90 ditët e protestës në çadër që bënë historinë

369

Armand MAHO

Dje ishte dita e fundit e çadrës së ngritur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga opozita. Partia Demokratike dhe aleatët e saj, arritën të shembin një tabu dhe natyrisht rolin kryesor e në gjithë këtë qëndresë e kish ajo çadër e bardhë e ngritur aty përballë Kryeministrisë që më datë 18 shkurt. Ndoshta asokohe askush nuk e mendonte se qëndresa e demokratëve do të zgjaste plot 90 ditë. Ditë e natë, në të ftohtin e shkurtit dhe reshjet e pambarimta të prillit. Ajo nuk mbeti asnjëherë bosh, sepse atë e mbushnin çdo ditë qytetarë nga Tirana e të gjitha rrethet e vendit. Një qëndresë e pashembullt, e cila gjatë 90 ditëve nuk theu asnjë xham, e nuk shkuli asnjë lule të vetme. Sepse të gjithë ata që përkrahën këtë qëndresë nuk ishin aty për të rrënuar, por për të garantuar një të drejtë, për ata dhe për të gjithë shqiptarët….

Ardhja e Bashës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha do të vinte rreth orës 19:15 minuta. Çadra e lirisë ishte e tejmbushushur, dhe lideri i opozitës nuk do e kish të lehtë të kalonte mes duarve që i zgjateshin dhe përqafimeve. Të gjithë e ndjenin veten fitimtarë, se arritën që një sistemi të ngritur mbi amoralitetin t’i përmbysin më shumë se gjysmën e qeverisë, të gjitha ato institucione që në të gjitha raportet janë shfaqur si problematike në zgjedhjet e kaluara. Përballja nuk ishte e lehtë. Përballë saj, opozita kish paratë e drogës, kish kriminalitetin, kish pengmarrjen që i është bërë shtetit nga krimi i organizuar. Por ama, e dinte se me vete kishte të gjithë ata që duan të ndëshkojnë me votë, të gjithë ata që nuk pranojnë që krimi dhe droga të diktojnë jetën e tyre. Prandaj kjo qëndresë do të hyjë në historinë e vendit si më e gjata dhe më paqësorja, që pas vitit 1991. Ishte një qëndresë  për idealin e votës së lirë, ishte një qëndresë dhe revoltë njëkohësisht që i adresohej të gjitha padrejtësive  që i janë bërë në këto katër vjet. Tungujt e muzikës ndalën, por sërish kryetari Basha nuk e kish të lehtë të fillonte fjalën e tij mes gjithë atij entuziazmi.  Të gjithë qëndronin në këmbë, dhe kameramanët e televizioneve luteshin që ata të uleshin. Një gjë të tillë e vuri re dhe kryetari Basha kur në fillim të fjalës do të shprehej “të nderuar kameramanë, mos u lusni kot për t’u ulur, se ata do qëndrojnë në këmbë, sepse fituesit ashtu qëndrojnë”… përgjatë të gjithë fjalimit të tij 90 minuta, askush nuk ulej. Dikush e ndiqte Bashën live dhe dikush nga monitori, një pjesë tjetër jo e vogël qëndronte jashtë, çadra ishte tepër e vogël për t’i nxënë… Rrinin jashtë sikur donin ta shihnin dhe një herë për herë të fundit, atë çadër të bardhë me flamurin kuq e zi në ballë të saj, e cila u bë shtëpia e tyre e dytë, shtëpia e qëndresës së tyre.

Mbyllet çadra por jo qëllimi

Protesta e filluar më 18 shkurt do mbahet mend gjatë. Do mbahet mend se si dinjiteti i një populli u përball me një regjim të egër të ngritur mbi korrupsionin, vjedhjen, trafikun dhe krimin. Ata burra e gra që rezistuan për 18 ditë kanë bërë histori. Punëtorët në orët e vona të natës nisën çmontimin e çadrës, por kjo sdo të thotë që ky është fundi i protestës. Nga dita e sotme nis një qëndresë tjetër, ndoshta më e madhe. Ajo e garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që ishte dhe qëllimi i nisjes së protestës së 18 shkurtit. Që askujt mos i mohohet kjo e drejtë, as qytetarit që jeton në mes të qytetit, dhe as atij që jeton në fshatin më të largët, as pasanikut dhe as atij që nuk ka të paguajë energjinë. Askush në këtë vend përpara varfërisë nuk ka pse i blihet shpresa për një grusht para apo një thes me miell. Askush i detyruar nga skamja, ska pse e shet të ardhmen e fëmijëve të tij, përpara pushtetit, i cili manipulon për t’u  pasuruar më shumë. Në zgjedhjet e 25 qershorit, të gjithë shqiptarët duhet të ecin në një hap, sepse ky vend është dhe i atij që është i kënaqur, por dhe i atij që jeton në varfëri, por shpreson për një ditë më të mirë. Dhe kjo ditë smund të vijë duke shkelur barazinë e votës. Sepse ajo është themeli i zhvillimit.

