Gjiknuri 90 minuta para gjykatësve për aferën 479 milionë euro me CEZ

202

Damian Gjiknuri nuk e ka patur aspak të lehtë dje përballjen në Gjykatë teksa do t’i duhej të fliste për rolin e tij në megaferën e CEZ ku Shqipërisë iu shkaktua një dëm prej 479 milionë euro. Në listën e dëshmitarëve VIP në gjyqin ndaj Kastriot Ismailaj për aferën mes DIA-s dhe CEZ është edhe emri i ministrit të Energjetikës Damian Gjiknuri, i cili është thirrur dje të dëshmojë në seancën gjyqësore. Dëshmia e Gjiknurit ka zgjatur për 90 minuta, gjatë të cilave ai ka pranuar të ketë takuar përfaqësuesin e DIA-s, Rebeka Gain. Referuar dëshmisë së tij, ministri është shprehur se ka rënë dakord me Gain që çështja me qeverinë të zgjidhej me marrëveshje. “Ismailaj i kishte lënë emër të keq kompanisë”, mësohet të ketë thënë ndër të tjera Gjiknuri. Gjiknuri u shpreh: “E njoh Elvis Matajn dhe avokatin Romeo Kara. I kam takuar 1-2 herë. Më kanë pohuar se janë të gatshëm të dëshmonin  për aferën korruptive të DIA”. Po ashtu, Gjiknuri tregoi edhe për takimin që ka pasur me Rebeka Gaskin, në cilësinë e administratores së DIA, e cila ka kërkuar të tërhiqet nga gjyqi kundër CEZ në Arbitrazh. Një detaj ishte se Gjiknuri nuk e kishte marrë me vete kartën e identitetit, por kjo u kalua duke mos u bërë problem nga Gjykata. Kastriot Ismailaj akuzohet që nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve ka përvetësuar një shumë prej afro 5 milionë eurosh, nga fondi që kishte mbledhur për llogari të faturave të papaguara të CEZ-it. Kujtojmë se në tetor të 2015, Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi penalisht ministrin e Energjetikës, Damian Gjiknuri dhe Avokatin e Shtetit, Alma Hicka. KLSH arriti në përfundimin se shtetit shqiptar i është shkaktuar një dëm financiar prej 479 milionë eurosh nga marrëveshja për zgjidhjen me mirëkuptim mes palëve e arritur nga qeveria dhe grupi çek Cez, i cili ishte pronar i 76 për qind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.

Dëmshpërblimi që iu fal CEZ-it nga Gjiknuri-Hiçka

Alma Hicka dhe Damian Gjiknuri, kanë këmbëngulur fort që Shqipëria të dalë e humbur në lidhje me firmosjen e marrëveshjes ku pala shqiptare hiqte dorë nga e drejta për të kërkuar dëmshpërblimin nga kompania CEZ. Në raportin e hartuar për këtë çështje nga Zyra e Avokatisë, Derain&Ghavari me qendër në Paris jep dhe qëndrimet e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare, si dhe lojërat manipulative që janë bërë me këtë çështje. Sipas të njëjtit raport, ministri Damian Gjiknuri, ka ndërhyrë pranë nënkryetarit të Sekretariatit për Energjinë në Vjenë, Dirk Buschle, që të jepte një vlerësim ku të lavdërohej marrëveshja, me qëllim manipulimin e opinionit publik. Për sa i përket Alma Hickës, Avokates së Shtetit, zyra në fjalë shprehet se ka qëndruar e paiinteresuar për këtë çështje për shkak të lidhjeve që bashkëshorti i saj Envi Hicka kishte me kompaninë CEZ. Sipas avokatit, kjo ishte një anomali që privoi qeverinë shqiptare prej mekanizmit të kontrollit të pushteteve. “Njëlloj surprizuese gjatë gjithë këtij procesi, ishte sjellja e Avokates së Përgjithshme të Shtetit, znj Alma Hicka. Avokatura e Shtetit është një entitet i pavarur që përgjithësisht është aktiv në përfaqësimin e Shtetit në arbitrazhet ndërkombëtare. Megjithatë, në këtë çështje Zyra e Përgjithshme e Avokaturës së Shtetit, edhe pse e përfshirë, qëndroi në tërësi pasive gjatë gjithë procesit. Nuk kërkoi që ne të përgatisnim një opinion ligjor në lidhje me mosmarrëveshjen me CEZ, ose nuk kërkoi që në të përfshiheshim në negociatat e zgjidhjes me pajtim ose në procesin e vendimmarrjes. Pavarësisht nëse kjo ishte apo jo një zgjedhje e vullnetshme etike, duke qenë se bashkëshorti i Avokates së Përgjithshme të Shtetit, ishte ose është ortak në një firmë ligjore shqiptare, e cila përfaqësonte CEZ Shpërndarje sh.a, kur kontrollohej prej CEZ, kjo ishte një tjetër anomali, e cila e privoi qeverinë prej mekanizmit të kontrollit të pushteteve, e nevojshme gjatë një procesi të tillë”, shkruan në raportin e saj Zyra e Avokatisë. Pra, pretendimet e zonjës Hicka se nuk e dinte që në këtë çështje është në konflikt interesi, nuk qëndrojnë. Aq në dijeni ka qenë sa ka përjashtuar nga bisedimet zyrën e Avokatisë, nuk kërkoi një opinion të përgjithshëm ligjor mbi veprimtarinë e CEZ, vetëm e vetëm për faktin se pas gjithë kësaj zallamahie qëndronte bashkëshorti i saj, ortak në firmën e cila mbronte të gjitha veprimet e CEZ.sh.a

