10 tendera mbi 15 miliardë lekë nga bashkitë e Ramës në vetëm një muaj

57

Në prag të zgjedhjeve parlamentare, bashkitë e Ramës po kujdesen të zhvasin sa më shumë para përmes shpalljes së tenderave që i kalojnë 100 milionë lekët secili. Sipas të dhënave të nxjerra nga Open Data rezulton se në vetëm një muaj, përgjatë muajit prill, nga bashkitë e majta janë shpallur 10 tendera, vlera e të cilave shkon në mbi 15 miliardë lekë. Kjo sasi e madhe tenderash prej miliarda parash vilet në një kohë kur vendi do të shkojë në zgjedhje parlamentare duke u përgatitur kështu për blerjen masive të votave, traditë tashmë kjo e partisë në pushtet. Nga data 1 e muajit prill, ndër 61 bashki janë shpallur 10 tendera me vlera mbi 100 milionë lekë. Asnjëri tender ndër bashki të djathta. Konkretisht për muajin prill, Bashkia Tiranë ka shpallur dy tendera, me vlerë 3.1 miliardë lekë. Një tender prej 2.5 miliardë lekësh ka të bëjë me ndërtimin e një piste vrapimi, ndonëse një e tillë aktualisht ekziston. Ndërsa një tender tjetër, prej 1.6 miliardë lekësh për një rikualifikim urban. Elbasani është një tjetër bashki, e cila gjatë muajit prill ka shpallur një tender prej 1.1 miliardë lekësh gjithashtu për një rikualifikim urban. Me fiks të njëjtën vlerë dhe me të njëjtën objekt, edhe Bashkia Fier ka shpallur një tender me vlerë 1.1 miliardë lekësh. Edhe gjashtë bashki të tjera të majta, Kavaja, Rrogozhina, Himara, Divjaka, Roskoveci e Kuçova kanë shpallur tendera për shtrim e rikonstruksion rrugësh, secili prej të cilëve mbi 1.2 miliardë lekë.

Abuzimet me tenderat

Numri i tenderave të kontestuar shënoi një rritje të ndjeshme gjatë vitit të kaluar, duke sinjalizuar se, institucionet publike kanë rritur dozën e abuzimeve financiare. “Gjatë periudhës 1 janar 2016–31 dhjetor 2016, janë regjistruar dhe marrë në shqyrtim pranë Komisionit të Prokurimit Publik 1,393 ankesa në total, për prokurimet publike, koncesionet, lejet minerare dhe ankandet ose 19.4 për qind më shumë se një vit më parë”, deklaroi KPP në raportin vjetor të vitit 2016. Por rritja e numrit të ankesave nuk është treguesi i vetëm, i cili dëshmon se abuzimet me paratë e taksapaguesve janë rritur. Një tjetër indikator shqetësues është edhe pjesa e tenderave, koncesioneve apo ankandeve që konstatohen me shkelje. Sipas KPP, gjatë vitit që shkoi, nga 1393 ankesat e shqyrtuara rezultoi se vetëm 40 për qind ishin tendera të rregull, ndërsa 60 për qind e tyre kishin shkelje serioze të ligjit, duke çuar në deformimin e rezultatit, por edhe rritjen e kostove për qytetarët. Gjatë kryerjes së veprimtarisë së tij, Komisioni i Prokurimit Publik për vitin 2016, në shumë raste ka konstatuar paligjshmëri në veprimet apo mosveprimet e autoriteteve kontraktore dhe për rrjedhojë ka vendosur anulimin plotësisht ose pjesërisht të tenderave. Në një pjesë të rasteve për këto shkelje, Komisioni ka kërkuar edhe nisjen e hetimit administrativ nga ana e Agjencisë së Prokurimit Publik. Sipas raportit në 11 për qind të tenderave janë shkelur procedurat ligjore. Për këto raste, Komisioni ka kërkuar anulimin e tenderit apo ankandit. Për 41 për qind të rasteve, Komisioni i Prokurimit ka kërkuar nga autoriteti kontraktor të bëjë rivlerësimin e procedurës për shkak të shkeljeve në vlerësim, por edhe gjatë hartimit të tenderit.

Afera dhe shkelje për të zhvatur taksat tona

Institucionet në vend dhanë gjatë vitit 2016 rreth 80 milionë dollarë për tendera që u negociuan pa shpallje paraprake dhe jo përmes procedurës elektronike. Është kjo shifra e dhënë në raportin vjetor të Agjencisë së Prokurimit Publik. Kjo shifër është e barabartë me atë të një viti më parë. Në numër pocedurash, prokurimet me negocim kapin shifrën 2186. Sipas analizës së bërë nga agjencia thuhet se rreth 25% e procedurave me negociim pa shpallje paraprake të njoftimit të zhvilluara gjatë periudhës prill-dhjetor 2016 kanë të bëjnë me shtesa kontratash dhe nuk janë procedura të reja, por janë të lidhura me një procedurë konkurruese të zhvilluar më parë duke rritur artificialisht numrin. Por cilat janë të dhënat e tjera të raportit lidhur me prokurimet e përgjithshme? Në total janë prokuruar 108 miliardë lekë, por fondi limit i procedurave të fituara është 95 miliardë lekë. Një ndër elementët që bie në sy është edhe ai për blerjet e vogla deri në 200 mijë lekë. Nga të dhënat rezulton se në krahasim me vitin 2015 ku janë zhvilluar gjithsej 19 828 procedura prokurimi me vlerë të vogël, gjatë vitit 2016 ka pasur një rënie të numrit të tyre me 17 010 procedura gjithsej të përfunduara me njoftim fituesi. Ndërkohë, e njëjta tendencë vihet re edhe po të krahasojmë vlerat, fondi i prokuruar me këtë lloj procedure gjatë vitit 2016 ishte 7,535,592,143, kurse në vitin 2015, 10 miliardë lekë.

Si po e shkatërron Veliaj identitetin e Tiranës

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj njoftoi dje se sheshi “Skënderbej” do të inaugurohet më datë 10 qershor. Gjatë një takimi me qytetarë në Parkun e Liqenit, ku ishte i pranishëm dhe Kryeministri Rama, zoti Veliaj sqaroi: “Sheshi ka dalë shumë bukur. Këtë javë do të testojmë shatërvanët, të shikojmë sa mirë funksionojnë. Kemi mbjellë shumë pemë rreth e rrotull, do të ketë një pjesë me hije me pemë, një pjesë e kemi mbjellë vetëm me ullinj, një pjesë me pemë frutore. Është vend fantastik nëse keni biçikleta, patina. Është e pjerrët dhe po të hipësh në majë, më pas mund të rrëshkasësh”. Kryebashkiaku Veliaj deklaroi në dhjetor 2015 se së shpejti do të nisnin punimet për zbatimin e projektit të ish-kryebashkiakut Rama për Sheshin Skënderbej. Projekti i miratuar në vitin 2008 është hartuar nga studioja belge “51N4E” dhe Anri Sala, një nga miqtë më të afërt të Kryeministrit Rama. Sipas projektit Sheshi Skëndërbej do të kthehej në një hapësirë vetëm për kalimtarë. Në të parashikohej ndërtimi i një piramide gjigante, por të ulët, që fillon ngritjen e ngadaltë nga anët e sheshit drejt qendrës së tij, ku do të arrijë lartësinë 1,5 m. Për të zbutur masën gjigante të betonit, në disa vende të sheshit do të mbillen pemë gjelbëruese në lulishte të ndryshme. 41 mijë m² sipërfaqe që aktualisht është shesh dhe trotuare do të shtroheshin me gurë natyralë me trashësi 10-12 centimetra. Këto gurë do të merreshin nga të gjitha krahinat shqiptare. Asnjë projekt arkitekturor dhe komponentët e projektit nuk u bënë publikë për qytetarët, përveç disa imazheve kompjuterike. Kjo ndoshta dhe për faktin se projekti do të pësonte disa ndryshime me kalimin e kohës. Kështu, në gusht 2016, në mënyrë të beftë Kryeministri Rama “njoftoi” me Facebook se në Sheshin Skënderbej do të ndërtohej edhe një parkim i madh nëntokësor. Njoftimin prej disa fjalësh, ai e shoqëroi me disa foto render të parkimit, dukshëm të zbukuruara pasi ndër të tjera paraqisnin pemë nëntokësore. Në shtator 2016, Bashkia Tiranë filloi rrethimin e Sheshit Skënderbej për të nisur punimet për rindërtimin e tij. E gjithë sipërfaqja u rrethua me rendera të printuar që shfaqnin se si do të ndryshonte sheshi. Në asnjë prej fotove nuk tregohej një tjetër “ndryshim” që do të ndodhë në Sheshin Skënderbej: ndërtimi i një kulle 111 metra të lartë në krah të Hotel Tiranës. Projektkulla në krah të Hotel Tiranës përforcon idenë se Kryeministri Rama ka vendosur që, në mënyrë arbitrare dhe të paligjshme, të çojë përpara idetë e planit francez. Plani francez parashihte 10 kulla të larta- mbi 81 metra secila, afërsisht 20-25 katëshe -të cilat do të vendoseshin përqark Sheshit Skënderbej dhe anash aksit të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Plani francez u miratua në vitin 2010, por zbatimi i tij u ndërpre nga humbja e bashkisë nga zoti Rama. Pas ardhjes në pushtet në vitin 2013, zoti Rama ka rinisur përpjekjet për ndërtimin e kullave të larta që kishte dëshiruar që në krye të herës. I gjithë rikualifikimi i Sheshit Skënderbej, përfshirë dhe ndërtimi i parkimit nëntokësor, është kryer nga kompania “Fusha” shpk dhe ka kushtuar rreth 12,6 milionë euro. Ky projekt është kthyer tashmë në një nga ndërhyrjet më të kushtueshme arkitektonike në qytet. Kjo ka ndodhur dhe për faktin se e njëjta kompani është shpallur fituese në tri tendera (dy për rikualifikimin e sheshit dhe një për parkimin nëntokësor) duke paraqitur ofertën pothuaj të njëjtë me fondin maksimal të vënë nga buxheti i shtetit. Inaugurimi i këtij projekti është vetëm një nga disa projektet që zoti Rama ka vendosur të zbatojë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga Sheshi Skënderbej tek sheshi “Nënë Tereza” —të cilat do ta ndryshojnë qendrën e Tiranës rrënjësisht. Karakteri dhe identiteti i saj i dikurshëm do të humbasë, duke u zëvendësuar apo plotësuar me vizionin dhe shijet e Kryeministrit Edi Rama për qendrën e Tiranës.