764 milionë lekë vjedhje, KLSH padit kryebashkiakun e Himarës

301

Kryetari socialist i Bashkisë Himarë, Jorgo Goro dhe 13 punonjës të tjerë të këtij institucioni janë kallëzuar në Prokurorinë e Vlorës nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, pasi kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej 764 milionë lekë. Gjatë auditimit të kryer në Bashkinë Himarë dhe ish-Komunat Lukovë dhe Horë-Vranisht për periudhën 1 korrik 2014 deri më 31 dhjetor 2016, KLSH ka konstatuar shkelje në fushën e menaxhimit dhe zbatimit të buxhetit, lidhur me likuidimin e pagesave për punë të pakryera, në fushën e procedurave të Prokurimit Publik, në zbatimin e punimeve si edhe në fushën e tatim-taksave.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar pranë Prokurorisë së Rethit Gjyqësor Vlorë, kryetarin e Bashkisë Himarë Jorgo Goro, drejtorin e Planifikimit, Zhvillimit dhe Kontrollit të Territorit, drejtorin e Shërbimeve dhe Mirëmbajtjes, Përgjegjësin e Zyrës Juridike, 3 anëtarë të Njësisë së Hartimit të Dokumenteve të Tenderit, 6 anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe 2 Mbikëqyrës Punimesh, nën akuzën “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike si dhe shpërdorim të detyrës.
Në raportin e KLSH thuhet se, Kontrolli i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 1233/1, datë 15.12.2016, ndryshuar me nr. 1233/2, datë 31.01.2017, ka përfunduar auditimin në Bashkinë Himarë dhe Njësitë Administrative, ish-Komunat Lukovë dhe Horë-Vranisht për periudhën 01.07.2014 deri më 31.12.2016, me objekt: “Auditimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare”. Me Vendimin nr. 37, datë 29.04.2017 të kryetarit të KLSH-së, është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe me shkresën nr. 1233/15, datë 30.04.2017, me qëllim përmirësimin e gjendjes i janë rekomanduar Bashkisë Himarë masa me karakter organizativ në lidhje me eliminimin e praktikave që kanë sjellë impakt negativ në buxhet në vlerën 341.3 milionë lekë dhe masa për shpërblimin e dëmit ekonomik të shkaktuar në vlerën totale 76.4 milionë lekë.
Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi, në fushën e menaxhimit dhe zbatimit të buxhetit, lidhur me likuidimin e pagesave për punë të pakryera, në fushën e procedurave të prokurimit publik, mbi përcaktimin e kritereve konkuruese për marrjen pjesë në prokurime, në vlerësimin e ofertave ekonomike, në zbatimin e punimeve, në fushën e tatim-taksave, si dhe në ruajtjen e administrimin e dokumenteve e konkretisht për:
Në 9 procedura të Prokurimit Publik, NJHDT ka vendosur kritere diskriminuese apo kritere, të cilat nuk i përkasin vlerës apo rëndësisë së prokurimit, duke kufizuar pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë dhe duke ulur konkurrencën, si dhe KVO ka shpallur fitues operatorët  ekonomikë, të cilët nuk plotësojnë kriteret e veçanta për kualifikim të miratuara në DST, duke i kualifikuar këta operatorë në po të njëjtat kushte me operatorët e s`kualifikuar, në shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera, si dhe veprime me impakt negativ në buxhet për procedurat e prokurimit të shpallura fituese në vlerën 341,2 milionë lekë dhe favorizim me pa të drejtë të operatorëve ekonomikë, të cilët nuk garantojnë cilësinë e investimit të prokuruar, me një dëm ekonomik në shumën 21,9 milionë lekë, shkaktuar nga diferenca e vlerave të ofertave ekonomike, veprime në kundërshtim me Ligjin Nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, të ndryshuar dhe VKM nr. 914 datë 29.12.2014 “Për Miratimin e Rregullave të Prokurimit Publik”.
Praktikat e përmendura i takojnë 9 objekteve të prokurimit: “Shëtitorja Qeparo Faza II”; “Rrjeti i jashtëm i ujësjellësit me vetëderdhje i fshatit Palasë dhe i komplekseve turistike”; “Rehabilitim i qendrës së fshatit Borsh”; “Rehabilitim urban i sheshit të Lukovës”; “Shërbimi i pastrimit Himarë”; “Shërbimi i pastrimit në Njësinë Administrative Lukovë”; “Rikonstruksion i kanalit Ujitës Vranisht Tërbaç”; “Ndërtimi i ujësjellësit Bolenë”; “Ura në rrugën Kondraqe – Qendër – Kallam – Lagja Gjilekë – Dhërmi”.
KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga J.G. me detyrë kryetar i Bashkisë Himarë, në cilësinë e Titullarit të Autoritetit Kontraktor, K.K. me detyrë Inspektor i Vlerësimit dhe 13 zyrtarëve të tjerë si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas Ligjit Nr. 7895, datë 27.01.1995, Kodi Penal.