Ekspertët parashikojnë rënie të euros dhe dollarit

1120

Monedha vendase, leku, do të vazhdojë të forcohet kundrejt valutave kryesore, euros dhe dollarit amerikan. Sipas Zëvendësdrejtorit të Departamentit të Thesarit në “Credins Bank”, Rinald Gjyli, rënia e euros nuk mund të quhet sezonale, pasi zhvlerësimi i saj ka nisur që në fillim të këtij viti. Ndërkaq për në muajt në vijim, Gjyli parashikon që euro do të jetë në vlerën e 131.7 lekëve. “Euro tashmë mund të shënojë edhe rënie të mëtejshme nga 132.5, euro po shënon ulje drejt nivelit të 132 dhe sipas parashikimeve tona mund të qëndrojë edhe nën nivelin e 131.7. Ka patur dhe do të ketë disa arsye për rënien e euros kryesisht duhet të përmendim një nga arsyet kryesore si kushtet e përfitueshmërisë së monedhës europiane. Pesë vitet e fundit monedha europiane ka ofruar interesa tepër të ulëta dhe tashmë investitorët vit pas vit dhe mund të jetë një nga vitet kulminante që investitorët i largohen kësaj monedhe edhe për shkak të përfitueshmërisë së depozitës me afat me norma interesi tepër të ulëta”. Ndërsa në lidhje me monedhën amerikane, dollarin, Gjyli shprehet se ka interes nga investitorët dhe qytetarët, pasi interesi i depozitave për këtë valutë është më i lartë se i euros. “Rënia e euros me lekë ka sjellë në rënie dollarin amerikan me lekë, paundin britanik me lekë, realisht euro është forcuar kundrejt dollarit amerikan dhe paundit britanik monedhave kryesore të huaja, kurse euro ka shënuar rënie vetëm kundrejt monedhës vendase lekë. Kështu që duke vënë re një rënie të euros me lekun, investitorët tashmë kanë kaluar në blerjen e dollarit amerikan dhe paundit britanik. Dollari amerikan është një monedhë që është zhvlerësuar gjatë 3-4 muajve të fundit, duke u ndikuar nga faktorët makroekonomik, por gjithsesi presim sërish forcim të dollarit amerikan gjatë muajve në vijim, pasi pritet vendim i Bankës Qendrore Amerikane për të rritur normën bazë të interesit akoma edhe më tej, diçka e tillë me siguri do ta forcojë dollarin amerikan. Dhe një faktor që do ta forcojë dollarin amerikan është blerja masive e dollarit amerikan si një nga preferencat kryesore në kurset e këmbimit dhe në veprimtarinë valutore të muajve të fundit”. Luhatjet e kursit të këmbimit kanë edhe ndikim në ekonominë e vendit, por edhe në “xhepin” e qytetarëve. Krahas, ndikimit që ndjehet në shkëmbimet tregtare mes vendeve, ky efekt ndihet edhe te kreditë apo depozitat e individëve.