Qeveria “përzë” investitorët vendas

192

Nga Ledina LOGA

Ndërmarrjet shqiptare të përpunimit të peshkut po përgatiten të shpërngulen në rajon. Kjo industri, e cila numëron afërsisht rreth 4 mijë të punësuar, për shkak të zgjerimit në vitet e fundit, përmbush më shpejt kuotat e eksportit drejt BE-së. Mark Babani, i kompanisë më të madhe të përpunimit të açugeve “Mare Adriatik” sh.p.k., tregon se pasi përfaqësues të industrisë kanë kërkuar tryezë bisedimi me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë e Bujqësisë, nuk kanë marrë asnjë përgjigje si do të zgjidhet situata me kuotat e importit. Aktualisht, kuota e importit pa tarifë është 1600 tonë açuge e përpunuar. Për 2016-n, kjo kuotë u plotësua në muajin gusht, ndërsa pjesën tjetër të vitit e plotësuan duke importuar produkt gjysmë të gatshëm. Ndërkohë këtë vit kuotat po përfundojnë shumë më shpejt se parashikimi dhe industrialistëve që të mos mbyllen, ju mbetet vetëm një alternativë: Shpërngulja.
Pra, mijëra punëtorë të kësaj industrie do të përfundojnë në rrugë, tha zoti Babani. Zgjidhje të vetme për të dalë nga situata ai ka gjetur zhvendosjen në rajon. Konkretisht, zoti Babani ka marrë në shqyrtim blerjen e dy fabrikave të përpunimit në Malin e Zi dhe në Kroaci. Në këtë të fundit, si vend anëtar i Bashkimit Europian nuk do të ketë kufizime në sasinë e açugeve të importuara. Ai nuk e përjashton as mundësinë e shpërnguljes në Maqedoni, që edhe pse gjendet në krizë, i është ofruar shumë herë hapësirë më shumë se në Shqipëri.
“Edhe pse jemi e vetmja industri që importojmë mall agroushqimor shqiptar në BE, ne si industri nuk kemi gjetur mbështetjen e duhur, madje na kanë përcjellë me premtime që nuk i kanë mbajtur”, tha Mark Babani. Ndërsa Artur Mata nga “Konservimi Adriatik” sh.p.k., tha se zgjidhje këtij problemi duhet t’i japë qeveria. “Me krizën aktuale politike, problemet e biznesit nuk janë më në planet e qeverisë. Unë nuk e di se çfarë do të bëj nëse situata vazhdon kështu”.
Kujtim Shkreli, i cili drejton kompaninë “Eurofish” sh.p.k., që vetëm bën përpunimin e açugeve (lëndën e parë e merr nga jashtë) thotë se pasi të përmbushet kuota do të vazhdojnë të operojnë me humbje, vetëm që të mos humbasin klientët. Nëse situata vazhdon kështu, zoti Shkreli tha se do të reduktojnë numrin e punonjësve dhe do të mbyllin fabrikat e përpunimit.

Qëndrimi i ministrisë

Burime nga Ministria e Ekonomisë thanë se do të kryhet një studim i tregut dhe për këtë i janë drejtuar INSTAT-it. Rezultatet e këtij studimi do të paraqiten në institucionet përkatëse në formën e argumenteve për të kërkuar rritje të kuotave nga Bashkimi Europian. Nga ana tjetër, industrialistët prej më shumë se një viti kanë ngritur problemin e kuotave, si kërcënim serioz për vazhdimin e aktivitetit të tyre. Ndërsa zgjidhjet e problemit ata ua adresojnë vetëm qeverisë shqiptare. Bashkimi Europian ka refuzuar hapjen e negociatave me argumentin se në objektivat e saj është reduktimi i zënies së peshkut në Mesdhe. Sipas prodhuesve shqiptarë, pala shqiptare duhet të tregojë më shumë forcë në negocim. Ata janë të mendimit se negociatorët kanë shkuar të papërgatitur në negociata.

Çfarë kërkojnë industrialistët

Përveç negocimit të kuotave të importit, industrialistët kërkojnë dhe ndarjen e produktit në dy kategori, në produkt shqiptar dhe produkt i huaj, i cili në Shqipëri ka të shtuar vetëm vlerën e punës. Kuotat e vjetra nuk janë koherente me ndryshimet që ka pësuar kjo industri. Pranvera Kastratit, drejtoreshë e Tregtisë me Jashtë në Ministrinë e Ekonomisë ka pohuar më herët për “Monitor” se, negocimi i kuotave të açuges ka qenë prioritet për palën shqiptare. Për shumë vite, kuotat prej 1000 tonë peshk të përpunuar nuk janë shfrytëzuar. Mirëpo industria është zgjeruar dhe kjo nuk është reflektuar në ndryshimin e kuotave. Sipas zotit Mark Babani, kjo ka treguar paaftësi për të parashikuar potencialin e industrisë. Ai shton se qeveria duhet të kishte kufizuar dhënien e licencave të reja, në mënyrë që të parandalohej kaosi. Industria e peshkut, drejt shpërnguljes, pasi kuotat e eksportit drejt vendeve të BE-së nga Shqipëria janë shumë të ulëta në raport me kapacitetet. Ndërsa të gjithë e kanë mendjen te politika, sipërmarrësit ankohen se askush nuk po merret me problemin e tyre.