Mallkim? Qeveria premton edhe tërmete, “s’keni parë gjë akoma”

394

Shqipëria vazhdon të jetë e “pushtuar” nga zjarret prej më shumë se një muaji, ndërsa situata sa vjen e përkeqësohet. Flakët e zjarreve, pasi kanë bërë kërdinë në pyje dhe zonat e mbrojtura, u janë afruar zonave të banuara, ku në mjaft fshatra po rrezikohet seriozisht jeta e banorëve. Banorët në të gjithë vendin kanë bërë apel për ndihmë, por zëri i tyre ka rënë në vesh të shurdhër. Askush nga qeveria nuk i është përgjigjur thirrjes SOS, ndërsa mjaft banorë ndodhen në banesat e tyre të rrethuar nga flakët.
Ndonëse ndodhemi në të njëjtën situatë me shtetet fqinje përsa i përket motit, vendi ynë është përfshirë i gjithë nga flakët e zjarreve. Si shpjegohet që megjithë temperaturat e nxehta të njëjta si tek ne nuk ka zjarre në këto përmasa në Greqi, Mal të Zi, Maqedoni apo Itali. Pse vetëm në Shqipëri? Sepse vetëm këtu nuk ka qeveri. A është ky një mallkim? Me papërgjegjshmërinë që e karakterizon, qeveria po premton edhe tërmete, duke i konsideruar tërmetet si pjesë të programit të vet elektoral për shuarjen e vendit fare.
Vetëm këtu nuk ka qeveri që të ketë mjete dhe fonde për shuarjen e zjarreve, sepse vetëm këtu tek ne paratë bëhen rrush e kumbulla dhe destinacioni i vetëm i tyre është luksi qeveritar.
Ndaj zjarret në të katër anët e vendit duken si një mallkim për një vend që sapo ka dalë nga një palë zgjedhje ku shqiptarët nuk u lanë të lirë të zgjedhin, por votat u blenë. Blerja e votave mund të prodhojë vetëm një qeveri të tillë, të papërgjegjshme, që pasi nuk i ka mjaftuar djegia e vendit nga të katër anët premton edhe tërmetet.
Situata nga zjarret ka dalë jashtë kontrollit. Në disa qarqe të vendit si në Dibër, Vlorë dhe Elbasan gjendja e rënduar po shkon drejt katastrofës.
Zjarri në Gjinar të Elbasanit ka shkrumbuar mijëra drurë me pisha dhe ka shkretuar qindra hektarë me shkurre. Për fat të keq zjarri ka djegur një nga zonat më të bukura me pisha e quajtur si “Sofra e Shpatit”. Do të duhet shumë kohë që kjo sipërfaqe e shkretuar tashmë të gjelbërohet e të kthehet siç ishte pak ditë më parë. Deri më tani ende nuk janë zbardhur shkaqet e këtij zjarri dhe nuk është identifikuar asnjë autor.
Ndërsa vatrat e zjarrit shtohen çdo ditë, shteti i pafuqishëm për të përballuar situatën, zjarrfikësit po luftojnë me flakët, duke rrezikuar edhe jetën në disa raste, por ata nuk kanë mjete për të shuar vatrat e shumta të zjarreve. Në shumicën e rasteve, të fundit që mbërrijnë në vendngjarje janë pikërisht zjarrfikësit. Kjo, sepse në shumë bashki një repart i tillë nuk ekziston, ndërkohë që ligji dikton krijimin e tyre deri në dhjetor të vitit 2018.

Avionët grekë për fikjen e zjarrit tërhiqen nga Shqipëria

Shefi i ushtrisë greke ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme të avionëve grekë nga Jugu i Shqipërisë. Të paktën kështu raportojnë sot mediat në vend. Me një urdhër urgjent dhe pa asnjë sqarim të shefit të ushtrisë greke, avionët “Canadair” janë larguar urgjentisht nga hapësira ajrore e Shqipërisë.
Sipas burimeve pranë Drejtorisë së Zjarrfikësve në Athinë, urdhëri u dërgua urgjent rreth orës 12:45, me orën lokale dhe menjëherë dy avionët kanë përfunduar operacionet e tyre në zonën e Bularatit, Muzinës, Dhrovjanit dhe Zervatit në Jug të Shqipërisë, për t’u larguar drejt bazës së tyre në Elefsina, pranë Athinës.
Ndonëse situata në Greqi është e qetë dhe nuk ka fronte intensive zjarri, askush nuk e di arsyen përse shefi i ushtrisë greke ka vendosur braktisjen e operacioneve në vendin tonë, ku situata e zjarreve ka arritur kulmin.

Situatë e rëndë në Dropull
Situata në Dropull dhe në Gorricë të Gjirokastrës është alarmante, pas riaktivizimit të zjarreve. Tashmë flakët janë shumë pranë dy shtëpive dhe janë duke depërtuar. Në vendngjarje janë forca të shumta zjarrfikëse, të cilat po mundohen të fikin zjarrin.
Vatra e zjarrit në Dropull është bërë e pabërballueshme nga forcat zjarrfikëse. Pak nga pak, flakët po i afrohet shtëpive të fshatit Terihat. Prej ditësh, banorët kanë luftuar edhe vetë me flakët teksa edhe kanë bërë apel për ndihmë nga ajri. Prej gati dy muajsh, vendi është përfshirë nga zjarret, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në toka bujqësore, kullota, pyje dhe shkurre.

CNN: Zjarret në pyje janë përhapur në gjithë Shqipërinë

Zjarret që kanë përfshirë vendin tonë janë pasqyruar edhe në mediat pretigjioze ndërkombëtare. “CNN” dhe “Time” kanë postuar foto nga flakët që kanë pushtuar një mal të tërë në zonën e Muzinës në Sarandë.
CNN shkruan në instagramin e saj zyrtar, duke shpjeguar se zjarret në Shqipëri janë përhapur në të gjithë territorin, më së shumti në zona të vështira për t’u arritur.
“Zjarr në një pyll pranë Sarandës në Jug të Shqipërisë. Zjarret në pyje janë përhapur në gjithë Shqipërinë, më së shumti në zona të largëta ose të vështira për t’u arritur, pasi vendi po përballet me temperatura të nxehta”, shkruhet në postimin e gjigantit amerikan të lajmeve.
Ndërsa revista “Time” gjithashtu ka publikuar në Instagram një tjetër foto, të po të njëjtit zjarr në Sarandë me një përshkrim të ngjashëm të asaj të CNN.

R.POLISI