11 pikat që i duhen marrëveshjes

87

Ylli MANJANI

Marrëveshja e minutës së fundit për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve ishte gjëja e duhur!
Zgjedhjet pa opozitën nuk mund të bëheshin- e kemi stërthënë e stërshkruar! Ndaj shumë mirë që u arrit kjo gjë!
Por vendi ka nevojë për transformim rrënjësor të mënyrës se si bëhet politikë! Arroganca, mosdhënia llogari, sundimi në vend të qeverisjes e të tjera si këto kufizohen dhe reduktohen vetëm me reformën politike.
Po rendis më poshtë disa ide se çfarë mund të bëhet për të ndryshuar situatën. Qëllimi është të mos përsëritet më kjo lloj krize, që më së shumti vjen si reagim ndaj arrogancës.
1. Parlamenti duhet të vendoset mbi qeverinë, domosdoshmërisht!
2. Duhet të kemi një President balancues pushteti, të zgjedhur nga populli ose duhet të krijojmë dhomën e senatit, si filtër krizash.
3. Kryeministri nuk mund të qëndrojë në detyrë më shumë se 8 vjet. Pra, jo më shumë se dy mandate të njëpasnjëshme.
4. Deputetët të zgjidhen drejtpërdrejt nga populli, njëkohësisht partitë përfaqësohen proporcionalisht. (sistemi zgjedhor gjerman e realizon këtë gjë).
5. Votimi dhe numërimi elektronik, por në qendrën e votimit, është mjeti që depolitizon menaxhimin e zgjedhjeve.
6. Duhet të ndalohen koalicionet para zgjedhore.
7. Koalicionet qeverisëse post zgjedhore, që bëhen për ndarje postesh në administratë, të jenë të dënueshme penalisht!
8. Duhet të hiqet trajtimi “preferencial” procedural kur hetohen zyrtarët e lartë të shtetit!
9. Duhet të mbrojmë me ligj statusin e opozitës dhe të karrierës së politikanit.
10. Asnjë vendim që prek buxhetin, borxhin publik apo pasurinë publike që ka efekt jashtë mandatit të qeverisë nuk mund të merret pa u ratifikuar në Parlament.
11. Asnjë qindarkë nga paratë publike nuk mund t’i jepen medias.
Pa dyshim që kjo listë nuk mbaron këtu. Ka të tjera gjëra që duhen bërë, veçanërisht për rivendosjen e vlerës së fjalës në politikë.
Por vlerësoj si më të rëndësishme këto pika që parashtrova.
Insistoj, duhet të reformojmë politikën që të kenë efekt reformat e tjera!