Macron fiton kundër Le Pen në debatin televiziv

218

Kandidatët për president të Francës u përplasën në një debat televiziv, të mërkurën mbrëma, duke fyer dhe kritikuar njëri-¬tjetrin për çështje si: anëtarësia në Bashkimin Evropian, lufta kundër terrorizmit dhe marrëdhëniet me Rusinë. Debati u zhvillua derisa sondazhet e opinionit nxirrnin kandidatin e qendrës, Emmanuel Macron, në kryesim të fortë, me 20 për qind, përballë kandidates së ekstremit të djathtë, Marine le Pen. Le Pen përmendi rolin e Macronit si ish-bankier investues, tha se favorizon “uberizimin” e ekonomisë dhe “globalizimin e egër”.
“Zgjedhja politike që duhet të bëjë populli francez është e qartë. Macron është kandidat i globalizimit të shfrenuar, i ‘uberizimit’ të shoqërisë, pasigurisë, brutalitetit social, luftës së secilit kundër secilit”, tha Le Pen. Macron kritikoi politikën e saj për të braktisur euron, duke e cilësuar si plan “të rrezikshëm” dhe “fatal”. “Vizioni im është të ndërtojmë një euro të fuqishme, të ndërtojmë politika të fuqishme evropiane, me të cilat do të ngrihemi për interesat e Francës”, tha Macron.
Shkëmbimet kanë kaluar edhe në personale: Macron e quajti Le Penin “parazite” dhe “priftëreshë e frikës”, ndërsa Le Pen e quajti atë “bankier të vetëkënaqur”. Le Pen tha se Macron nuk brengoset për ekstremizmin islamik dhe se ai do ta lejojë Bashkimin Evropian të udhëheqë me Francën. “Çfarëdo që ndodh, Franca do të udhëhiqet nga një grua: ose unë, ose zonja Merkel”, tha Le Pen duke iu refereuar kancelares gjermane. Macron tha se politikat e Le Penit për përjashtimin e migrantëve dhe myslimanëve do të ishin në interes të terroristëve, do t’i kthenin francezët kundër njëri¬-tjetrit dhe do të çonin në “luftë civile”.
Dy kandidatët dallojnë shumë edhe në marrëdhëniet me Rusinë. Macron tha se do të bëjë përpjekje të punojë me presidentin rus, Vladimir Putin, për të zgjidhur çështje rajonale si konfliktet në Siri dhe Ukrainë, porse përtej kësaj, nuk beson se Franca dhe Rusia ndajnë të njëjtat “vlera dhe prioritete”. Le Pen, e cila ka bërë fushatë për riafrim me Rusinë, tha se është politikania me pozicionin më të mirë për të biseduar me Rusinë, Shtetet e Bashkuara nën presidentin Donald Trump ose Britaninë, e cila po përgatitet të largohet nga Bashkimi Evropian. “Nuk kemi arsye të jemi në Luftë të Ftohtë me Rusinë”, tha Le Pen.

Macroni drejt Elizesë
Anketuesit nuk kanë dyshime: debatin final televiziv mes dy kandidatëve për presidencën franceze e fitoi liberali Emmanuel Macron. Në përballjen për çelësat e Elizesë u prekën tema si terrorizmi, ekonomia dhe Bashkimi Europian. Për mbi dy orë, kundërshtarët shkëmbyen fyerje mes tyre, por pëlqimin e publikut në fund duket se e mori Macron, i cili është shfaqur shumë më bindës në thuajse të gjitha kategoritë.
Pas debatit, 63% e shikuesve u shprehën në favor të tij. Marine le Pen e fshikulloi rivalin tek mungesa e eksperiencës politike dhe të kaluarën me sfond financiar, duke e cilësuar si kandidatin e globalizimit të egër. Versioni yt i Francës, i tha ajo, është një dhomë tregtie, ku secili do të luftojë për veten.
Macron u kundërpërgjigj duke thënë se liderja e Frontit Nacional gënjen haptazi, nuk propozon asgjë konkrete dhe fryn shqetësimet e publikut. “Përpara meje është ulur priftëresha e madhe e frikës”, u shpreh ai.
Raundi i dytë dhe përfundimtar i zgjedhjeve presidenciale franceze mbahet të dielën, më 7 maj.