Banorët e Valbonës i drejtohen gjykatës për të ndaluar HEC-et

72

Banorët e katër fshatrave në luginën e Valbonës i kanë kërkuar një gjykate në Tiranë të anulojë vendimet që lejojnë ndërtimin e hidrocentraleve, që sipas tyre do të shkatërrojnë lumin Valbonë. Me mbështetjen e OJQ-ve në Alpet shqiptare, banorët e luginës së Valbonës i janë drejtuar gjykatës në përpjekje për të përmbysur një vendim që miraton ndërtimin e dy hidrocentraleve në lumin Valbonë. Pas Vjosës dhe hidrocentralit të Poçemit, kjo është e dyta çështje e madhe mjedisore që i drejtohet gjykatës.
Që nga shkurti i vitit të kaluar, banorët e mbështetur nga grupe mjedisore dhe artistë kanë protestuar kundër vendimeve për të ndërtuar hidrocentrale në lumë, të cilat qeveria i ka vulosur në vitin 2009 dhe 2013. Ata thonë se ndërtimi i hidrocentraleve do të dëmtojë mjedisin dhe potencialin turistik të zonës së Alpeve shqiptare.
Protestat e tyre dhe diskutimet me qeverinë kanë rënë në vesh të shurdhët deri më tani dhe disa nga kompanitë koncesionare kanë filluar tashmë ndërtimin e hidrocentraleve pavarësisht kundërshtimit të fortë nga vendasit. Të martën, 27 banorë nga Rrogami, Valbona, Dragobia dhe Çeremi së bashku me OJQ-në Toka dhe lidhjen Të Shpëtojmë Alpet Shqiptare paraqitën në Gjykatën Administrative të Tiranës një padi.
Padia i kërkon gjykatës të anulojë kontratat për dy hidrocentralet që janë në proces ndërtimi në atë që përcaktohet si park kombëtar. “I kërkojmë gjykatës të anulojë kontratën e koncesionit dhe lejen mjedisore, lejen e ndërtimit dhe lejen e përdorimit të rezervave ujore”, shkruan deklarata e banorëve. Ata thonë se procedurat që Ministria e Industrisë, Ministria e Mjedisit dhe agjenci të tjera shtetërore kanë ndjekur kanë çuar në dhënie lejesh që janë shkelur në mënyrë flagrante.
“Në kundërshtim me ligjin e zonave të mbrojtura, institucionet e mësipërme kanë miratuar një projekt madhor ndërtimi në një zonë të mbrojtur turistike dhe mjedisore”, shkruhet në padi. “Ata kanë dhënë gjithashtu leje pa konsultim publik paraprak. Këto shkelin jo vetëm Kushtetutën dhe ligjet e vendit, por edhe Konventën e Aarhusit, ratifikuar nga Shqipëria në vitin 2000”, vazhdon padia. Konventa i jep njerëzve të drejtën të kenë lehtësisht informacion, të marrin pjesë efektivisht në vendimmarrjet e çështjeve mjedisore.
Ministria e Energjetikës dhe Industrisë nuk pranoi të komentonte për “BIRN” në lidhje me padinë. Catherine Bohne Selimaj, një banore e zonës që po çon përpara rezistencën i tha “BIRN” se, presin që seanca e parë dëgjimore të mbahet brenda dy javëve. Ajo tha se gjatë gjashtë muajve të fundit, ndërtimi i hidrocentraleve ka filluar dhe kompanitë kanë përdorur buldozierë dhe dinamit gjatë punës. “Tirana vazhdon të heshtë. Nuk mund të presim më për të ndaluar shkatërrimin e trashëgimisë sonë natyrore dhe të ardhmen ekonomike”, tha ajo.