Berat, kurora e gjelbër në flakë prej 3 ditësh, zjarr i fuqishëm në Bërdicë

92

Kodra e gjelbërt mbi lagjen muzeale “Goricë” në Berat po digjet që prej tre ditësh, ndërkohë që nuk është marrë asnjë masë për shuarjen e flakëve. Rreth pesë mijë metra katror mendohet se janë djegur vetëm në këtë zonë gjatë tre ditëve të fundit, ku është shkrumbuar totalisht toka me pisha dhe shkurre. Sipas drejtorit të Zjarrfikëses dhe Shpëtimit në Berat, Luman Spathara, ky zjarr është i qëllimshëm dhe gati në 90 për qind e rasteve, janë të tillë.
Aktualisht nga zona e kodrës së gjelbërt mbi Goricë punohet vazhdimisht për të shuar flakët e zjarrit, nga helikopteri i Emergjencave Civile, por për shkak të erës dhe temperaturave të larta shfaqen vatra të reja. Zjarrfikësja dhe ushtria ndodhen në gjendje gatishmërie. Ndërkohë, në anën tjetër të kodrës është lokalizuar një vatër e re zjarri, ndërsa zjarri në kurorën me ullinj të lagjes Kala u arrit të shuhej me shpejtësi.
Po ashtu një zjarr i fuqishëm ka përfshirë kodrat e fshatit Bërdicë në rrethin e Shkodrës. Zjarri i ndihmuar edhe nga era, po afrohet me shpejtësi pranë banesave dhe varrezave të fshatit. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat zjarrfikëse. Nuk dihen ende saktësisht shkaqet e zjarrit, por dyshohet se ka rënë nga pakujdesia.

9 vatra zjarri brenda 24 orëve të fundit
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 9 vatra zjarri në Vlorë, Fier, Durrës, Berat, Tiranë, Lezhë dhe Dibër.
Në malin “Partizani”, në pjesën jugore të kurorës së qytetit Berat, u riaktivizuan disa vatra zjarri të cilat u përhapën me shpejtësi nga era e fortë. Zjarret kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme dhe për këtë është ndërhyrë nga ajri me anë të helikopterit. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe rreth 40 ha me shkurre.
Zjarri i nisur para tre ditësh në malin Mile, Konispol ka vazhduar edhe gjatë natës, por me një intensitet më të ulët. Zjarri është shuar vetëm në orët e para të mëngjesit.
Në fshatin Pezë Helmës, Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe shkozë. Zjarrfikëset e Tiranës kanë shkuar në vendngjarje, duke punuar me mjete rrethanore për shkak të terrenit. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe rreth 2 ha me shkurre dhe shkozë.
Vatra e zjarrit në vendin e quajtur “Liqeni i Zi”, Bulqizë, ka vijuar edhe gjatë natës. Zjarrfikëset e kanë pasur të pamundur për të vepruar për shkak të terrenit të thyer malor. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e madhe me shkurre dhe pisha.
Zjarri i rënë në  fshatin Nënshejt, Mirditë është shuar plotësisht. Flakët kanë rrezikuar disa zona të banuara. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 15 ha me shkurre dhe pisha.
Në fshatin Dragobi, Tropojë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha në Parkun Natyror të Valbonës. Nga informacioni i marrë sipërfaqja e djegur është 2 ha. Vatrat e zjarrit kanë qenë larg nga zona e banuar.
Në fshatin Çerven, Fier, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 5 dynym me shkurre dhe 40 rrënjë ulliri.
Në fshatin Likmetaj, Durrës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 6 dynym me shkurre dhe pisha.