Çfarë kërkojmë ne sot?

128

Astrit PATOZI

Reflektim për humbjen dhe pastaj garë të drejtë dhe të pandikuar. Asgjë më shumë se kaq. Si e mendoj unë vetë Partinë Demokratike të së nesërmes, në rast se do të më jepej mundësia të shpallja alternativën time. Sipas meje;
1-Partia Demokratike ka nevojë që të riparojë me shpejtësi të gjitha defektet e rënda dhe efektet negative, që ka sjellë drejtimi i personalizuar. Në partinë tonë duhet të jenë aksionerë të gjithë anëtarët, për shkak të investimit të tyre të gjatë në vite. Vlera e aksioneve të gjithësecilit duhet përcaktohet nga meritokracia. Kryetari mund të jetë aksioneri më i madh, por kurrë pronari i vetëm.
2-Duhet të shndërrojmë me shpejtësi autoritetin e fortë të kryetarit në vendimmarrje të forumeve. Të kalojmë pa humbur kohë në drejtim me ekip ose në udhëheqje sa më kolegjiale të partisë. Dhe kjo të sanksionohet në statut, që të mos i lihet ta ndajë kryetari. Duhet zvogëlim i kompetencave të tij dhe kufizim i mandateve.
3-Përfaqësimi politik duhet të kthehet realisht në dorë të anëtarësisë dhe forumeve të PD. Ai duhet të përcaktohet strikt nga kriteret, kontributet dhe performanca. Por kurrë nga humori një njeriu apo qoftë edhe pak njerëzve. Kjo duhet të jetë e vlefshme për të gjitha nivelet, që nga seksioni e deri në Parlament dhe më vonë kur të vijë dita edhe në qeveri.
4-Shenjtërimi i statutit. Duhet ta bëjmë me urgjencë. Askush dhe për asnjë arsye nuk mund të shkelë, qoftë një nen të vetëm të tij. Duhet të shndërrohet në Biblën dhe Kuranin e demokratëve. Arsyeja pse njerëzit qëndrojnë bashkë në një parti. Për shkak të anashkalimit të tij kemi mbërritur në këtë pikë. Asgjë nuk ka ndodhur ditën e fundit, por zullumi ka ardhur duke u trashur.
5-Përcaktimi në statut i dorëheqjes së kryetarit në rast humbjeje. Kurrë më në diskrecionin e tij. Mjaft kemi hequr me këtë punë. Kryetari nuk mund të shndërrohet në stres për partinë. Përkundrazi, të jetë gjenerator i shpirtit të saj, që e çon drejt fitores.
6-Shndërrimi i Partisë Demokratike në një model për shoqërinë. Për demokracinë e brendshme dhe për respektimin e rregullave. Nesër në pushtet të kthehemi në shembull të sjelljes me Ligjin dhe Kushtetutën.
7-Rikthim tek respekti për kontributet dhe vlerat e PD në vite. Historia e saj është krenaria jonë. Simbolet, flamuri dhe shenjat dalluese, gjithashtu. Por ajo të mos shikohet si nostalgji, por si një instrument për të arritur fitoren. Duke respektuar gjithçka kanë bërë të tjerët deri më sot, ne projektojmë PD e së ardhmes.
8-Bashkimi i demokratëve, që nga viti ‘90 e deri më sot. Ftesë e sinqertë për ta. Jam i bindur se do të kthehen vetëm, kur të kuptojnë se partia e tyre ka ndryshuar për mirë. Por sidomos për ata 200 mijë votues, që i humbëm së fundi për shkak të gabimeve tona të rënda.
9-Por mbi të gjitha, bashkimi i Partisë Demokratike sot. Askënd për të humbur dhe gjithëkënd për të fituar. Kjo duhet të jetë deviza jonë. Nëse alternativa jonë do të votohet nga demokratët, dora e bashkëpunimit do të drejtohet në fillim nga Lulzim Basha dhe kushdo tjetër, që mendon si ai ose është i lidhur me të. Sepse, pavarësisht përgjegjësisë për humbjen e 25 qershorit, askujt nuk mund t’i mohohen kontributet e mëparshme apo ato që mund të vijnë në të ardhmen.
10-Partia Demokratike, të jetë shtëpia e lirisë e së djathtës shqiptare. Marrja e përgjegjësive për një riorganizim të saj, si nevojë e brendshme sociale e Shqipërisë, për shkak të zhbalancimit në krijuar në vite, por sidomos pas zgjedhjeve të fundit.
11-Partia Demokratike të shndërrohet shumë shpejt në tempullin e opozitës në Shqipëri, duke qenë se i takon të jetë forca udhëheqëse e saj. Pa asnjë paragjykim të ftojë çdo faktor edhe aktor të madh apo të vogël politik, që ka zgjedhur të refuzojë qeverinë, pa asnjë kompleks dhe me kurajo. Ne duhet të bëhemi zëri i fuqishëm i popullit të opozitës, në bashkëpunim dhe koordinim me çdo forcë tjetër politike që zgjedh të jetë kundërshtare e qeverisë.
Natyrisht, që ka edhe të tjera, për të pasur një parti bashkëkohore europiane, por mbi të gjitha konkurruese, që të mundë Edi Ramën në përplasjen e parë. Por kjo nuk po lejohet, ndaj edhe unë ju ftoj të gjithëve:
Çdo anëtar të PD, që nga Sali Berisha e deri tek anëtarët e seksioneve të Vermoshit e Konispolit, që të reagoni, me fjalë dhe me vepra për të shpëtuar Partinë Demokratike. Ka ardhur një moment që edhe heshtja është pajtim me të keqen, është dorëzim para saj, për të mos thënë bashkëfajësi.
Demokratët duhet të marrin në dorë fatin e partisë së tyre. Ju duhet të mbroni aksionet tuaja për të ndalur grabitjen në mes të ditës së mandatit të kryetarit të Partisë Demokratike. Kjo farsë duhet ndalur përpara 22 korrikut, atë ditë nuk mund të ketë votim, sepse rezultati është i paracaktuar. Dhe nëse kjo nuk ndodh, përgjegjësia nuk do të bjerë vetëm mbi Lulzim Bashën. Por edhe mbi ne të gjithë që e lejuam atë. Atëherë, të gjithë do të mendojmë se ne nuk meritojmë asgjë më shumë se sa të kemi një kryetar humbës, i cili me të gjitha gjasat, do të humbasë sërish, përherë e më thellë.
Unë nuk e pranoj dot ketë “dënim”, i cili nuk vjen prej Zotit, por prej njeriut, dhe si i tillë është i korrigjueshëm. Dhe jam i bindur se shumica e anëtarëve të Partisë Demokratike e mendojnë si unë.
Kjo nuk është një çështje personale, as e imja dhe as e miqve të mi. Kjo aq më pak është një çështje pushteti. Jam gati ta provoj këtë, mjafton që të krijohen kushtet për një garë korrekte, dhe unë nuk e kam fare problem të mos jem më kandidat për kryetar të Partisë Demokratike.
Të nderuar miq, ju falenderoj me shumë mirënjohje për durimin dhe vëmendjen, por ka ardhur dita që ne t’i dalim zot partisë sonë. Kjo nuk është thjesht një betejë për dinjitet, por më shumë se kaq. Partia Demokratike është aset kombëtar, është në radhë të parë pasuria e demokratëve të Shqipërisë. Ne nuk duhet të lejojmë kurrë që ajo për shkak të një apo disa njerëzve të shndërrohet dita-ditës në një kompani biznesi privat, që i bien aksionet përditë.
Kam bindjen se bashkë do t’ia dalim.