Interi nuk tërhiqet

61
Generated by IJG JPEG Library

Drejtuesit zikaltër e kanë të qartë se kë duan trajner për sezonin e ardhshëm dhe ai është Antonio Konte. Pavarësisht se kohët e fundit kanë filluar të qarkullojnë shumë zëra nëpër mediat italiane rreth strategëve që mund të marrin drejtimin e Interit, Zhang dhe drejtuesit e tjerë nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga objektivi i tyre i parë, që është ish-trajneri i kombëtares italiane. Ata e kanë bërë zyrtare ofertën me të cilën do të provojnë ta bindin Konten që t’i bashkohet projektit të “Suning” dhe shifrat janë me të vërtetë të çmendura.
Por trajneri italian u ka kërkuar kohë drejtuesve italianë, pasi fillimisht do të takohet me presidentin e Çelsit, Roman Abramoviç, për të parë se sa i gatshëm është rusi për të formuar një ekip që do të jetë konkurrues jo vetëm në Angli, por edhe në Ligën e Kampionëve.
Situata vazhdon të mbetet në “stand-by” dhe gjithçka pritet të sqarohet në ditët e para të muajit qershor. Zhang nuk ka ndërmend të kursejë asnjë cent, kur bëhet fjala për një strateg si Konte, i cili arriti të shpallej kampion i Anglisë me Çelsin që në vitin e tij të parë në Londër.
Pronari i “Suning” e ka bërë zyrtare ofertën e tij dhe shifrat janë me të vërtetë të frikshme. Nëse Konte e pranon ofertën e Interit, do të përfitojë 15 milionë euro në sezon, në një kontratë që do ta lidhë me zikaltrit për pesë vjet. Përveç kësaj, Zhang ka menduar dhe për merkaton e sezonit 2017-2018, ku i ka premtuar italianit plot 200 milionë euro për të formuar një ekip sa më kompetitiv për vitin e ardhshëm, me objektivin e vetëm: kthimin në Ligën e Kampionëve.
Zërat e ditëve të fundit që e kanë lidhur të ardhmen e Maurizio Sarrit me stolin e Interit kanë vënë në lëvizje, Napolin që ka nisur nga puna për të bindur trajnerin italian të firmosë kontratën e re. Presidenti i klubit të kaltër, Aurelio De Laurentis kërkon të blindojë trajnerin e tij, pasi beson jashtëzakonisht te aftësitë e Sarrit, i cili në këto dy sezone i ka dhënë një tjetër fytyrë Napolit. Falë 58-vjeçarit të kaltërit janë skuadra me sulmin më të mirë në Itali dhe njëkohësisht ekipi që zhvillon futbollin më të bukur në Serinë A. Kontrata aktuale e Sarrit me Napolin skadon në verën e vitit 2020, por edhe pse ka edhe tre vite kontratë me klubin jugor, De Laurentis pritet t’i propozojë trajnerit një marrëveshje të re, nga e cila do të marrë një pagë më të lartë, për të shmangur kështu ofensivën e Interit. Ish- presidenti Massimo Moratti u sugjeroi drejtuesve kinezë të klubit zikaltër pikërisht Sarrin për stolin, por gjasat janë që 58-vjeçari të qëndrojë ku ka nisur një projekt, ku objektiv kryesor mbetet fitimi i një titulli kampion, gjatë këtyre viteve. Sarri te Napoli përfiton aktualisht 1,5 milionë euro në sezon, por me rinovimin e kontratës nuk do ishte aspak çudi që në llogarinë e 58-vjeçarit të përfundonte dyfishi i kësaj shume.