Kur pësimi nuk bëhet mësim

114

Oerd BYLYKBASHI

Në 2000, një ambasador shumë i rëndësishëm mbështeti idenë se Kodi Zgjedhor mund të bëhej në mënyrë të njëanshme, duke i dhënë mbështetjen e plotë qeverisë socialiste. Qeveria miratoi Kodin me 84 votat e saj dhe pa opozitën. Kodi rezultoi më pas shumë i keq dhe u deshën 10 vite reforma 2002-2012 për ta sjellë në normalitet.
Në 2000, i njëjti ambasador i dha qeverisë mbështetje për të bërë ajo vetë listat e zgjedhësve. Në fund rezultoi se listat e bëra nga qeveria dhe KQZ e kontrolluar prej saj kishte 600 mijë dublikata nga 2.4 milionë zgjedhës, pra 25% e listës ishte e manipuluar.
Në 2000, i njëjti ambasador i dha mbështetjen qeverisë që t’i bënte ajo e vetme, pa opozitën, 100 zonat zgjedhore. Në fund rezultoi se shumica e zonave zgjedhore u shpërnda në zonat e jugut ku kishte më shumë zgjedhës socialistë dhe qeveria fitonte më lehtë. Në Veri, opozitës i nevojiteshin deri në 20% më shumë vota sesa mesatarja për të fituar një mandat, ndërsa në Jug qeverisë i duheshin 20% më pak vota për të fituar mandatin. Pra qeveria e mbështetur nga ambasadori i vodhi disa mandate në tavolinë opozitës.
Në 2001 një ambasador tjetër shumë, po shumë i rëndësishëm i dha mbështetjen Kryetarit të PS që të prezantone shumë prej ministrave dhe figurave të larta të PS si “kandidatë të pavarur” me teorinë që “nëse nuk e ndalon ligji, është e ligjshme”. Të gjithë e dinin që ishin kandidatë të pavarur falso. Me këtë, PS merrte më shumë mandate se ç’i lejonte ligji nëse konkurohej drejt. Opozita kërcënoi me bojkot. Drejtori i ODIHR erdhi në Tiranë dhe kritikoi këtë përdorim të ligjit nga qeveria si të papranueshëm. Ambasadori shumë i rëndësishëm heshti i ulur anash dejtorit të ODIHR. Kandidatët e pavarur “u varën” tek PS nga Gjykata.
Në 2001, me bekimin e disa ambasadorëve, u luajt me siglat e partive që votat e PD të ngatërroheshin e të hidheshin për “siglën e gabuar”. Me këtë truk u morën dhjetëra mijëra vota nga PD.
Në 2001, Kryeministri Ilir Meta i kërkoi një ambasadori shumë të rëndësishëm, që meqë ekzistonte rreziku i prishjes së rendit publik në ditën e zgjedhjeve nga opozita e PD, të lejohej nxjerrja e forcave të sigurisë në terren. Ambasadori dha bekimin dhe rrugët u mbushën me policë dhe forca të ushtrisë. Zgjedhësit u terrorizuan nga policë që qëndronin para qendrave të votimit, manovra të tankeve të ushtrisë, prezenca e punonjësve të SHISH, ndërsa shumë komisionerë të PD u rrahën dhe u ndaluan nga policia.
Në zgjedhjet e 2001, PS sajoi trukun e “Dushkut”, me të cilin i mori opozitës 9 deputetë. Bllokoi zgjedhjet në një nga 100 zonat, dhe pasi pa rezultatin e 99 zonave, i ripërsëriti ato në zonën e bllokuar, duke ia dhënë votat e saj 3 partive aleate. Secila parti aleate që deri atëherë nuk hynte në Parlament, mori nga 3 mandate të cilat, përndryshe, do t’i merrte opozita. I njëjti ambasador shumë i rëndësishëm tha se kjo ishte e ligjshme, sepse nuk e ndalonte ligji. Më pas ODIHR tha se kjo manovër deformoi frymën e ligjit. Ambasadori nuk u ndie më, edhe pse shumë i fuqishëm.
Në 2001, PS përdori KQZ që e kontrollonte në raportin 5:2 dhe Gjykatën Kushtetuese që e kontrollonte plotësisht, për të marrë me proces ankimor një numër mandatesh nga opozita. Kur në raundin e parë kishte fituar opozita, shpesh rezultati u zhvleftësua dhe u përsëritën zgjedhjet derisa fitoi kandidati i PS. Ato zgjedhje u thyen një rekord botëror: u zhvilluan 5 raunde votimi nga qershori në gusht. Në fund të procesit ankimor PS fitoi fiks 84 mandatet që i duheshin për të zgjedhur Presidentin dhe ndryshuar ligjet e rëndësishme. Ambasadorët kryesorë thanë se për sa kohë e lejonte ligji, kjo ishte legjitime. ODIHR e kritikoi këtë si përdorim abuziv të ligjit dhe rezultati ishte i diskutueshëm.
Ambasadorët në fjalë u gëzuan shumë për fitoren e PS kur u shpall rezultati, sepse kjo siguronte stabilitet. Në atë kohë punoja në OSBE dhe jam dëshmitar në vetë të parë. Por ODIHR u shpreh se gjerësia e fitores së PS u vu në dyshim nga shkeljet e shumta. Pra legjitimiteti që mbështetën ambasadorët nuk ishte legjitim. Kjo çoi Parlamentin Europian të shtynte drejt Presidentit konsensual dhe Reformës Zgjedhore konsensuale të 2002-2003.
Disa ambasadorë u ndërruan dhe disa të tjerë ndërruan mendje pas gjëmës zgjedhore, duke e gjykuar njëanshmërinë ndaj qeverisë së PS si të gabuar dhe mbështetën konsensualitetin si e vetmja rrugë për stabilitet demokratik. Ambasadorët mbështetën marrëveshjen historike Nano-Berisha të 5 prillit 2002, e cila çoi në 10 vjet Reforma Konsensuale Zgjedhore (2002-2012) dhe përmirësim të procesit zgjedhor dhe 2 rotacione politike paqësore, anëtarësim në NATO, liberalizim vizash dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.
Pra çmimin e njëanshmërisë e paguam me 12 vjet kohë të humbur e përpjekje pa fund. Por 17 vjet më pas vitit 2000, kjo histori po përsëritet. Përsëri dëgjojmë deklarata për stabilitet dhe legjitimitet të zgjedhjeve edhe pa opozitën. Ndërkohë të gjithë njerëzit normalë janë të shqetësuar për kaosin ku po shpie kjo njëanshmëri që i fryn zjarrit të mosmarrëveshjes së politikës shqiptare dhe jo konsensusit.
A kemi kohë të humbim përsëri 10-15 vjet të tjera për të rikthyer gjërat në normalitet? Nëse nuk mësojmë nga e shkuara, ne dhe miqtë tanë, historia ka mënyrat e veta për të na dhënë mësim përsëri.