Vizita në Kosovë, Nishani nderon kujtimin e luftëtarëve

308

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe delegacioni që e shoqëron gjatë vizitës vizitës zyrtare në Kosovë zhvilloi homazhe dhe vendosi një kurorë me lule te varri i Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Gjithashtu Presidenti Nishani, u përul me respekt dhe përkujtoi veprën dhe sakrificën sublime duke u ndalur te shtatorja e Komandantit Zahir Pajaziti si dhe në Monumentin e Lirisë në Raçak.
Të pranishmëve të shumtë që kishin dalë për ta mikpritur Kreun e Shtetit shqiptar, mes të cilëve edhe Kryetari i Komunës se Shtimes, Naim Ismajli me bashkëpunëtorët e tij, Presidenti iu drejtua me fjalët: “Masakara e Raçakut i tregoi botës dhe e sensibilizoi opinionin ndërkombëtar për krimet që po kryente Serbia mbi popullsinë dhe qytetarët e thjeshtë të Kosovës. Raçaku duhet të jetë një vend pelegrinazhi për të gjithë shqiptarët kudo që janë, për të mos harruar asnjëherë të shkuarën tonë të dhimbshme dhe për të ndërtuar një të ardhme sa më të mirë”.
Më pas, Presidenti Nishani vizitoi dhe vendosi një kurorë me lule në shenjë nderimi dhe respekti Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz si dhe kullën legjendare të familjes Jashari.
Më tej, Presidenti i Republikës së Shqipërisë u ndal në familjen Haradinaj, ku pasi bëri homazhe dhe nderoi kujtimin e sakrificat sublime të bijve dhe burrave të kësaj dere liridashëse dhe atdhetare, vlerësoi me Dekoratën “Nder i Kombit” heronjtë e lavdishëm të luftës çlirimtare: luftëtarët e orëve të para për lirinë e Kosovës, organizatorët, prijësit dhe frymëzuesit në rrugën e lirisë së Kosovës, Luan dhe Shkëlzen Haradinaj.

Presidenti Nishani “Qytetar Nderi” i Komunës së Gjilanit

Presidenti Bujar Nishani u shpall nga Kuvendi Komunal gjatë një ceremonie të veçantë e solemne “Qytetar Nderi” i Komunës së Gjilanit, me nismën e Kryetarit të Kuvendit, Lutfi Haziri dhe me miratimin unamim të të gjithë anëtarëve të tij. Anëtarët e Kuvendit Komunal si dhe Kryetari i Kuvendit Haziri vunë në dukje se Presidenti Bujar Nishani ka dhënë kontribut të çmueshëm në shtetndërtimin e Kosovës, në lobimin për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga shtetet tjera, sikurse shquhet edhe për mbështetjen e fuqishme për Gjilanin dhe Kosovën Lindore.
Në fjalën përshëndetëse, Presidenti Nishani, shumë i emocionuar, duke theksuar se marrja e këtij titulli: “është një çast i paharrueshëm në jetën e tij”, u shpreh gjithashtu se: “Falënderoj Kryetarin e Komunës Lufti Hazirin për lidershipin e veçantë dhe për vizionin e një burri shteti, jam i bindur se qënia në këtë pozicion dhe mirëkutimi dhe bashkëpunimi i të gjithë aktorëve politikë, të këtij qyteti, të kësaj zone, tregojnë më së miri këtë dimension të një maturie të kulturës politike. Qyteti i juaj dhe i imi, Gjilani, në analet e historisë kombëtare është shquar për burra të pushkës dhe të penës. Për atdhetarë dhe patriotë që i kanë bërë nder kauzës sonë kombëtare ndër shekuj. Gjilani, Karadaku, por edhe Anamorava e Kosova Lindore në përgjithësi, historikisht i kanë vënë gjoksin mbrojtjes së trojeve shqiptare. Fati i kësaj treve ishte që të përballej e para me të gjithë pushtuesit që ia mësynin trojeve tona nga këto anë. Mbrojtja e Kosovës në veçanti, por edhe e trojeve shqiptare në përgjithësi, varej nga rezistenca e trimave të këtyre anëve. Kosova dhe Shqipëria ishin larg me njëra-tjetrën, ishin telat me gjemba që na ndanin, por, asnjëherë nuk na u nda shpirti me njëri-tjetrin. Asnjëherë nuk u shua dëshira jonë e zjarrtë që ta shihnim Kosovën e lirë, dhe as e juaja që ta shihnit Shqipërinë demokratike dhe evropiane. Trojet shqiptare në Ballkan duke u zhvilluar dhe duke ecur të gjithë shqiptarët drejt bashkimit, drejt bashkimit në mes vete dhe me Evropën e Bashkuar, atje ku e kemi vendin ndër shekuj”.
Presidenti Nishani vuri në dukje gjithashtu se: “Do të dëshiroja që edhe në Shqipëri të mësonim dhe të nxisim eksperienca pozitive nga këto modele të përparimit, civilizimit dhe përgjegjësive, pa dyshim të ruajtjes së identitetit politik të gjithësecilit, por mbi të gjitha vendosjen në themel e orientim të interesave të qytetarëve, të vendit dhe atij që ne e kemi për zemër identitetit kombëtar. Unë besoj e do vazhdoj të besoj fort se tek dija, emancipimi dhe tek civilizimi qëndron bazamenti i përparimit dhe prosperitetit të çdo kombi dhe çdo populli, sidomos të popullit shqiptar.”
Gjatë këtij nderimi institucional e të paharruar në Komunën e Gjilanit, Presidenti Nishani vlerësoi dhe nderoi gjithashtu duke përkujtuar personalitete të shquara historike të Gjilanit dhe të Anamoravës, të cilët kanë dhënë kontribut të madh nëpër shekuj për lirinë e shqiptarëve si dhe duke bërë apel për mosharrimin e veprës dhe sakrificave të tyre atdhetare.