Gjiganti Havzi Nela dhe liliputët që nderojnë komunistin Antonio Gramshin!

89

Besim Ndregjoni

Sot mbushen 29 vite, që regjimi komunist do të denonte me varje poetin disident, martirin e lirisë, birin e Kollovozit të Kukësit, Havzi Nela. Shqipëria atdheu i tij i dashur që i kushtoi jetën e tij në mbrojtje të lirisë dhe dashurisë njerëzore do ta përcillte këtë dënim mesjetar me trishtim të madh. Këtë denim makabër varja me litar, Europa e kishte hequr nga legjislacioni që në vitet ‘30. Kurse Shqipëria nën drejtimin e diktaturës komuniste praktikonte këtë lloj dënimi për t’i bërë karrshillek Europës së Lindjes që po shembte muret ideologjike e sunduese të komunizmit, duke paraqitur bilancin e trishtueshëm me mbi 6000 të vrarë nga diktatura komuniste enveriste.
Për Havzi Nelën është shkruar vazhdimisht, në këto 27 vite e mendoj se për të do të vazhdojnë të shkruajnë gjithmonë. Në përgjithësi shoqëria, jashtë politikës, është munduar të zbardhë gjithçka rreth poetit: janë botuar poezitë e tij, janë analizuar e interpretuar krijimet e tij, një përmbledhje me shkrime të zgjedhura për Havzi Nelën çdo vit anembanë vendit mbahen tubime shkencore, konferenca përkujtimore për poetin, janë bërë dokumentarë. Në qytetin e Kukësit i kanë vënë emrin e tij një shkolle gjimnazi.
Presidenti e ka dekoruar Havzi Nelën me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Të propozuar nga Unioni i të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, gjithçka korrekte, gjithçka në përputhje me nderimin e poetit-martir, ashtu siç i takon një simboli të luftëtarit që flijohet për çështjet e përjetshme të lirisë e drejtësisë. Poetin që shkruante nga katakombet komuniste, në burgun e Spaçit 1974 për “Frymën e Helsinkit”. Atdheu, të cilin poeti e mbuloi me muzën e vet, për poetin që vargjet i shkruante qelive, duke sfiduar xhelatët e diktaturës, për poetin që shkoi ballëhapur drejt vdekjes pa bërë asnjë lëshim të vogël, por duke marrë mbi vete gjithë frikërat e dobësitë tona, në emrin tonë. Vetëm shteti ynë e ka të pamundur nderimin e kujtimit të tij. Sepse shteti shqiptar, institucionalisht, e fyen kujtimin e tij, duke luajtur me të një lojë me standarde të dyfishta, hipokrite. Sepse, paralel me nderimin dhe përkujtimin tonë, institucionet e shtetit, para se të nderojnë emrin e tij, e kanë fyer dhe njollosur kujtimin e Havzi Nelës.
Këto ditë, ministrja e Kulturës, Kumbaro doli para mediave e qeshur e gëzuar për një projekt madhor për të nderuar tek institucioni që drejton memorializimin e veprimtarisë komuniste të shtetasit italian Antonio Gramshit. Në qoftëse ky shtetas i huaj kishte dhënë një kontribut për shqiptarët dhe Shqipërinë do të ishim dakort që ta nderonim veprimtarinë e tij. Dihet që Antonio Gramshi ka zhvilluar veprimtarinë komuniste në shtetin e tij Itali, dihet se ideologjia komuniste shkatërroi mijëra jetësh europian ku u instalua. Dihet se ne shqiptarëve ideologjia e komunizmit na shkatërroi si kombe, duke mbushur tokën shqiptare me varre të pafajshme vetëm se këta shqiptarë deshën lirinë dhe urrenin ideologjinë e krimit, ideologjinë e Antonio Gramshit.
Qeveria e rilindjes në këtë 29 vjetor të ekzekutimit përbuz gjigantin e lirisë së shqiptarëve poetin Havzi Nela dhe nderon komunistin Antonio Gramshi. Ky është shteti rilindas që nderon ideologët vrasës të Havzi Nelës. Zonja ministre kush ta jep të drejtën ty, që taksat e familjeve të martirëve të lirisë t’i përdorësh për të nderuar ideologjinë vrastare të komunizmit. Për të nderuar ata që me ideologjinë e tyre varën poetin. Antonio Gramshin le ta nderoi shteti i tij Italia. Ministria ku ju drejtoni është e shqiptarëve, dhe aty në atë vend duhet vendosur busti i poetit Havzi Nela që me martirizimin e jetës, me gjakun e pafajshëm që derdhi për liri të krijoi dhe ty mundësinë që të bëheshe ministre.
Fatkeqësisht, kështu kanë shkuar punët në Shqipërinë tonë. Liliputët e trashgminisë komuniste nderojnë komunistin Antonio Gramshin dhe përbuzin poetin e lirisë Havzi Nela. Nderimi nga ana e shtetit është kontradiktor, irritues e thjesht i pavlefshëm. Ismail Kadareja bën një sugjerim në 20-vjetorin e varjes së poetit..”. Poeti është në botën e amshuar, por shoqëria shqiptare a është e qetë”. Në rrugëtimin tonë drejt përparimit dhe Europës, është shembulli i qëndresës, dinjitetit dhe martirizimit të poetit Havzi Nela, i cili nga katakombet e burgjeve komuniste parandjente “frymën e Helsinkit”, kur politikanët e sotëm nuk ia dinin as emrin.
Pikërisht, politika shtetërore me trashëgimtarët e diktaturës në instancat më të larta të Drejtësisë e mban peng të vërtetën e krimit komunist. Në këtë mënyrë, e gjithë shoqëria jonë vazhdon të mbetet peng i së shkuarës, përderisa nuk përballemi ligjërisht me të, por mundohemi t’i gjejmë zgjidhje problemit, duke i rënë atij nga dera e pasme, d.m.th., duke ia lënë zgjidhjen kohës, vdekjes biologjike të aktorëve, me shpresën se ndoshta një ditë gjithçka do të harrohet.
“Nëse ne nuk do të ishim një shoqëri e përgjumur, shpërfillëse, nëse ne do të dinim të reagonim, të kërkonim llogari, atëherë jam i bindur se shteti, nuk do të mundet të abstragojë nga kujtesa e vërtetë e Havzi Nelës. Ne duhet t’ia kthejmë Europës dëshmorët e saj të parë, të rënë në ferrin e totalitarizmit stalinist enverist shqiptar. Ne i afrohemi Europës me dëshmitë e martirizuara të lirisë, me Havziun, Trifonin, Vilsonin dhe Gencin, por dikush na mban peng në këtë vërdallosje, sepse mendon se në Europë duhet të shkojmë medoemos, më parë se me poetët e vrarë, me vrasësit e tyre. Dhe ngelemi jashtë Europës se ajo nuk na pranon me vrasësit e poetëve, por me matirizimin e poetëve. Duke qenë heroi i vetvetes, ai natyrisht që jepte nga vetvetja edhe për të tjerët. Dhe vargjet e poetit sot tingllojnë fuqishëm për shoqërinë;
Ma mirë i vdekur e me nder, Se me më sundue, Një derr beterr.