Rama kërkon lirimin e Shukriut nga burgu

242

Rama po përgatit lirimin nga burgu të ish-kryetarit të Bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili, i cili u arrestua për “Korrupsion pasiv…” në formën e kërkimit të favoreve seksuale në këmbim të emërimit në një vend pune. Pas publikimit të lajmit për lirimin e Shukriut, kanë reaguar mjaft qytetarë, duke iu drejtuar Ramës se, “vettingun po e përdor për të liruar nga burgu njerëz si Shukriu”. Apeli i Krimeve të Rënda ka ndryshuar akuzën për ish-kryetarin e Bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili, duke i lehtësuar dënimin. Apeli vendosi se Xhelili duhet të akuzohet vetëm për marrëdhënie seksuale, duke shpërdoruar detyrën e mbetur në tentativë dhe jo për korrupsion pasiv,
Duke e deklaruar të fajshëm për këtë akuzë, Apeli ka vendosur dënimin përfundimtar me 1 vit e 8 muaj burg për Xhelilin. Ky dënim është 1 vit më i ulët se dënimi i Shkallës së Parë, në janar 2017, sipas të cilit ish-zyrtari u dënua me 2 vjet e 8 muaj burg. Xhelili është arrestuar në vitin 2016 dhe duke llogaritur kohën e qëndrimit në paraburgim i ngelet edhe pak kohë para se të lirohet.
Kryebashkiaku socialist i Bashkisë së Dibrës u denoncua nga një 20-vjeçare, pasi i kishte kërkuar asaj favore seksuale në këmbim të një vendi pune. Si provë kundër Shukri Xhelilit ishte një videoregjistrim ku e implikonte atë në aferën seksuale në këmbim të punësimit.
Ai u shkarkua me vendim të Këshillit të Ministrave menjëhere pas skandalit. Ndaj Xhelilit, janë ngritur 3 akuza. Akuza e parë është ajo për marrëdhënie seksuale, duke shpërdoruar detyrën dhe sipas nenit 105 të Kodit Penal, shkelje për të cilën ai rrezikon 3 vite burg.
Akuza tjetër është ajo e shpërdorimit të detyrës, ku sipas nenit 248 të Kodit Penal “Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jo materiale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.
Ndërsa akuza e tretë ndaj ish-Kryebashkiakut të Peshkopisë është ajo e korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike. Me këto tre akuza, Xhelili rrezikon nga 12 në 18 vite burg nëse do të jepet një dënim maksimal, por mbetet për t’u parë se si do të shkoj procesi gjyqësor ndaj tij.