Kosovë, lista e kandidatëve për deputetë nën hetim

29

Një afat për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë të partive politike mbyllet të premten në mesnatë, thonë zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Partitë politike, koalicionet partiake, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, kanë nisur procesin e hartimit të listave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, në veçanti pas ndryshimeve të bëra në skenën politike në vend. Një afat tjetër për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore ndërmjet partive politike, ka përfunduar, ndërkohë që partitë kanë hyrë në fazën përfundimtare të hartimit të listave zgjedhore. “Afati për subjektet politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, të cilët duan të aplikojnë për t’u çertifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 11 qershorit, përmbyllet më 19 maj”. “Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Çertifikim do të presë aplikacionet deri në orën 24 të ditës së premte”, thotë Valmir Elezi për Radion Evropa e Lirë. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u shpallën pas shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës, të cilit i parapriu një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së Isa Mustafës, i ngritur nga partitë opozitare dhe mbështetur nga partneri në koalicion qeverisës, PDK. Çështja e listave të kandidatëve prej kohësh, thonë përfaqësues të shoqërisë civile, ka shkaktuar telashe për shkak të përfshirjes së kandidatëve me, siç thuhet, “të kaluar të dyshimtë”. Sipas tyre, partitë politike duhet t’i largojnë nga listat zgjedhore të gjithë ata persona, që konsiderohen si të dyshuar për korrupsion dhe krime, si dhe ata nën hetime dhe me akuza nëpër gjykata. Një numër i ish-deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në të kaluarën, ishin nën hetime ose ndaj tyre qenë ngritur aktakuza të ndryshme. Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se mundësia që në zgjedhjet e qershorit të garojnë persona nën hetime, do ta dëmtojë imazhin e Kosovës para faktorit ndërkombëtar. “Nuk duhet harruar faktin se vetëm në këtë legjislaturë 28 deputetë janë me aktakuza dhe ky është mesazhi më i keq, të dërgohet tek investitorët, te faktori ndërkombëtar, por edhe tek qytetarët lidhur me qeverisjen e këtij vendi”, thotë Miftaraj. Mungesa e një ligji apo kodi të mirësjelljes, përmes së cilit do të pranoheshin rregullat e reja për pjesëmarrje në zgjedhje, bën që partitë politike të vendosin vetë nëse në lista do t’i përfshijnë edhe personat nën hetime apo edhe ata me të kaluar kriminale. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ditë më parë i tha Radios Evropa e Lirë se në listat zgjedhore nuk mund të përfshihen personat që janë shpallur fajtorë me vendim përfundimtar të gjykatës këto tre vjetët e fundit. Ndërkaq, për personat e tjerë, ajo tha se mbetet te partitë politike që të vendosin, pasi ligji nuk parasheh ndalesa të tjera. Mungesa e një ligji që parandalon përfshirjen në lista dhe praktika nga zgjedhjet e kaluara që partitë politike patën garuar me kandidatë nën hetime, ka shtyrë koalicionin e organizatave joqeveritare për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” për të lançuar një fushatë vetëdijësuese të quajtur #AsUnë nuk do të votojë për kandidatë të korruptuar.