James: E kisha menduar Bajernin

18

Hames Rodrigez ishte “bomba” e parë e merkatos së Bajernit të Mynihut në këtë sesion merkatoje, ndonëse shefi i klubit, Karl-Hainc Rumenige, premtoi se do të ketë të tjera goditje. Dhe, me sa duket, dëshira e mesfushorit kolumbian për t’u transferuar në Gjermani dhe ndoshta edhe bisedimet mes palëve, paskan shumë kohë që kanë nisur.
Në një deklaratë të fundit nga ish-lojtari i Realit të Madridit, 26-vjeçari pranon se e kishte menduar idenë e transferimit në Mynih prej 4-5 muajsh, e thënë ndryshe që në merkaton e janarit, në sezonin e kaluar.
“Bajerni ka qenë gjithmonë një skuadër që ka qenë në mendjen time, lidhur me një hap të radhës në karrierë dhe jam realisht i lumtur që tashmë jam pjesë e tij. Nuk e fsheh se ideja për të luajtur një ditë këtu nuk më ka ngacmuar. Madje, mund t’ju them se kam folur me Toni Krosin prej 4-5 muajsh dhe i kërkova këshilla në lidhje me një lëvizje të mundshme këtu.
Ai, i cili ka luajtur dhe e njeh mjaft mirë, jo vetëm ambientin e brendshëm, por edhe atë të jashtëm, më tha se jo vetëm do të shkoja në një skuadër madhështore, por edhe jeta në Mynih është fantastike, pasi të garanton qetësi dhe lumturi. Dhe kaq mjafton që të jesh i përqendruar në karrierë, nënvizon Hames, i cili më pas flet edhe për marrëdhënien me Karlo Ançelotin.
E njoh mjaft mirë atë dhe që te Reali i Madridit kemi pasur një marrëdhënie të shkëlqyer. Karlo ka pasur gjithmonë besim tek unë dhe e di se ka qenë zëri i fortë i transferimit tim në Mynih. Për këtë arsye, dua të jap maksimumin mbi të gjitha për atë dhe premtoj se do të ndihmoj në përmirësimin e lojës së skuadrës dhe në fitimin e trofeve. Sezonin e ardhshëm, objektivi ynë është që të fitojmë në të tria frontet”.