Burg edhe për ata që premtojnë punë në këmbim të votës apo mbledhin kartat e identitetit

178

Ndryshimet në Kodin Penal për ashpërsimin e masave me qëllim parandalimin e shitblerjes së votës parashikojnë dënim edhe për ata persona që përfshihen në ofrimin e vendeve të punës në këmbim të votave, si dhe ata persona që mbledhin kartat e identitetit. Deputeti demokrat, Eduard Halimi ka sqaruar përmes një prononcimi për mediat se, nga banditi tek zyrtari dhe qytetari kush shet apo blen votën do të përfundojë në burg. Sa i takon ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, Halimi vlerëson se masat e marra do t’i japin fund praktikës së shitblerjes së votës. Ai shpreh bindjen se matja e cilitdo me sanksionet penale që e presin do të krijojë stepje. “PS ka refuzuar të miratonte këtë paketë ndryshimesh në Komisionin e Reformës Zgjedhore, përfshirë numërimin elektronik dhe votimin elektronik që u shtynë për në muajin shtator. Kodi Zgjedhor pamundëson dhe i jep fund një praktike që është kthyer në standard në Shqipëri, ku pushteti blen votën me para, ushqime, me premtime për vende pune. Merr pushtetin sërish, korruptohet sërish përmes pushtetit, mbledh para dhe shkon sërish në zgjedhje të blejë votën. Kjo paketë ligjore çon në burg të gjatë personat, të cilët tentojnë të blejnë votën me para qofshin zyrtarë apo banditë, qofshin këta me paratë e drogës apo korrupsionit, qoftë dhe paratë e xhepit. Dënon edhe atë person që shet votën. Dënon në mënyrë të ashpër edhe ata persona që premtojnë vende pune në këmbim të votës, mbledhin kartat e identitetit”, thekson deputeti demokrat. “Kjo është arsyeja që PD ka insistuar që Ministrinë e Brendshme të mos e kishte PS dhe ta kishte një monitorues i PD, një ekspert që përmbush të gjitha ato pritshmëri që kishte PD. Do të jetë Ministria e Brendshme, policia dhe të gjithë organet e tjera ligjzbatuese që do të bëjnë identifikimin e këtyre personave dhe çuarjen para ligjit. Çdo zyrtar apo person kur matet me sanksionin se nëse do të kryejë një veprim të tillë për hatër të shefit politik e pret një burg i gjatë, besoj se nga kjo do të stepet. Dhe një fushatë sensibilizuese do ta pasojë hyrjen në fuqi të ligjit, besoj nga KQZ”, bën të ditur Halimi. Në lidhje me rolin e ministrave të rinj, Halimi thekson se ministrat teknikë do të kenë rol të rëndësishëm në garantimin e zgjedhjeve të lira. “Qëllimi i qeverisë teknike apo ministrave teknikë është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të parandalohet që qeveria të përdorë burimet financiare, njerëzore për të manipuluar rezultatin zgjedhor. Kjo shmanget përmes marrëveshjes së arritur dhe ekzekutimit pikë për pikë të saj”, thekson Halimi. “Retorika politike përdoret për t’i ikur përgjegjësisë, argumentit dhe racionalitetit. Opozita ka kërkuar që procesi i reformës në drejtësi të jetë transparent, brenda standardeve kushtetuese dhe të pamundësojë kapjen politike pavarësisht se kush është ministër i Brendshëm, Fatmir Xhafaj apo është Dritani, është kryeministër Edi Rama apo është nesër kryeministër Lulzim Basha. Procesi i reformës në drejtësi duhet të udhëhiqet nga komisione të barabarta dhe të ketë mbikëqyrje të fortë ndërkombëtare, të shmanget kapja politike”, tha Halimi.

Masat ndëshkimore që do ndërmerren për shitblerjen e votës

Shitblerja e votës me para në dorë, ushqime dhe veçanërisht nëpërmjet vendeve të punës në administratë, ka qenë një nga armët më të forta elektorale, të shumë partive shqiptare. Nëpërmjet skemës, bli votën-merr pushtet, bëj para në pushtet me korrupsion-bli prapë votën, e kështu gjithmonë, një klasë e caktuar politike ka arritur të blindohet në pushtet dhe që zgjedhjet në Shqipëri të mos nxjerrin asnjëherë vullnetin real të popullit. Një nga pikat më të rëndësishme të marrëveshjes Rama-Basha ishte ajo për ashpërsimin e ndëshkimeve ligjore, për të gjithë ata që do të tentojnë të tjetërsojnë votën gjatë zgjedhjeve. Në funksion të kësaj, dje Parlamenti miratoi ndryshimet përkatëse në Kodin Penal, që radikalizojnë masat ndaj qytetarëve e nëpunësve të administratës shtetërore, që do të tentojnë të blejnë apo shesin votën gjatë fushatës zgjedhore. Burgu është fjala e vetme, që përmendet në këto ndryshime. Më konkretisht sipas ndryshimeve vepër penale do të quhet dhe dënohet: “Fotografimi, filmimi apo dokumentimi i votës përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet. Shkelja e rregullave që garantojnë fshehtësinë e votimit nga ana e personave të ngarkuar me zgjedhjet, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet. Ofrimi ose dhënia e parave, premtimi për vend pune apo favorizime të tjera në kundërshtim me ligjin në këmbim të votës, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Kërkimi ose pranimi nga zgjedhësi i parave apo të mirave materiale në këmbim të votës dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Pengimi i zgjedhësit për të votuar, duke i marrë apo dëmtuar dokumentin e identifikimit votuesit dënohet me burgim nga një vit deri në katër vjet. Kur kjo vepër kryehet më shumë se një herë, ndaj më shumë se një zgedhësi apo kur kryhet nga komisionerët zgjedhorë dënimi është me burgim nga tre deri në shtatë vjet. Shpërdorimi i autoritetit policor për të influencuar në votim dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Shpërdorimi i vendit të punës nga punonjësit e administratës shtetërore në favor të partive politike përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në tre vjet. Pjesëmarrja e punonjësve shtetëror në aktivitete të fushatës zgjedhore, në kundërshtim me ligjin dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet”.