Ligji i ri për Listat e Zeza nga 1 gushti

243

Saimir Vishaj: “Në seancë dëshmitari do të na vijë me identitet të fshehur, por edhe me zë dhe fytyrë të ndryshuar. Ku ta dimë ne se kush është ai”.

Ferdinant Ndoja: “Pse duhet prania e avokatit atëherë për t’u pyetur ky person, kur nuk e di kush është ky person, për çfarë ta pyesë?”

Listat e zeza të shpallura nga Rama ishin vetëm pararoja e asaj që do të ndodhë në të vërtetë nga 1 gushti kur hyn në fuqi ligji i ri, i cili i dënon qytetarët e këtij vendi edhe nga letrat anonime dhe dëshmitarët e rremë. Një ligj unik i ngjashëm vetëm me vendet diktatoriale është miratuar në Parlament nga Rama dhe Meta dhe do të hyjë në fuqi, vetëm se kësaj here mund të prekë edhe vetë Metën. Sipas ligjit, denoncuesi mund të jetë anonim, atij nuk do t’i bëhet publik as emri dhe as fytyra, kur të japë dëshminë. Nëse në diktaturë ka pasur një rregull sipas të cilit tre dëshmitarë të çojnë në litar, me ligjin e miratuar nga Rama dhe Meta dhe që do të hyjë në fuqi me 1 gusht tani mjafton edhe vetëm një dëshmitar i rremë për të burgosur qytetarët e këtij vendi.

Qeveria kërkon të kthejë me anë të ndryshimeve në Kodin Penal, dënimet me anë të letrave anonime dhe dëshmitarëve të rremë të kohës së diktaturës. Bëhet fjalë pikërisht për dy nene të ndryshimeve në Kod, të cilat kanë të bëjnë me “dëshmitarët e mbrojtur”, që kanë sjellë revoltën e juristëve dhe avokatëve në vend. Gjatë një takimi të ekspertëve të lartë me avokatët, debati është fokusuar pikërisht tek kjo çështje. Ligji do të hyjë në fuqi më datë 1 gusht, dhe pritet të shkaktojë jo pak anomali në sistemin tonë gjyqësor, ose të përdoret për gjueti shtrigash nga pushteti. “Në seancë ai do të na vijë me identitet të fshehur, por edhe me zë dhe fytyrë të ndryshuar. Ku ta dimë ne se kush është ai”, tha Saimir Vishaj, avokat, gjatë seminarit për këtë çështje. Në këtë linjë ishte dhe Ferdinant Ndoja, i cili u shpreh se, “Pse duhet prania e avokatit atëherë për t’u pyetur ky person, kur nuk e di kush është ky person, për çfarë ta pyesë?”

Ligji

Por si është formuluar neni në fjalë i cili duket se do shkaktojë jo pak konfuzion, sidomos në çështje delikate. Shumë prej ekspertëve mendojnë se kjo është një formë për të justifikuar jo në pak raste paaftësinë e policisë për të mbrojtur dëshmitarët e çështjes, por nga ana tjetër dhe për të justifikuar në shumë raste dështimin e organit të akuzës neni 361/b thotë shprehimisht “Para pyetjes së dëshmitarit të mbrojtur, Gjykata paralajmëron të gjithë të pranishmit se kanë detyrimin të ruajnë sekretin e të dhënave mbi dëshmitarin e mbrojtur, të afërmit e tij dhe rrethana të tjera që mund të çojnë në zbulimin e identitetit të tyre dhe se zbulimi i këtyre të dhënave sekrete përbën vepër penale. Paralajmërimi dhe emrat e personave të pranishëm shënohen në procesverbal.  Gjykata nuk do të lejojë që dëshmitarit të mbrojtur t’i bëhen pyetje që mund të zbulojnë identitetin e tij”. Kjo është një nonsens juridik, pasi nuk lejon palën e mbrojtjes që të hulumtojë mbi të shkuarën e dëshmitarit, marrëdhëniet e tij me të pandehurin, apo  nëse është i besueshëm apo jo. Askush, përveç prokurorit të çështjes nuk do e dijë kush është ai, dhe cilat janë arsyet apo rrethanat që e shtyjnë të japë këtë dëshmi. Në jo pak raste, kjo mund të jetë një dëshmi e sajuar, ose e paguar nga dikush tjetër dhe ska se si të provohet vërtetësia e saj në rast se dëshmitarit nuk i njihet identiteti.

Shkelje e të drejtave të njeriut

Duket se neni në fjalë është një shkelje e të drejtave të njeriut. Në të gjithë botën mbrojtja e dëshmitarit ka një strukturë të veçantë, por kjo bëhet pasi dëshmitari ka dëshmuar me zë e figurë dhe treguar me gisht fajtorin. Me këtë mënyrë janë dënuar dhe kokat e mafies në çdo cep të botës. Dëshmitarit i është dhënë siguri, por ama pasi kanë dëshmuar me emër, mbiemër profesion, apo postin e caktuar që ka mbajtur pranë të dënuarit (Në gjyqin e Al Kapones psh, dëshmitari kryesor ishte financier i tij, dëshmia e të cilit fundosi mafiozin më të famshëm të kohës. FBI ka bërë një luftë të madhe për mbrojtjen e jetës së tij). Fshehja e identitetit të dëshmitarëve bëhet më së shumti në diktaturë, kur dërgoheshin letra anonime për të dënuar kundërshtarët e regjimit. Ky lloj ligji nuk ngjason as me dëshmitarët e rremë të diktaturës, të cilët gjithsesi dilnin përpara gjykatësve dhe tregonin me gisht “fajtorin”, megjithëse ai nuk kishte asnjë faj. Pas datës 1 gusht në këtë Shqipërinë tonë, fajësia ose jo e një individi do të mund të provohet vetëm nga një regjistrim audio, që do paraqesë akuza në gjyq, dhe kjo duhet të merret si provë e mirëqenë nga Gjykata. Natyrisht, një sistem i tillë mund të aplikohet jo vetëm për të dënuar kriminelë, por gjithkënd. Nuk është çudi që të zgjohemi një ditë dhe ta shohim veten duke u dënuar nga një regjistrim zëri që na akuzon për krime të ndryshme. Ky është neni më i çuditshëm që vetëm në ndonjë vend të botës demokratike s’mund të ketë vend, por është i denjë për vendet me autokraci dhe diktaturë.

Ligji për spiunët me pagesë, që synon të fusë frikën tek njerëzit

Në fakt po krijohet një sistem i pa marrë vesht, që ngjason jo pak me sistemin diktatorial që sapo kaluam. Në emër të të bërit shtet po krijohen ligje që shkaktojnë panik tek popullata. Vetëm para disa kohësh u miratua dhe një tjetër ligj që do të legalizojë spiunët nëpër administratë dhe biznese. Sipas asaj çka shkruhet aty, këta persona do të sinjalizojnë në lidhje me korrupsionin shpërdorimin e detyrës apo marrjen e vendimeve që dëmtojnë buxhetin e shtetit. Ky ligj ka si nismëtar kreun e ILDKPI Shkëlqim Ganaj, që me sa duket ka dështuar në misionin e tij për të luftuar fenomenin e korrupsionit në këtë vend. Pra jemi përpara një sistemi autokratik. Ligji detyron bizneset që të ngrenë strukturën e spiunazhit, të ngjashëm me kontrollin punëtor të dikurshëm, ndërsa në administratë nuk është çudi që këta të kamuflohen si shokë zyre, apo specialistë dikasteresh, të cilët sdo bëjnë gjë tjetër vetëm se do spiunojnë shoku shokun. Bizneset që kanë mbi 100 të punësuar janë të detyruar të ngrenë strukturën e “spiunazhit” brenda datës 15 korrik dhe të dërgojnë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave gjeneralitetet e personave të përzgjedhur. Menjëherë pas zgjedhjeve, shumicës së bizneseve që janë të klasifikuara me mbi 100 punonjës u ka shkuar një shkresë që përcakton edhe detyrimin që iu lind atyre për ngritjen e një strukture të posaçme që vjen si detyrim i Ligjit “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve” i miratuar një vit më parë. Në shkresën e firmosur nga kryeinspektori Shkëlqim Ganaj thuhet se, në rast se nuk zbatohet kjo kërkesë, atëherë biznesi ngarkohet me përgjegjësi administrative dhe penale. Ligji “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve” do të funksionojë në administratën publike, por edhe te kompanitë që kanë mbi 100 të punësuar. Rastet që do të sinjalizohen do të lidhen me korrupsionin, shpërdorimin e detyrës, ushtrimit të ndikimeve të paligjshme në kryerjen e detyrave ose marrjen e vendimeve apo shpërdorimin e të ardhurave të buxhetit. Sinjalizuesit do të jenë punonjës të institucionit publik, por edhe atij privat, do të paguhen nga këta të fundit dhe gëzojnë status dhe mbrojtje të veçantë me ligj.

