Kina ndalon importin e mbeturinave të huaja

138

“The Economist”

Kina dominon tregtinë ndërkombëtare në shumë mallra, por pak më shumë në riciklimin e mbetjeve. Ajo thithi më shumë se gjysmën e eksporteve botërore të mbeturinave të bakrit dhe letrës në vitin 2016, dhe gjysmën e plastikës së përdorur. Në tërësi, Kina kaloi mbi 18 miliardë dollarë importin e plehrave vitin e kaluar. Ndërkohë, Amerika është një furnizues i etur.
Në vitin 2016 gati një e katërta e vëllimit të eksportuesve më të mëdhenj të Amerikës ishin ricikluesit e letrës, plastikës ose metalit. Në krye të listës ishte Amerika Chung Nam, një furnizues me bazë në Kaliforni i mbeturinave të letrës, që vitin e kaluar eksportoi 333.900 konteinerë, pothuajse të gjitha në Kinë.
Por kjo së shpejti mund të ndryshojë. Më 18 korrik, Kina i tha Organizatës Botërore të Tregtisë se deri në fund të vitit, ajo nuk do të pranojë importimin e 24 kategorive të mbeturinave të ngurta, si pjesë e një fushate qeveritare kundër “yang laji” apo “mbeturinave të huaja”. Ministria e Mbrojtjes së Mjedisit thotë se, kufizimi i këtyre importeve do të mbrojë mjedisin dhe do të përmirësojë shëndetin publik. Por ndalimi i propozuar do të shkatërrojë miliarda dollarë në tregti. Ricikluesit shqetësohen se kategori të tjera të mbeturinave së shpejti mund të ndalohen.
Importi i plehrave ka ndihmuar Kinën të ushqejë oreksin e pangopur për lëndë të parë. Shpesh është më e lirë të riciklosh bakrin, hekurin dhe çelikun, si dhe mbeturinat e letrës dhe plastikës, sesa t’i bësh materiale të tilla nga e para, veçanërisht kur çmimet e mallrave janë të larta. Kështu, ndërsa çmimet e mallrave u rritën gjatë viteve 2000, nga tregtia në rritje e mbeturinave përfituan si eksportuesit, të cilët bënë para nga mbeturinat e pavlerë ashtu edhe importuesit, të cilët patën qasje në një burim të besueshëm të lëndës së parë të çmuar. Mes viteve 1995 dhe 2016 importet kineze të mbetjeve u rritën dhjetë herë, nga 4.5 milionë në 45 milionë ton.
Por importet e mbetjeve të riciklueshme janë shpesh të ndotura, të ndara jo mirë ose të kontaminuara me substanca të rrezikshme, të tilla si plumbi ose mërkuri. Në 1996 fabrikat në Xinjiang importuan pa dashje më shumë se 100 ton metal radioaktiv nga Kazakistani. Një vit më pas, një biznesmen amerikan u dënua për kontrabandë me mbi 200 ton mbeturina të paklasifikuara të emërtuara si mbetje letre. Edhe kur materiali i synuar importohet, shpesh është ricikluar në mënyrë jo të duhur. Në vitin 2002 autoritetet u përballën me kritika të gjera, pasi një dokumentar tregoi se punëtorët në provincën Guangdong, pjesët e mbetura toksike të pajisjeve elektronike të shkatërruara, i hidhnin në një lumë. Zyrtarët mund të jenë nxitur për të vendosur kufizimet e fundit me publikimin e “Plastic China”, një dokumentar kritik për industrinë e riciklimit të plastikës, i cili u shfaq në janar në Sundance, festivalin e madh amerikan të filmit.
Qeveria kishte bërë fushatë, ndërkohë për të bllokuar importet e mbetjeve të paligjshme dhe me cilësi të ulët nën një operacion të quajtur “Operacioni i Gardhit të Gjelbër”, i nisur në 2013. Zyrtarët e doganës kanë rritur inspektimet e metaleve, plastikës së shiringave dhe mbetje të tjera mjekësore, si dhe të letrës për plastikë apo dru. Që atëherë, importet e mbeturinave të Kinës kanë rënë ndjeshëm .
Ndërsa “Gardhi i Gjelbër” kishte për qëllim përmirësimin e cilësisë së mbeturinave të importuara, masa më e fundit e qeverisë ndalon disa lloje të mbeturinave, duke kërcënuar rreth 5 miliardë dollarë në tregti. Ministria e Mbrojtjes së Mjedisit thotë se ndalimi do të ulë ndotjen. Por pjesa më e madhe e mbeturinave të konsumuara nga industria e riciklimit të Kinës vjen nga burime të brendshme, jo nga importi, vë në dukje Joshua Goldstein nga Universiteti i Kalifornisë Jugore: “Kjo nuk është me të vërtetë çështja ku qëndron problemi”. Në fakt, ricikluesit që mbështeten në importe tani mund të kalojnë në stokun e ndotur të mbetjeve të brendshme.
“Kjo do të jetë shumë e vështirë për industrinë tonë”, thotë Adina Renee Adler nga Instituti i Riciklimit të Skrapit. Siç është, “Operacioni Gardhi i Gjelbër” ka nxjerrë jashtë tregut shumë biznese të vegjël. Eksportuesit do të vuajnë shumë. Derek Kellenberg i Universitetit të Montanës thotë, “Dyshimi im është se sendet me cilësi më të ulët kanë më shumë gjasa të përfundojnë në një landfill”.