Macron-Merkel dhe projekti europian

132

Thorsten Benner, Thomas Gomart

Në muajin mars, disa fotografi që qarkullonin në shtypin ndërkombëtar, kishin kapur dy të ardhmet e mundshme të marrëdhënies së Francës me Gjermaninë dhe Bashkimin Europian. Një imazh shfaqte Marine le Pen, kandidatja presidenciale për të djathtën ekstreme të Frontit Kombëtar në takim me presidentin rus, Vladimir Putin në Kremlin, në tjetrin ishte Emmanuel Macron, kandidati 39-vjeçar i partisë En Marche!, pranë Kancelares gjermane, Angela Merkel në Berlin.
Nga njëra anë kandidatja që u zotua të thyente konsensusin e politikës së jashtme të elitës politike, në atë që e quante pavarësi strategjike, në favor të daljes nga Bashkimi Europian dhe lidhjeve më të ngushta me Rusinë. Nga ana tjetër ishte kandidati liberal, duke drejtuar fushatën e tij pro europiane dhe që ka qenë gjithmonë mbrojtës i lidhjeve tradicionale të Francës me Gjermaninë.
Më 7 maj, Macroni u zgjodh president i Francës, duke marrë 66 për qind të votave, krahasuar me 34 për qind të Le Pen. Presidenca e tij ofron një shans për të ringjallur marrëdhëniet franko-gjermane, në një kohë kur Europës i nevojitet më shumë. Së bashku, Berlini dhe Parisi mund të forcojnë Bashkimin Europian dhe eurozonën, të mbrojnë kontinentin nga liberalizmi dhe të mbrojnë më mirë interesat e Europës në arenën ndërkombëtare.
Kjo nuk do të jetë e lehtë. Pa një aparat të mirë partiak dhe pa garancinë e mazhorancës parlamentare, Macroni ndodhet në një situatë delikate. Ai duhet të avancojë politikat pro europiane në një vend ku shumica e votuesve e shohin BE-në me skepticizëm dhe ku shumë njerëz janë afruar me të djathtën ekstreme dhe të majtën ekstreme sepse janë të shqetësuar nga efektet e globalizimit. Franca dhe Gjermania kanë disbalanca ekonomike dhe diferencat për politikat europiane kanë gjeneruar mllef në të dy krahët.
Megjithatë, ringjallja e bashkëpunimit është e vetmja zgjedhje për momentin. Macroni do të ketë mundësi të paraqesë planet e tij për të reformuar financat publike të Francës dhe të tregut të punës vetëm nëse Gjermania ndihmon në lehtësimin e shqetësimeve të votuesve francezë rreth projekteve të eurozonës. Vetëm nëse Macroni bën avancime të ndjeshme brenda vendit, ai do të ketë edhe kapitalin politik që i duhet për të punuar me Gjermaninë për të zhvilluar një axhendë ambicioze të politikës së jashtme për Europën. Nëse liderët gjermanë do të jenë të gatshëm të bëjnë kompromise, shanset që presidenca e Macronit do të krijojë për Francën, Gjermaninë dhe Europën do të jenë të shumta.

