Çfarë po ndodh me Universitetin e Elbasanit?

144

Nga Ben KUSHI

Në vazhdën e skandaleve të shumta që prej vitesh e kanë përfshirë Universitetin e Elbasanit (si aferat korruptive dhe shkeljet e shumta ligjore në investime, rekrutime pedagogësh dhe tendera) duket se një tjetër skandal ka marrë përmasa të tjera. Bëhet fjalë për mungesën e kryerjes së procesit zgjedhor të administratorit të Përgjithshëm të Universitetit të Elbasanit (ish-kancelarit), proces që po pengohet qëllimisht nga rektori Skënder Topi. Në Universitetin e Elbasanit, prej muajsh po rrënohet gjithçka (pas shkatërrimit që i bëri ish-rektori Varoshi), duke nisur nga procesi i përzgjedhjes së pedagogëve të rinj, duke mos ndjekur asnjë kriter profesional dhe arsimor, duke marrë madje pedagogë edhe me diploma dhe doktoratura të blera, e duke përfunduar tek thellimi i skandaleve të stafit të akuzuar dhe denoncuar në të paktën 40 raste në Prokurori. Universiteti i Elbasanit ka vite që akuzohet dhe denoncohet jo vetëm nga Ministria e Arsimit, por edhe nga studentët dhe familjarët e tyre për korrupsion, ka vite që akuzohet për abuzime dhe vjedhje të fondeve të investimeve, për pazare me tenderat, për rekrutime me lekë dhe bëhet fjalë për miliona për pedagogët e rinj, duke mos ju nënshtruar fare konkurrimit dhe zbatimit të kritereve. Por skandali i radhës (duke vazhduar në rrugën e ish-rektorit) mbetet ai i vonesave dhe shtyrjes së procesit të zgjedhjes së administratorit të Përgjithshëm të Universitetit të Elbasanit, në një kohë kur të gjitha universitetet e tjera këtë proces ose e kanë kryer ose janë duke e kryer. Pengesa e vetme vjen nga rektori Skënder Topi dhe kryetari i Bordit UE Ardian Dyrmyshi, i zgjedhur në këtë post, jo me konkurs, por në zyrën e rektorit Topi. Thellimi i skandalit vjen edhe si pasojë e lëvrimit të miliona lekëve për ta penguar procesin nga njerëz të stafit të rektorit Topi, duke synuar mbarimin e mandatit qeverisës dhe vonesën e procesit deri në formimin e qeverisë së re në shtator. Pazaret e zgjedhjes së administratorit të Përgjithshëm të UE, janë në vazhdën e pazareve të zgjedhjes së paligjshme të kryetarit të Bordit të UE apo edhe skandaleve të tjera për të cilat Prokuroria e Elbasanit ka të paktën 40 dosje të hapura. Stafi i pedagogëve, dekanëve dhe akademikëve të përgjegjshëm të Universitetit të Elbasanit, kërkon nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve, nga zonja Nikolla, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Prokuroria e Elbasanit, nisjen pa asnjë vonesë të një procesi hetimor dhe kontrolli administrativ, pasi kemi të bëjmë me shkelje ligjore, të rregullores së universitetit, me abuzime dhe afera të ndyra korruptive. Stafi i përgjegjshëm dhe i papërlyer me afera të tilla, kërkon nga të gjitha institucionet ligjore të shtetit, marrjen e masave urgjente, për të zbuluar, ndaluar dhe dënuar këdo që ka futur duart tek paratë e taksapaguesve, për të ndëshkuar ligjërisht këdo që ka vënë pasuri të pamerituar dhe këdo që tenton të pengojë jo vetëm zgjedhjet në universitete, por edhe procesin e reformimit të tyre, bazuar në ligjin e “Arsimit të Lartë”, sado i mirë apo i keq qoftë ai. Ftojmë KLSH dhe Prokurorinë, të nisin kontrollet dhe të vazhdojnë hetimet për të zbuluar falsifikatorët e firmave në shkresat zyrtare të UE, që lidhen me tenderat dhe investimet e kryera deri sot. Elbasani i Normales, nuk mund të njolloset dhe nuk mund të përdhoset, pasi meriton më shumë, meriton drejtues dhe akademikë të shkolluar dhe jo pseudodrejtues dhe pseudoakademikë në Universitetin “A.Xhuvani”, që nuk kanë asgjë të përbashkët me reformatorët e angazhuar dhe kontribuesit  e rritjes cilësore të sistemit të arsimit të lartë.