim një flotë helikopterësh dhe pilotësh në dispozicion të këtyre ditëve, por nuk i kemi. Zvarritemi duke kërkuar nga fqinjët të cilët duke parë seriozitetin e kreut të qeverisë që noton në Dhërmi dhe ministres që pozon me bikini ndërsa vendi digjet, natyrisht që nuk kanë asnjë arsye që të na marrin seriozisht dhe të na dërgojnë helikopterët e tyre sepse tanët i përdorim në vend të betoniereve.