Roli i Gjiknurit në aferën me CEZ

Një rol jo të vogël ka pasur në të gjithë këtë histori dhe Damian Gjiknuri, i cili sipas shkresës ka shkuar deri aty sa të kërcënojë përfaqësuesin e firmës që merret me këtë çështje. Gjiknuri, në një bisedë që ka pasur me përfaqësuesin e zyrës, ka vënë në dyshim ndershmërinë e saj. “Në 20 maj të 2014-ës, pata një takim nga afër me ministrin Gjiknuri në Paris, gjatë të cilit ai dukej i shqetësuar nga fakti që unë po nxirrja në pah anomali, në kohën e qeverisjes së tij. Ai e ngriti këtë siç m’u duk mua asi një tentativë në mirëbesim për të kuptuar perspektivën e firmës tonë në një fushë dhe një çështje që dukej jo i familjarizuar, dhe me respekt i jam përgjigjur që i kam shërbyer Republikës së Shqipërisë, pavarësisht përbërjes së qeverisë përkatëse”, shprehet avokati. Më tej, sipas të njëjtit raportim, avokati shprehet se ka qenë vetë ministri Gjiknuri, që ka ndërhyrë pranë negociatorit Buschle, që të bënte komente në lidhje me marrëveshjen për ta nxjerrë sa më mirë qeverinë shqiptare. “Ishte vetë ministri Gjiknuri që i kërkoi zotit Dirk Boushle, që të bëjë komente në lidhje me çështjen, për t’í shitur marrëveshjen popullit shqiptar. Një tjetër anomali është fakti që ishte bërë çdo përpjekje për të kufizuar në sytë e popullit shqiptar shtrirjen e përgjegjësisë së pranuar nga qeveria shqiptare, sipas kushteve të zgjidhjes të rëna dakort me CEZ. Në veçanti, na u kërkua të përjashtonim dhe/ose të fshehim në Marrëveshjen për Zgjidhje, e cila ishte nënshkruar në 23 qershor 2014 dhe miratuar nga Parlamenti shqiptar në 31 korrik 2014, çdo referencë jo vetëm për faktin e përgjegjësisë shtesë për 108 milionë euro që ishte pranuar nga qeveria shqiptare në lidhje me pretendimin e DIA, por gjithashtu edhe për një marrëveshje të fshehtë, e cila nuk shkoi në Parlament, është lidhur në këtë drejtim”, shprehet avokati. Marrëveshja që shteti shqiptar ka bërë për DIA-n ende sot e kësaj dite nuk ka mbërritur në dyert e Kuvendit.