Revolucioni kinez

56

Milani e ka seriozisht. Me blerjen e fundit të Leonardo Bonuçit, i cili kreu edhe vizitat mjekësore dhe do të luajë me fanellën kuqezi për 5 vitet në vazhdim, revolucioni kinez në “San Siro” ka marrë formë. 40 milionë eurot e shpenzuara për mbrojtësin më të mirë në botë dhe rroga që me bonuse shkon në 10 milionë euro konfirmon se, “Djalli” kërkon t’i rikthehet lavdisë dhe për këtë nuk po kursehet.
Bonuçi i shtohet merkatos prestigjoze të Milanit, ku deri më tani janë afruar 8 emra të rinj. Nga Musaçhio, Kessié dhe Ricardo Rodríguez, për të vazhduar me André Silva, Borini, Calhanoglu, Conti dhe Lucas Biglia, me ish-mesfushorin e Lazios që së fundmi kreu testet mjekësore. Këtyre afrimeve u shtohet edhe rinovimi i kontratës së Donnarummas, që vlen më tepër se një blerje. Qëndrimi i portierit 18-vjeçar ishte një prej garancive më të rëndësishme të dhëna nga pronari kinez i klubit, Yonghong Li.
Euforia e tifozëve në selinë qendrore të klubit është rikthyer pas disa viteve, ndërsa përveç entuziazmit, te Milani, tani kanë rigjetur edhe ëndrrën për të qenë sërish protagonist. Titulli në Serinë A, që mungon prej sezonit 2011-2012, nuk cilësohet më një togfjalësh tabu. Madje ka edhe nga ata më guximtarët, që e krahasojnë këtë sezon me vitin e parë të Silvio Berlusconit, që sapo mori drejtimin e Milanit bleu Gullitt dhe Van Basten.
Revolucioni kinez te Milani nuk ka ndërmend të ndalet. Pas nëntë blerjeve të mëdha, për të cilat në total janë shpenzuar 212 milionë euro, tashmë synohet edhe një tjetër emër i madh. Pierre Emerick Aubameyang, një lojtar që vetëm pak muaj më parë dukej një ëndërr për forcën financiare dhe për nivelin e Milanit. “Djalli” është rikthyer dhe asgjë nuk është më e pamundur.
Shkaqet që e detyruan Bonuccin të largohet nuk dihen, i vetmi version është një debat në dhomat e zhveshjes së bardhezinjve në finalen e Cardiffit, në përfundim të pjesës së parë. Mesa duket ky version nuk qëndron thjeshtë në kuadrin e një hipoteze. Dagospia, një site i specializuar për të hedhur dritë mbi prapaskenat, ka zbardhur disa detaje interesante.
Sipas këtij site, në përfundim të pjesës së parë të finales së Champions League, kundër Realit të Madridit, në dhomat e zhveshjes së bardhezinjve ka pasur një debat shumë të ashpër, ku mendohet se ka pasur dhe përplasje fizike. Dagospia, raporton se Leonardo Bonucci ka patur një debat me tone të ashpra me sulmuesin e Paolo Dybala, madje ky i fundit dhe është goditur me shpullë nga mbrojtësi. Pas këtij momenti në mbrojte të argjentinasit kanë dalë Adrea Barzagli dhe Mario Mandzukiç. Në këtë çështje është përfshirë edhe Dani Alves, çka shpjegon dhe largimin e brazilianit tek PSG. “Drejtuesit e klubit duhet të zgjedhin midis meje dhe Bonuccit“.
Ky ka qenë ultimatumi i teknikut së “Zonjës së Vjetër”, Masimiliano Alegri, i cili në momentin e rinovimit të kontratës, i ka kërkuar zyrtarëve të lartë të skuadrës të largojnë futbollistin. Kërkesë e cila duket se ka gjetur miratimin e tyre. Veprimi ka gjetur dhe mbështetjen e lojtarëve të tjerë bardhezinj.