Rrëzimi ka ndodhur

21

Bledi KASMI

Janë raste të rralla në historinë politike kur një Kryeministër lëshon gjysmën e qeverisë ende pa shkuar në ballafaqimin popullor. Në asnjë rast nuk ndodh që një Kryetar qeverie ta bëjë këtë kur është i fortë. Në asnjë rast nuk e bën kur ka mbështetje brenda dhe jashtë vendit. Është një hall i madh që e ka detyruar të lëshojë terren.
Shumë nuk duan ta shohin këtë hall të Ramës dhe po përpiqen ta shesin si një dhuratë të një nate pranvere. A mund të imagjinohet njeriu që kërcënonte opozitën nga Parlamenti “se nuk keni parë gjë akoma” apo arrogantin e 1 milion “shuplakave” të arrinte të bënte dhurata të tilla sot, një muaj para zgjedhjeve?
Kjo është fitore force e opozitës dhe protestës 90 ditore që nisi më 18 shkurt dhe kulmoi më 13 maj në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Një lëvizje që ngriti në këmbë opinionin vendas dhe sensibilizoi opinionin ndërkombëtar se në këtë vend ka një Narko-Republikë rrezik për votën e lirë.
Kjo lëvizje popullore i është imponuar BE dhe Shteteve të Bashkuara për të kuptuar se në këtë vend nuk mund të bëheshin zgjedhje të lira. Ka pasur një operacion ndërkombëtar që ka ndërhyrë me një bisturi të mprehtë për ta zhveshur kreun e qeverisë nga armata e tij e krimit në Ministrinë e Brendshme, e korrupsionit të votave në Ministrinë e Arsimit apo korrupsionit të koncesioneve gjigante në shëndetësi.
I kanë rënë të gjitha institucionet  bashkë me arkitektin e sistemit financiar të krizës së rëndë, financat. Sikurse i kanë rënë edhe drejtoritë kryesore të rekrutimit të votave, duke nisur nga OSHEE dhe duke vazhduar me tapitë  e legalizimeve dhe hipotekat.
Fitorja nuk është përfundimtare, por as beteja nuk është ndalur. Përpara është një sfidë tjetër e fortë për PD dhe opozitën e bashkuar që i ka qëndruar gjatë këtyre tre muajve të gjitha presioneve dhe joshjeve të një pushteti kriminal dhe korruptiv. Ajo është 25 Qershori.
Fitorja më e madhe është se tashmë ka nisur çmontimi i këtij sistemi kriminal që Basha e quan Republika e Vjetër. Askush nuk mund ta ndalë rënien e tij përfundimtare. Gjatë ditëve të ardhshme ata njerëz që do të marrin të drejtojnë institucionet kyçe do të duhet ta luftojnë sistemin nga brenda. Ekziston një koordinim perfekt mes luftës nga jashtë përmes presionit popullor dhe luftës nga brenda sistemit për të mos lejuar që votat të blihen ashtu sikurse ka ndodhur me tre farsat e fundit elektorale.
Natyrisht që do të ketë rezistencë, por po ashtu do të ketë edhe vendosmëri si dhe këmbëngulje për të mos patur asnjë tërheqje nga kauza për të garantuar votën e lirë të shqiptarëve. Lulzim Basha nuk ka bërë llogari personale në këtë betejë.
Ka disa zëra kritikë këto orë. Ku ishin këta përpara 48 orësh? U shitën të gjithë dhe u blenë nga Rama me mënyrat e tij klasike. Pranuan të bëhen pjesë e farsës zgjedhore dhe në mënyrën më të ndyrë tentuan të kapnin kockën e pushtetit për t’u sjellë si opozita e emëruar, madje edhe u ngazëllyen dhe nisën të kërkonin votat e demokratëve publikisht.
Këta përgjërohen sot për fatin e PD dhe aleatëve të saj dhe për kauzën e votës? Hipokrizi. Kanë vetëm hallin e tyre elektoral që do të funksiononte duke i ngulur thikën pas shpine opozitës së vërtetë sepse nëse nuk do të ishte kështu atëhere nuk do të kishin pranuar të ishin pjesë e farsës së 18 Qershorit.
Opozita është sot në fushën e betejës elektorale për t’u përballur jo për t’u shitur. Është për të çmontuar tërësisht këtë regjim kriminal me forcën e lëvizjes popullore dhe garantimit të votës së lirë të shqiptarëve. Fitorja e djeshme nuk është e plotë, por rrëzimi ka ndodhur. Vetëm të verbërit nuk po duan ta shohin.