Ja si mbrohem

98

Edison YPI

Sëmuresh, çmendesh, vdes, nëse nuk mbrohesh vetë nga disa rreziqe, prej të cilave nuk të ndihmon askush.
Kur përfytyroj Shqipërinë të mbjellë me hashah, bëhem keq, më kap paniku, më dridhen këmbët, më merren mentë, më vjen për të vjellë. Nga frika se mund të më bjeri damllaja, iki në një katund të largët ku takoj një fshatar, i cili ka ndërtuar mbi një shpat mali një vilë sa një kështjellë nga ato që gjermani, italiani, francezi, nuk guxojnë ta shohin as në ëndërr. I them viganit të punës dhe sakrificave; Dëgjo Ibrahim, të gjithë ikin ti qëndron. Të gjithë përtypen ti punon. Të gjithë vjedhin ti ndërton. Je Hero. Meriton një monument.
Janë ca opozitorë, të cilët ngaqë s’kanë bythë të përballen me pushtetarët bëjnë një turp të paparë e të padëgjuar; i bëjnë kritika opozitës. Do më ishte shpifur me kohë kanceri nga këta mutër opozitarë, që duke i bërë opozitë opozitës sharrojnë degën ku kanë hipur. Por edhe për këto raste e kam gjetur ilaçin. Ulem lexoj ndonjë libër mbi hajvanllëkun e kallaballëkut, mbi të menduarit e çuditshëm të hileqarëve me karakter të dobët, legenave që sillen lart e poshtë duke llomotitur.
Prej kur s’mbahet ment, të gjithë dijetarët shqiptarë, myslimanë, kristianë, ateistë, pa asnjë përjashtim, nuk e kanë vënë kurrë në dyshim identitetin europian të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Mirëpo se nga kanë dalë ca pisa që hiqen për filozofa që po duan të na bëjnë me zor aziatikë, duke thënë se Europa është një kurvë plakë, një shtrigë, ndërsa Turqia dhe Arabia janë dy bukuroshe për t’u pirë në kupë. Kur hasem me të tillë morracakë, të cilëve klisheja kurviste mbi Perëndimin dhe ndarjen Lindje-Perëndim s’u shkulet nga mendja, më kap xerxeleja. Dua t’i pështyj në surrat ata injorantë, por më vjen ndot. Dua t’ua marr erzin atyre kockalëpirësve, por kam frikë se i bëj të famshëm. Dua t’ua fus thonjtë në fyt atyre edepsizëve, por më vjen keq. Për të shpëtuar nga ky taksirat, iki humb brenda atij pyllit të vogël të fundbarkut të njërës nga ato.
Kur shoh një shkrimtar që me librin e tij në dorë thotë para kameras “letërsia është univesale dhe eretne”. më vjen aq turp dhe hutohem aq keq, sa s’di çfarë të bëj, dhe iki shëtis relievin e një tjetre nga koka te këmbët.
Kur shoh ca që udhëtojnë nëpër Dumre ose Zadrimë me xhamat e makinës ngritur, nga inati vete të bëj një shëtitje në formë U-je nga kërthiza te kurrizi mes shalëve të një të trete.
Unë e kam ditur se përfaqësuesit e konservatorizmit janë njerëz seriozë, njerëz me taban, të qytetëruar, të kënduar. Mirëpo këta tanët janë ku thërret qameti. Këta janë ca trutrashë që të kallin datën. Për të ardhur në vete nga krrupa që më ngjallin këta lloj konservativësh, të cilët në këmbim të ngrënieve dhe gromësimave nëpër restorante shesin nënë e babë, iki te një kasap për të marrë përvojën e përdorimit të hanxharit për therjen e derrit.
Kur dëgjoj ca sedentarë, të cilët nuk e kanë idenë ku bie Fushë Arrzi, Lozhani u duket larg, Trebinjën nuk e dinë se ekziston, që thonë “vendi ynë është i bukur”, iki në Mokër në këmbët e një ujvare, të cilës me turi nga qielli ja pi të gjithë ujin.
Kur nisin e mburren e bëjnë premtime elektorale të parealizueshme, hyj në Youtube, ku shoh dokumentarë për lokomotivat me avull, Urën e Bruklinit, Luftën Civile në Amerikë.
Kur konstatoj se të kënduarit me muzikë për ibret dhe tekste katastrofike nuk është modë e shpikur në Shqipëri, por e importuar nga Hollivudi, ulem lexoj Pinokun.
Kur mendoj se për t’u lehtësuar shpirtërat e shqiptarëve duhet me prit derisa të vdesi edhe i fundit soc-artist, më zënë ethet, trupin ma mbulojnë djersët, më kapin të dridhurat, mbulohem me batanije, ja fus gjumit, shoh në ëndërr një breshër meteorësh që thërrmojnë planetin.
Kur dëgjoj ndonjërin që kujton ndonjë batutë nga filmat shqiptarë, më plas gjaku nga të gjitha brimat. Për ta ndalur këtë hemorragji kam vetëm një mënyrë. Iki shoh muzgun te Gjiri i Lalzit.
Kur qëllon që thonë ndonjë fjalë të keqe për Skënderbeun, Ismail Kadarenë, Doktorin, nuk iki nëpër pyje dhe shkëmbinj apo relieve femrash. E kam zgjidhur ndryshe. Në këto raste vete në Bashki në zyrën e Gjendjes Civile ku shfletoj Librin e Shtëpisë të budallait dërrdëllitës. Ja gjej emrat e femrave të fisit, nënën, motrat, tezet, hallat, kunatat. Dal në rrugë ja shaj me libër shtëpie me emër e mbiemër të gjitha femrat deri në brezin e shtatëmbëdhjetë.
Me deputetët që ndërrojnë parti, duke tradhëtuar elektoratin, e kam pisk, nuk di nga t’ja mbaj. Kësaj zgjebeje hëpërhë nuk ja kam gjetur dermanin. Nga kjo kolerë nuk di nga tja mbaj. Kësaj mënxyre nuk i kam gjetur dot shërim.
Kur ndodh që ndjehem i rrethuar nga libra që nuk lexohen, filma që nuk shihen, surretër që nuk durohen, biseda që nuk përballohen, fruta dhe perime të modifikuara që nuk hahen, pasi vë duart në kokë si Klithma e Munch-ut, iki drejt e te Gryka e Këlcyrës ku thith të gjithë ajrin e Luginës së Vjosës, por mushkëritë nuk më mbushen.