Momenti i Macronit
Gjatë dekadës së fundit, disbalancat ndërmjet Francës dhe Gjermanisë janë thelluar. Teksa Franca përballet me deficit tregtar, Gjermania kënaqet me një surplus të madh prej 35 miliardë dollarësh vetëm me Francën. Rreth 10 për qind e punëtorëve francezë janë të papunë, ndërsa vetëm gjashtë për qind e gjermanëve vuajnë nga papunësia. Gjermania është partnerja më e madhe tregtare e Francës, ndërsa për Gjermaninë, Franca vjen e dyta pas Kinës. Kur bëhet fjalë për politikën ekonomike, Franca favorizon përdorimin e shpenzimeve publike për të nxitur zhvillimin dhe vlerëson aftësinë për t’u përgjigjur ndaj krizave të fleksibilitetit, ndërsa Gjermania tipikisht beson se reformat strukturore duhet të jenë baza e rritjes ekonomike dhe ka rregulla strikte për shpenzimet qeveritare dhe normën e inflacionit. Këto ndryshime thelbësore shpjegojnë pjesërisht përse Franca dhe Gjermania kanë qëndrime të kundërta kundrejt Bashkimit Europian dhe shpesh janë në garë për të vendosur se cilat politika do të kenë më shumë influencë. Ndërkohë 50 për qind e gjermanëve favorizojnë BE-në, vetëm 38 për qind e francezëve ndajnë të njëjtin mendim.
Kështu, shpjegohet edhe rritja e ndjenjës antigjermane në Francë. Le Pen, e cila ka akuzuar Gjermaninë se po abuzon me pjesën tjetër të Europës dhe kandidati i majtë Jean-Luc Melenchon, i cili i ka etiketuar politikat gjermane si “helm”, tërhoqi mbështetje të fortë nga votuesit francezë dhe zyrtarët që të braktisnin BE-në dhe NATO-n, si dhe të ndërprisnin marrëdhëniet me Berlinin.
Macroni është i vendosur t’i kapërcejë këto mosmarrëveshje. Në fillim të gushtit 2015, kur ishte ministër i Ekonomisë, Macroni i bëri thirrje Europës t’i jepte fund asaj që e konsideronte si “luftë fetare” brenda kontinentit ndërmjet vendeve veriore kalviniste të orientuara drejt politikave të egra financare si Gjermania dhe vendeve më liberale katolike të jugut si Franca, duke sugjeruar se Bashkimi Europian duhet të gjejë balancën ndërmjet dy qasjeve të kundërta.
Si president, Macroni ka për qëllim ta arrijë këtë balancë duke i dhënë energji të re tregut të punës në Francë dhe duke ribalancuar financat publike të vendit me rregullat buxhetore të eurozonës, për shembull, duke ndërprerë shpenzimet e kota qeveritare, duke investuar në programe trajnimi dhe duke e bërë tregun e punës më elastik. Në këmbim, Macroni pret që Gjermania të bjerë dakord ta shpërndajë më shumë riskun brenda eurozonës. Për shembull, ai ka bërë thirrje për krijimin e një buxheti të përbashkët të eurozonës që do të promovonte rritjen e investimeve në infrastrukturë, të ofrojë asistencë financiare emergjence dhe të ndihmojë shtetet në krizë ekonomike. “Nëse nuk kemi një plan guximtar reformash strukturore”, tha Macron “gjermanët nuk kanë për të na ndjekur”.
Merkel nuk do të ketë mundësi t’i bëjë këto kompromise menjëherë, duke qenë se do të përballet me zgjedhjet e muajit shtator. Megjithatë, ajo mund të sinjalizojë që tani se është e gatshme të marrë në konsideratë propozimet e Macronit. Gjatë muajve të ardhshëm, Berlini dhe Parisi duhet të deklarojnë nisjen e disa sipërmarrjeve të rëndësishme të përbashkëta, si fondi i investimeve të infrastrukturës franko-gjermane apo projektet bilaterale për të nxitur ekonomitë dixhitale të të dy vendeve dhe për të krijuar një treg të përbashkët dixhital për Bashkimin Europian.

