Si Sorosi me taksat e amerikanëve konsolidoi pushtetin në Kolumbi

213

Lia Fowler

Në një letër të kohëve të fundit drejtuar sekretarit të Shtetit Rex Tillerson, gjashtë senatorë amerikën kërkuan që të niste një hetim për të zbuluar nëse Agjencia Ndërkombëtare e Zhvillimit të Shteteve të Bashkuara (USAID) ishte duke promovuar politikat e majta të Fondacionit Open Society përtej vendit. Zyrtarët e Departamentit të Shtetit nuk e trajtuan me rëndësinë e nevojshme kërkesën, por nëse Tillerson do të vendosë vërtet ta nisë hetimin, do të duhet të shohë përtej Kolumbisë.
Vendi i Amerikës së Jugut ofron prova të shumta që tregojnë se paratë e taksapaguesve amerikanë janë duke u përdorur për të avancuar axhendën e Xhorxh Sorosit, të gjitha nën sloganin e “paqes”. Në nëntor të vitit 2016, presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos, firmosi “marrëveshjen e paqes” me grupin narkoterrorist marksist FARC. Edhe pse kolumbianët e kishin refuzuar marrëveshjen më parë me referendum, Santos dhe Kongresi – i kontrolluar nga partia e tij – gjetën një shteg ligjor për ta ratifikuar atë dhe për ta ngritur kështu mbi Kushtetutën e vendit.
Rezultati është që Santos tashmë e drejton vendin praktikisht i vetëm, duke i dhënë llogari vetëm komisionit mbikëqyrës, një juntë që përbëhet nga tre terroristë, tre mbështetës të Santosit dhe disa vëzhgues të jashtëm. Ndarja e pushteteve është zhdukur dhe tribunali i ri i paqes, i njohur si “Jurisdiccion Especial para la Paz” ka zëvendësuar gjykatat e vendit.
Ky akt për të injoruar Kushtetutën e Kolumbisë u mbështet nga shumë grupe të tjera interesi, përfshirë edhe vendet skandinave dhe Komiteti Nobel që i dha Santosit Çmimin Nobel të Paqes.
Jashtëzakonisht mbështetëse ishte edhe administrata e ish-presidentit Obama – pjesërisht përmes USAID-it – si dhe organizatat joqeveritare të Sorosit, të cilat punuan bashkërisht për të pastruar imazhin, mizoritë dhe pasurinë e kartelit të kokainës më të madh të botës. Muajin e kaluar pyeta një zyrtar të USAID-it nëse USAID-i dhe Open Society ishin duke bashkëpunuar në situatën e Kolumbisë. “USAID-i nuk është duke financuar aktivitetet e Open Society në Kolumbi, drejtpërdrejt apo përmes çdo mekanizmi tjetër”, u përgjigj ai. Por nëse gërvishtim sipërfaqen e aktiviteteve të USAID-it, mund të lexojmë një tjetër histori.
Për shembull, Verdad Abierta, një portal i krijuar nga Teresa Ronderos, drejtuese e Programit të Open Society në Gazetarinë e Pavarur, tregon me krenari në faqen e saj se përfiton mbështetje nga USAID-i. Abierta ka dhënë ndihmën e saj për të rishkruar historinë e Kolumbisë, duke i lartësuar terroristët në të njëjtin nivel me forcat e policisë dhe ato ushtarake, si dhe duke mbuluar dekada të tëra masakrash, rrëmbimesh, kthimit të fëmijëve në ushtarë dhe trafikimit të drogës nga një sindikatë kriminele, duke i quajtur ato thjesht “50 vite konflikt i armatosur”.
Fondacioni “Ideas para la Paz” dikur i drejtuar nga negociatori i paqes, Sergio Jaramillo, tani anëtar i juntës mbikëqyrëse, është themeluar nga Open Society dhe ka përfituar plot 200 mijë dollarë nga paratë e taksapaguesve amerikanë. Portali i majtë i lajmeve “La Silla Vacia”, një tjetër iniciativë e Open Society, është gjithashtu përfituese e fordeve të USAID-it. Reporteri kryesor, Rodrigo Uprimny, OJQ-ja e të cilit “DeJusticia” është gjithashtu partnere e USAID-it dhe Open Society, konsiderohet si një prej arkitektëve të marrëveshjes së paqes.
Terroristi i ish-Ushtrisë Çlirimtare, Leon Valencia – bashkëpunëtor i Open Society – ka përfituar të paktën 1 milion dollarë nga fondet e USAID-it përmes OJQ-ve “Corporacion Nuevo Arco Iris” dhe “Paz y Reconciliacion”, si dhe nga portali i lajmeve të majta “Las Dos Orillas”, në të cilin është bashkëthemelues.
Lista vazhdon më gjatë. Ekziston një histori e gjatë e bashkëpunimit ndërmjet OJQ-ve të themeluara nga Sorosi dhe Departamentit të Shtetit amerikan për të shkelur institucionet kolumbiane, veçanërisht përmes Human Rights Ëatch. Ndërkohë që terroristët shpërblehen me karrige në Kongres dhe nuk ndëshkohen, ata që luftuan kundër tyre, ose dëshmojnë për krime që nuk i kanë kryer ose përfundojnë në burg.
Arritja më e madhe e Sorosit është se pesë komisionerët e zgjedhur për të emëruar gjyqtarët për tribunalin e ri të paqes, janë figurat kryesore të rrjetit të Sorosit. Kam kontaktuar edhe një herë USAID-in për të pyetur edhe një herë në lidhje me këto figura. Zyra e shtypit refuzoi të kthente përgjigje, por një zëdhënës lëshoi një deklaratë: “USAID nuk financon asnjë aktivitet përmes Open Society në Kolumbi”. Për të kuptuar qëllimin e plotë të USAID-it dhe bashkëpunimit me Open Society nevojitet një hetim qeveritar. Kontratat më të mëdha të USAID-it janë marrëveshjet me organizata që nuk janë aspak transparente.
Shembulli i parë është Chemonics. Kontraktori i USAID përfitoi mbi 20 milionë dollarë vetëm gjatë vitit 2015. Një pjesë e tyre, edhe pse USAID-i e mohon, janë shpenzuar për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet minatorëve ilegalë në Segovia, Antioquia dhe Gran Colombia Gold. Edhe pse përfitimet mjedisore nuk janë aspak të qarta, kompanitë kanë përfituar shumë nga fuqia punëtore e trajnuar për të vjedhur flori, gjithçka e paguar me paratë e taksapaguesve amerikanë.
Një nga aksionerët më të mëdha të Gan Colombia është Frank Giusta, i besuari i Sorosit dhe i Grupit Ndërkombëtar të Krizës të financuar nga Sorosi. Gjashtë senatorët amerikanë kanë të drejtë që kërkojnë një hetim të plotë për programet e USAID-it. Hetimi duhet të nisë në Kolumbi.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI