Trump: “Sulmi në Siri është turp për njerëzimin”

129

Presidenti Donald Trump tha se sulmi me armë kimike në Siri ishte “një fyerje për njerëzimin”. Ai i bëri komentet ndërsa ulej për bisedime në Shtëpinë e Bardhë me mbretin e Jordanisë Abdullah.
I pyetur nga gazetarët nëse SHBA do të ndërmerrnin veprime, ai tha: “Këtë do ta shihni”, pa dhënë hollësi të tjera.
Një ditë më parë zoti Trump bëri një deklaratë me shkrim ku e denonconte sulmin si “akt i dënueshëm”, që “nuk mund të injorohej nga bota e qytetëruar”.
Në një konferencë të përbashkët shtypi me Mbretin Abdullah, zoti Trump tha se qëndrimi i tij rreth Presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad dhe Sirisë ka “ndryshuar shumë”.
Ai përsëriti akuzat se administrata Obama bëri një “kërcënim bosh” për qeverinë e Asadit, kur tha se përdorimi i armëve kimike do të rezultonte në pasoja.
Presidenti Trump tha se “nuk ishte një nga ditët tona më të mira për ne si vend”, kur administrata e mëparshme dështoi të vepronte.
Ai pohoi se tani “këtë përgjegjësi e kam unë” dhe se “unë do ta kryej atë me krenari”.

Takimi me Mbretin Abdullah në Uashington
Axhenda e takimit në Shtëpinë e Bardhë me Mbretin Abdullah përfshinte, veç sulmit me armë kimike në Siri edhe diskutime për mundësinë e rigjallërimit të bisedimeve izraelito-palestineze të paqes.
Monarku jordanez dhe presidenti i ri amerikan patën një takim të shkurtër gjatë mëngjesit të lutjes në Uashington në muajin shkurt, por bisedimet mes tyre pritet të jenë më thelbësore. Përveç diskutimeve private, dy udhëheqësit do të kenë një konferencë të përbashkët shtypi dhe një drekë pune.
Mbreti i Jordanisë, i cili luan rolin e një emisari të botës arabe, sjell mesazhin e një interesimi të ri për një marrëveshje paqeje me Izraelin, që do të përfshinte njohjen e shtetit hebre nga vendet arabe dhe myslimane, në shkëmbim të krijimit të një shteti të ri palestinez në Bregun Perëndimor, Gazë dhe Jeruzalemin Lindor.
Në një takim të nivelit të lartë javën e kaluar, udhëheqësit arabë ripërtërinë ofertën që i kishin bërë fillimisht Izraelit në vitin 2002, por Izraeli ka refuzuar të tërhiqet nga vendet e pushtuara në Luftën Gjashtëditore të vitit 1967.