Brenda dhe jashtë Francës
Dështimi i presidentit në ikje François Hollande dhe axhendës së tij të brendshme në fillim të mandatit e zvogëloi ndjeshëm staturën e tij në arenën ndërkombëtare, duke mos e lënë të bëhej një partner i pavarur dhe efektiv i Gjermanisë. Një fillim i suksesshëm i reformave të Macronit mund të ketë efektin e kundërt, duke i dhënë presidentit francez kapitalin e nevojshëm politik që i duhet për punën e tij me Berlinin në axhendën e re të sigurisë së Europës.
Kjo është një tjetër arsye për Gjermaninë që të mbështesë programin e brendshëm të Macronit. Teksa Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore janë në gjendje shumë të keqe dhe Rusia është bërë më agresive, shtetet europiane nuk kanë arritur të ndjekin hapin e këtyre zhvillimeve për t’u kundërpërgjigjur. Dyshimet e hedhura mbi garancitë e sigurisë që ofrojnë Shtetet e Bashkuara nën drejtimin e presidentit Donald Trump, e kanë bërë gjithmonë e më imediate nevojën e Europës për të zgjidhur vetë çështjet e sigurisë së saj.
Franca dhe Gjermania duhet të forcojnë urgjentisht kapacitetet diplomatike dhe ushtarake të Europës. Mund ta fillojnë duke ndërtuar bashkëpunime të tjera të suksesshme si marrëveshja bërthamore me Iranin dhe kriza në Ukrainë. Berlini dhe Parisi duhet të shtyjnë Teheranin të luajë një rol më konstruktiv dhe paqësor në Lindjen e Mesme, duke kërkuar për shembull, tërheqjen e forcave ushtarake nga Siria dhe të inkurajojë presidentin Bashar al-Assad që të arrijnë një marrëveshje.
Për sa i përket konfliktit të Donbasit, Franca dhe Gjermania duhet t’i bëjnë presion Rusisë, por edhe Ukrainës që të respektojnë angazhimet e tyre sipas Marrëveshjes së Minskut dhe duhet të qartësojnë se sanksionet kundër Rusisë do të lehtësohen vetëm atëherë kur Moska t’i japë fund politikës së agresionit në Ukrainën Lindore. Dy vendet duhet të bashkëpunojnë edhe për të forcuar influencën e Bashkimit Europian mbi politikën tregtare ndërkombëtare dhe ndryshimit të klimës. Presidenca e Macronit duhet ta lehtësojë këtë duke u përpjekur të mbushë disa boshllëqe ndërmjet Francës dhe Gjermanisë mbi politikën e jashtme. Presidenti i ri francez është dakord me skepticizmin e Gjermanisë mbi ndërhyrjet ushtarake dhe duket më i gatshëm se paraardhësi i tij për të bashkëpunuar me Berlinin për të menaxhuar krizën europiane të refugjatëve.
Pesë vitet e ardhshme do të jenë periudha e vlerësimit për ushtrinë franceze, e cila është më e forta e kontinentit. Kërkesat e forcave franceze janë rritur si rezultat i ndërhyrjeve të huaja të Parisit dhe misionet e kundërterrorizmit në vend, por financimi nuk është rritur. Që nga viti 2004, shpenzimet ushtarake franceze kanë rënë në përqindje të GDP-së së vendit, pavarësisht rritjeve të vogla të viteve 2009, 2010 dhe 2014, aktualisht në 1,8 për qind. Macroni ka trashëguar një sërë problemesh që do ta bëjnë të pamundur për Francën të ruajë ambiciet aktuale strategjike pa e rritur shpejt buxhetin e mbrojtjes. Disa analistë i kanë bërë thirrje Parisit për të kryer investime shtesë me vlerë mbi 38 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme, pjesërisht për të mbështetur modernizimin e nevojshëm të kapacitetit bërthamor mbrojtës të Francës, që është bërë akoma më i rëndësishëm kohët e fundit.
Gjermania mund ta ndihmojë për këtë. Merkel është zotuar të rrisë shpenzimet e mbrojtjes nga 1.2 deri në 4 për qind të GDP-së së vendit deri në vitin 2024. Berlini duhet t’i përdorë disa nga këto fonde shtesë për të mbështetur një sipërmarrje të përbashkët për të ndarë shpenzimet e mbrojtjes të të dy vendeve duke i shpenzuar për kërkim dhe zhvillim, gjë që do të sillte përfitime të mëdha ekonomike veçanërisht në fushën dixhitale. Duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, Franca dhe Gjermania duhet të bashkëpunojnë edhe me Mbretërinë e Bashkuar, pasi të largohet nga Bashkimi Europian. Kapacitetet ushtarake dhe të inteligjencës së Anglisë janë thelbësore për sigurinë e Europës.

Përfitimet e Europës
Sistemi partiak i vjetër i Francës është shpërbërë. E djathta dhe e majta radikale do të jenë duke pritur për të marrë në dorë presidencën në rast se Macroni dështon. Një rezultat i tillë do të ishte katastrofik për Bashkimin Europian dhe Gjermaninë. Por Europa dhe Gjermania jo vetëm që do të vuanin nëse Macroni dështon, por do të merrnin përfitime të mëdha nëse ai do të ketë sukses. Një marrëdhënie më e balancuar midis Gjermanisë dhe Francës mund t’i japë fund reputacionit të Berlinit si një hegjemoni europiane egoiste, duke e reduktuar ndjeshëm ndjenjën antigjermane në kontinent.
Një program i suksesshëm reformash në Francë do t’i tregonte shteteve të tjera të Bashkimit Europian si të shpëtonin prej problemeve të tyre pa iu dorëzuar ngritjes së valës populiste në rajon. Fitoret brenda Francës mund t’i ofrojnë Macronit edhe përfitime jashtë saj, si dhe të sillnin avantazhe të mëdha për të gjithë Bashkimin Europian. Politikanët gjermanë duhet të bëjnë gjithçka është e mundur për të ndihmuar liderin e ri të Francës që të ketë sukses dhe kjo do të thotë se duhet të bëjnë kompromise me të. Kjo presidencë mund të ofrojë shansin për të parandaluar shkatërrimin e projektit europian.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI