Rriten me 60 lekë për litër karburantet nga taksa e re

140

Çmimi i naftës është rritur sërish në Shqipëri. Një litër shitet mes 170 dhe 174 lekë, nga 168 që tregtohej një javë më parë. Arsyeja, sipas Shoqatës së Hidrokarbureve, është e njëjta: është rritur çmimi i naftës në bursë.
Aktualisht Shqipëria është mes 35 vendeve me çmimin më të shtrenjtë të naftës në botë.
Por vala e rritjes nuk do të përfundojë këtu. Çmimi do të pësojë një tjetër rritje me 6 lekë për litër, për të arritur nivelin e 180 lekë për litër.
Kjo do të jetë pasojë e taksës së re që ka vendosur qeveria për rilicencimin e karburanteve.
Në mbledhjen e fundit, të mërkurën, Këshilli i Ministrave vendosi që tarifa e rilicencimit të pikave të karburanteve të jetë 3 milionë lekë për Tiranën dhe 1 milion lekë për rrethet e tjera.
Në muajin nëntor, Gjykata Kushtetuese kishte hedhur poshtë një rritje më të madhe: 5 milionë lekë për Tiranën dhe 2 milionë lekë për rrethet.
Shoqata e Hidrokarbureve që e dërgoi në gjykatë kundështon edhe tarifën e re. Por ata që do ta pësojnë nga kjo rritje takse janë konsumatorët. Kompanitë që tregtojnë karburantet në Shqipëri thonë se efekti tek konsumatori do të jetë me 6 lekë për litër, si një taksë e fshehur shtesë për secilin përdorues mjetesh.
Tarifa e rilicencimit është rritur me 30-fish, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave. Në vendimin e parë të saj, të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, rritja ishte me 50-fish. Sipas gjykatës ajo shkelte parimet e proporcionalitetit. Shoqatat e Hidrokarbureve thonë se ajo është shumë më e lartë se shërbimet që jepen, por ajo nuk do ta ankimojë më në Gjykatën Kushtetuese vendimin e ri të qeverisë. Thjesht do ta pranojë duke ua faturuar rritjen konsumatorëve.
Taksat shtetërore janë arsyeja pse shqiptarët e paguajnë më shtrenjtë se qytetarët e vendeve të tjera të rajonit naftën. Nga 174 lekë, të paktën 110 janë taksa shtetërore. Me rritjen e tarifës së rilicencimit, është sërish qeveria që i shtrenjton karburantet, në kurriz të qytetarëve.
Këshilli i Ministrave në mbledhjen e fundit ka rivendosur tarifën e rilicencimit të stacioneve të shitjes së karburanteve në 3 milionë lekë për Tiranën dhe 1 milion lekë për rrethet. Ky vendim erdhi pasi në nëntor të vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese kishte hedhur poshtë si antikushtetues tarifat e mëparshme prej 5 milionë lekë për Tiranën dhe 2 milionë lekë për rrethet (këto tarifa ishin shumëfishuar në dhjetor 2015, nga përkatësisht 30 mijë dhe 20 mijë lekë).
Kompanitë e hidrokarbureve e kishin kundërshtuar me forcë rivendosjen e kësaj tarife kaq të lartë, së pari, me argumentin se ajo është rrëzuar një herë nga Gjykata Kushtetuese dhe së dyti, koncepti i tarifës është për të mbuluar shpenzimet administrative dhe jo për të vjelë të ardhura.