Tarifat e arsimit, INSTAT zbulon mashtrimin e Lindita Nikollës

115

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar në Facebook lidhur me rritjen e tarifave për arsimin e lartë. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dy javë më parë publikoi raportin mbi rritjen e të ardhurave në buxhet nga arsimi i lartë. Sipas shifrave të publikuara rezulton se rritja e të ardhurave nga rritja e tarifës për regjistrim ka sjellë në buxhetin e shtetit 3 herë më shumë të ardhura nga pritshmëria e planit. Ministrja Lindita Nikolla reagoi duke i mohuar këto shifra, duke ripërsëritur se sipas saj tarifat nuk janë rritur. Por një tjetër insitucion shtetëror ka publikuar raportin për tarifat e shkollimit. Deputetja Tabaku, shkruan se sipas të dhënave zyrtare të INSTAT këto tarifa janë rritur nga 30-100%, ku ka bashkëngjitur tabelat për secilën degë. “Ministrja e Arsimit u shpreh sot se nuk ka pasur rritje tarifash nga 2014 dhe se për vitin 2017 dhe vitin 2018 nuk do të kemi rritje tarifash. Sipas shifrave të marra nga INSTAT, tarifat e shkollimit të Arsimit të Lartë janë rritur që nga shtatori 2013 e më tej. Siç mund ta shihni nga tabela bashkëngjitur, vihet re rritja e tarifave në secilën degë. Rritje që varion nga 30% deri në 100%. Ndërkohë, vitin e ardhshëm akademik do të hyjë në fuqi plotësisht ligji i ri për arsimin e lartë dhe universiteteve do të vazhdojë t’iu kërkohet t’i rrisin pagat me të ardhurat e tyre (siç iu është kërkuar tashmë), të bëjnë investime nga të ardhurat e tyre, të marrin pedagogë me të ardhurat e tyre e këto shpenzime e të gjitha do të vijnë nga tarifat e rritura! Machiaveli thotë ‘Nëse gënjen, gënje fort, shumë dhe shpesh. Kështu të gjithë, edhe ata që e dinë të vërtetën, do të fillojnë të dyshojnë tek vetja’”.