Kronika e një Pakti që nisi me protestën e 18 shkurtit

Ngritja e çadrës së opozitës do të lajmërohej më 18 shkurt 2017, pas një proteste të organizuar nga opozita shqiptare me rastin e rënies së bustit të diktatorit. E megjithatë rezistenca e opozitës do kalonte  një kalavar të gjatë vështirësish. Fillimisht, Rama do të angazhonte të gjithë kakofoninë mediatike që ai përdor për ta zhvlerësuar aksionin opozitar, madje u angazhua dhe vetë personalisht. Megjithatë, lideri demokrat Basha nuk u dorëzua. Dekreti i Presidentit kish përcaktuar datën 18 qershor, si datë zgjedhjesh, dhe vetë Basha do përsëriste disa herë se zgjedhje pa opozitën nuk do të kishte. Rama nuk do të pranonte të ulej në dialog për zgjidhjen e krizës, duke aluduar se opozita po e përdor protestën për të bllokuar komisionet e vettingut, çka nuk rezultoi e vërtetë.  Kreu  PD Basha, përgjatë gjithë kohës do  mbante fjalën dy herë në ditë në çadër, ndërkohë që vëmendja mediatike ishte jo e vogël, megjithë përpjekjet e Ramës për ta bllokuar. Afatet po kalonin, dhe ende nuk ishte një zgjidhje, ndërsa presioni po shtohej për të dyja palët.  Paratë e drogës kishin lobuar fuqishëm dhe me ndërkombëtarët, por Basha  kish vendosur të mos tërhiqej përpara çdo presioni. Kjo vazhdoi deri më 25 prill, kur në Shqipëri mbërriti misioni evropian i kryesuar nga dy gjermanë, David McAllister i CDU-së dhe Knut Flankeshtajn i Socialdemokratëve. Në tryezë u la një plan me pesë pika që u quajt paketa McAllister,  por Basha nuk e pranoi. Sipas asaj çka pranoi më pas, Rama kish propozuar që ministrat mos ishin teknikë, por të zgjedhur nga ai dhe të pranuar nga opozita. Një zgjidhje gjysmake. Prova e forcës do ishte 7 maji, dhe zgjedhjet e Kavajës. Sërish Basha pati deklaruar se zgjedhje në Kavajë nuk do të ketë, ndërkohë që  ekranet mbusheshin me revanshin e kryeministrit, i cili përsëriste pareshtur se do i zhvillonte zgjedhjet i vetëm atje. Gjendja dukej sikur po shkonte drejt agravimit, ndërkohë që opozita kish thirrur një protestë masive më 7 maj, pikërisht ditën e zgjedhjeve ku garonte vetëm kandidati i mazhorancës për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve farsë. Kryeministri do të tërhiqej një ditë më parë nga ky vendim, ndërsa opozita do e zhvendoste protestën e saj më 13 maj. Çadra vazhdonte të përcillte mesazhe, ndërsa më 9 maj, Presidenti i Republikës tenton thirrjen e një treyze, por pa rezultat. Katër ditë më vonë, populli do të mbushte Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në një protestë tjetër paqësore, të ngjashme me ato të kohës kur u rrëzua diktatura. Ndërkohë ishte lajmëruar dhe ardhja në Tiranë e Zëvendësndihmës Sekretarit të Shtetit Hoyt Brian Yee, që do i shtonte paktës McAllister dhe 16 pika të tjera, që shtonin garancitë në zgjedhje. Fillimisht Rama dukej sikur e refuzoi këtë paketë, por me sa duket mesazhi këtë herë ishte i qartë. Të nesërmen, Basha do të deklaronte se ishte dakort me paketën MCallister plus, ndërsa  më datë 17 maj do të thirrej një treyzë nga PAA dhe PR. Fillimisht, Rama refuzoi, por më pas u shfaq në dyert e Kryesisë së Kuvendit. Pas një takimi kokë më kokë prej tre orësh me Bashën, rreth orës 1:15 të mbrëmjes u arrit që të bihej dakort në parim për marrëveshjen, e cila do të finalizohej më datë 18 maj, pas plot 90 ditë qëndrese në bulevard.

Kush janë ministrat dhe drejtorët që lenë postet

Posti i zv/Kryeministrit dhe 6 ministri të rëndësishme që do përfaqësohen me ministra teknikë sipas marrëveshjes së arritur Rama-Basha për zgjedhjet parlamentare të 26 qershorit. Postet që do të propozohen nga opozita të jenë emra teknikë (jo politikë). Ministrat e rinj do të votohen në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare gjatë këtyre ditëve, ku do të votohet edhe vettingu nga të gjitha palët politike. Kush janë ministrat që do të lenë postin: Zv/Kryeministri Niko Peleshi, i emëruar në këtë detyrë në shtator 2013. Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i emëruar në këtë detyrë në 23 mars 2017. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e emëruar në shtator 2013. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e emëruar në këtë detyrë në 23 mars 2017. Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Olta Xhaçka, e emëruar në këtë detyrë në 23 mars 2017. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj i emëruar në këtë post në shkurt 2016. Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili, i emëruar në këtë detyrë në shkurt 2017. Sipas marrëveshjes, spikat kalimi me ministër teknik i Ministrisë më të rëndësishme, ajo e Brendshme. Nga ana tjetër edhe një sërë drejtorësh do të duhet të lënë postet e tyre, siç është drejtori i OSHE-së, Ardian Çela apo kreu i ALUIZNIT Artan Lame. Sipas marrëveshjes, opozita do të drejtojë edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Hipotekave. Aktualisht, këtë post e drejton Ilirjan Muho nga LSI-ja. Drejtori i Burgjeve Miklovan Kopani do t’i duhet t’ia lërë drejtimin e institucionit një drejtuesi teknik i përzgjedhur nga opozita, e po kështu demokratët do të marrin drejtimin edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor Rural, drejtuar deri më tani nga Suela Popa.