Protesta e sotme, model i Republikës së Re!

35

Enver Bytyçi

Më 21 janar 2011 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” protestuesit e Rilindjes ushtruan dhunë dhe provokuan në ekstrem forcat e rendit. Dukej qartë se opozitës së atëhershme u duheshin viktima për të legjitimuar marrjen e pushtetit dhe e realizuan këtë. Në analizën e atyre ngjarjeve, qeveria Berisha kishte interes që opozita të përdorte dhunën e kjo dhunë të transmetohej në të gjitha mediat brenda e jashtë vendit. Por, ajo nuk kishte asnjë interes që të shkaktonte viktima ndër protestuesit, aq më tepër në një kohë, kur dhuna e tyre ishte në infinit. Nuk dua të hamendësoj se kush e shkaktoi vrasjen e 4 protestuesve, sepse në fund të fundit përgjegjësia ishte e qeverisë, edhe pse nuk ishte interesi i saj.
Sot duhet thënë gjithashtu se, qeveria Rama kishte interes të kishte dhunë në bulevard, dhe jam i bindur se ajo nuk kishte asnjë interes që të kishte viktima në atë vend të sheshbetejave midis opozitave dhe mazhorancave në pushtet. Prandaj dhe Lulzim Basha si dhe drejtuesit e tjerë të opozitës deshën të mos ia japin këtë shans kryeministrit Rama.
Angazhuan 2700 aktivistë me qëllim që të mbajnë rregullin dhe kontrollin e protestës. Nuk lejuan në asnjë rast që të predikohej dhuna, madje u shfaqën në ekrane bashkë me familjet e tyre, edhe me fëmijët nën moshën e protestuesve, me qëllim që të japin mesazhin për të mos përdorur dhunën. Këta aktivistë ndalën grupe të rinjsh, të cilët donin së paku të hiqnin maskën e vënë në hyrjen e godinës së Kryeministrisë e ta nxirrnin atë lakuriq në sytë e protestuesve. Por nuk patën shans. Nuk u lejuan të bëjnë asnjë akt dhune.
Në janarin e 2011-ës Rama dhe të vetët bënë thirrje direkte për dhunë, madje thirrje më të ashpra se ajo e Kastriot Myftarajt dhe nxitën protestuesit të sulmojnë policinë dhe forcat e sigurisë, dërguan edhe një makinë si kamikaze të hynte në oborrin e Kryeministrisë, dogjën makinat e qytetarëve e jo të pushtetarëve. Ndërsa për protestën e sotme, lidershipi i demokratëve dhe opozitës kërkoi e realizoi rregull, qetësi, maturi, urtësi, deri në perfeksion!
Të mbash dhjetëra mijë protestues nën kontroll, kjo është fuqi, është madhështi, është forcë, është angazhim e përkushtim i jashtëzakonshëm për të dëshmuar paqen, atë paqe të cilën e vunë në pikëpyetje edhe disa ambasada kur paralajmëruan shtetasit e tyre se “duhet të bënin kujdes, pasi gjatë marshimit të protestuesve do të kishte dhunë”?!
Kjo lloj qëndrese e kjo sjellje, e cila vështirë të kontrollohet në Gjermani, në Francë e Angli, jo më në Itali a Greqi, dëshmon se opozita shqiptare është e aftë të bëjë shtet të së drejtës dhe jo shtet të të fortit. Protesta e sotme nuk ishte vetëm referendum, ajo ishte refuzimi i të gjitha akuzave që deri më sot i janë bërë opozitës dhe kreut të saj Basha për gjoja vendimmarrje personale e në mbrojtje të interesave të tyre.
Protesta ishte dhe do të mbetet dëshmi e qytetarisë dhe refuzim i akuzave që kryeministri bën në çdo miting elektoral për “injorancën”, “paaftësinë” dhe “mosangazhimin” e opozitës për të ndërtuar institucione të qëndrueshme kushtetuese e ligjore në funksion të një demokracie liberale dhe të një shteti të së drejtës në Shqipëri. Republika e Re e shpallur sipas motos “Asgjë nuk do të jetë më si më parë”!, përbën thelbin e angazhimit të opozitës për një shtet modern, të ndryshëm nga qeverisjet e derisotme në vendin tonë.
Edi Rama para katër vitesh premtoi Rilindjen, dmth në një farë kuptimi një “Republikë të Re”, madje në vend të një “regjimi”, siç ai e quante qeverisjen e demokratëve të Berishës. Por mbolli e solli rilindjen e krimit në pushtet, në Parlament, në administratë, në qeveri, dhe ia bashkëngjiti këtë grupim kriminal gjyqtarëve dhe prokurorëve e avokatëve të korruptuar, tek të cilët ai dëshiron ta gjejë “shpëtimin”, duke i shkuar ata në “gijotinën” e retorikës së tij politike elektorale.
Mbolli e solli në jetën e shqiptarëve drogën, trafiqet, grupet kriminale, pengmarrjen, kërcënimin e tyre për bizneset, akademikët e me radhë! Rilindën fenomene, të cilat mund të jenë të denja për vendet e Amerikës Latine, ku droga, krimi, vrasja, prostitucioni, janë përditshmëri. Republika e Re e themeluar sot në protestën e opozitës është e duhet të jetë ndryshe, krejt ndryshe. Ajo përjashton zgjedhjen e kriminelëve në Parlament, grabitjen, vjedhjen dhe blerjen e votës nga oligarkia në pushtet. Përkundrazi, projekti i kësaj Republike të Re mundëson barazinë para ligjit, respektin për shtetin dhe ligjin, marrëdhënien e sinqertë e të besimit midis shtetit e qytetarit, midis qeverisë dhe të qeverisurve.
Republika e Re projekton një reformë të thellë elektorale, më të thellën në histori, me përfaqësim direkt, me numër më të kufizuar vendesh në Parlament, me kontroll dhe administrim shtetëror të bazuar në rregulla të sakta dhe me dënime penale të rrepta në rast të shkeljeve ligjore. Kjo reformë garanton zgjedhje të lira e të drejta dhe prej këtej buron gjithashtu garancia e krijimit të institucioneve funksionale të një shteti demokratik e liberal të së drejtës.
Republika e Re projekton zgjedhjen e Presidentit direkt nga populli, me qëllim që Kreu i Shtetit të mos përçudnohet e dhunohet nga të fortit e partisë në pushtet ose në opozitë. Republika e Re balancon pushtetet, zëvendëson manipulimin e mediave me trajtimin e barabartë të tyre të mbështetur në ligj. Do të ndërtojë një gjyqësor të ekuilibruar, të pavarur, të mbështetur në resurse dhe paga.
Republika e Re mundëson një sistem konkurues në rajon të politikës së taksave e një sistem arsimor modern e në përkrahje të talenteve, pavarësisht statusit ekonomik e mundësive financiare që ata kanë. Republika e Re ndërton një sistem shëndetësor jashtë të sotëm Partneritet Publik-Privat, ku shteti do të mbajë përgjegjësinë për modernizimin e tij, pa patur nevojë të japë me koncesion detyrat e veta publike. Protesta e sotme do të ishte e mjaftueshme sikur thjesht një mesazh të tillë të jepte. Që ajo nuk do të jetë si Republika e Vjetër! Mjafton të shohë gabimet dhe të korrigjojë fajet e qeverisjes së Rilindjes, që të garantojë lindjen e një sistemi të ri qeverisjeje, i cili do ta çojë Shqipërinë drejt integrimeve të plota europiane!
Ndaj Republika e Re pamundësoi çdo skenar të dhunës në protestën e sotme! I mjafton kësaj armate protestuesish vendosmëria e qëndrueshmëria që ta fitojë kauzën e saj dhe t’i hapë rrugë shpresës se ky vend mund të bëhet, mund të ndryshojë, mund të zhvillohet, mund të ndërtohet! Po të kishte dhunë, atëherë do të vihej në pikëpyetje ky projekt i madh kombëtar! Rilindja erdhi prej dhunës dhe përfundoi te dhuna sistematike e pushtetit të saj kundër qytetarëve të këtij vendi! Nëse Republika e Re do të vinte me dhunë, atëherë duhej vënë në pikëpyetje qëllimi e modeli i saj i ardhshëm!
Tiranë, më 13.05.2017.