Deklarata: Spiuni duhet të  deklarohet me vullnet të lirë

Por si po procedohet nga kompanitë për ngritjen e kësaj strukture? Si përzgjidhet stafi që do të jetë pjesë e njësisë përgjegjëse? Më poshtë do të japim modelin konkret nga një biznes që ka emëruar tashmë strukturën. Së pari, nga ana e ortakut të kompanisë miratohet një vendim për ngritjen e strukturës së Njësisë Përgjegjëse, si dhe rregulloret e brendshme që sanksionojnë përshtatjen me kërkesat që ka Ligji “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”. Pas kësaj, nga ana e administratorit bëhet emërimi i punonjësit të zgjedhur në njësinë përgjegjëse. Punonjësi në rastin konkret është përgjegjës departamenti. “Ju bëjmë me dije se ju jeni i përzgjedhuri për ndjekjen e gjithë praktikave të dyshuara të korrupsionit për shoqërinë …. në përputhje me dispozitat e Ligjit 60/2016. Nëse jeni dakord me këtë përzgjedhje ju lutem vendosni nënshkrimin tuaj tek kjo shkresë dhe depozitoni një kopje origjinale pranë shoqërisë (X)”, thuhet në kopjen e emërimit të përgjegjësit të njësisë. Pas kësaj është në dorën e të emëruarit për të pranuar pozicionin ose për ta refuzuar atë. Referuar dokumenteve për rastin në fjalë, punonjësi ka pranuar të jetë pjesë e njësisë duke deklaruar se, “Unë i nënshkruari (X) lindur në datë ( ) në Tiranë dhe banues në Tiranë, mbajtës i letërnjoftimit, madhor dhe me zotësi të plotë për të vepruar e punuar në pozicionin e drejtuesit të Departamentit pranë (X) shoqërie themeluar sipas ligjit shqiptar dhe regjistruar pranë Regjistrit Tregtar shqiptar mbajtur nga Qendra Kombëtare e Biznesit me seli në rrugën …Tiranë. Pasi mora dijeni për përzgjedhjen në njësinë përgjegjëse për ndjekjen e procesit të praktikave të dyshuara të korrupsionit për shoqërinë (X) në përputhje me dispozitat e Ligjit 60/2016. Nëpërmjet kësaj shkrese deklaroj se e pranoj në njohje të plotë të detyrave që duhet të përmbush për pozicionin që më keni caktuar”. Pasi merret miratimi edhe nga personi i emëruar atëherë biznesi vë në dijeni Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave. Bashkëngjitur dokumentit të urdhrit për ngritjen e strukturës, emërimit të personit përgjegjës dhe pranimit të detyrës së caktuar nga punonjësi vendosen edhe gjeneralitetet e tjera që kanë të bëjnë me personin e strukturës së “spiunazhit”. Kjo strukturë duhet të ketë të paktën një person.

Kërkesat, të ngjashme me bashkëpunëtorët e Sigurimit

Por spiuni ashtu si dhe ata që pranoheshin bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, duhet të ketë besimin e “ partisë”. Në listën e kritereve që duhet të përmbushë një udhëzues, ai medoemos duhet të jetë një person që ka mbaruar Arsimin e Lartë, të preferueshëm në Shkencat Juridike. Të ketë përvojë pune jo më pak se tre vjet, të ketë integritet të lartë moral e të tjera si këto. Në fakt, akoma nuk dihet se kujt i ka shkuar mendja tek ky farë ligji që beson se si do verë rregull në këtë kaos të krijuar me korrupsionin dhe ryshfetin në vend, kur shteti i ka të gjitha mekanzimat për ta luftuar dhe parandaluar. Më poshtë kriteret që kërkohën nga qeveria për të qenë një spiun i denjë.

Punonjësi i njësisë përgjegjëse duhet të përmbushë këto kritere:

  1. a) të ketë mbaruar Arsimin e Lartë, i preferueshëm në Shkencat Juridike, Shkencat Sociale ose Shkencat Ekonomike, diplomë e nivelit të dytë;
  2. b) të ketë vjetërsi në profesion/punë jo më pak se tre vjet;
  3. c) të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre të rëndë penale;

ç) të ketë njohuri mbi ligjin e sinjalizimit dhe mbrojtjen e sinjalizuesve, Kodin e Procedurave Administrative, si dhe ligjin për parandalimin e konfliktit të interesave;

  1. d) të gëzojë integritet të lartë profesional;
  2. dh) të ketë aftësi profesionale për të vlerësuar administrativisht praktikën e sinjalizuar;
  3. e) të ketë aftësi organizative, si dhe të angazhohet seriozisht në marrjen e masave për ndjekjen administrative të fakteve të sinjalizuara;

ë) të mos ketë marrë masa disiplinore në tre vitet e fundit;

Procedura për ngritjen e strukturës.