Punonjësit e hekurudhës grevë tek Financat: Duam rritje pagash

84

Punonjësit e Hekurudhës të ardhur nga Durrësi zhvilluan një protestë para Ministrisë së Financave, ku kërkojnë rritjen e pagave. Punonjësit shprehen se do të vijojnë një grevë 1 orëshe, pasi sipas tyre nga rritja e pagave vetëm sektori i hekurudhës nuk ka përfituar. “Nga rritja e pagave vetëm sektori ynë nuk u prek. Kërkojmë kategorizim të pagave sipas specialiteteve. Ka ende punonjës që marrin 180 mijë lekë. Kemi mbështetjen e Ministrisë së Transporteve. Nëse nuk na japin zgjidhje pezullojmë punën pa afat”, janë shprehur punonjësit e hekurudhës. Pasi kanë protestuar për një kohë të gjatë në Durrës dhe nuk u janë plotësuar kërkesat, punonjësit e hekurudhës në qytetin bregdetar i janë drejtuar dje Tiranës për të vijuar protestat, pasi kërkojnë ringritjen e hekurudhës dhe rritje pagash. Përfaqësuesit e Sindikatës së Transportit Hekurudhor janë nisur nga Durrësi drejt kryeqytetit për të protestuar përpara Kryeministrisë dhe më pas tek Ministra e Financave për problemet e tyre financiare. Përfaqësuesit e Sindikatës së Hekurudhës kërkojnë rritje të pagës minimale sipas kategorisë, rritjen e subvencionit për hekurudhën, hapjen e fronteve të reja të punës, si dhe vënien në eficencë të hekurudhës shqiptare. Kreu i sindikatës, Osman Meta deklaroi se nëse ministria e linjës dhe kryeministria nuk do të reagojnë, hapi vendimtar është greva e urisë. “Sot punonjësit e Hekurudhës shqiptare bëjnë një protestë pranë Ministrisë së Transporteve, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Financave dhe pranë Kryeministrisë. Problemet janë anashkalimi i qeverisë për rregullimin e pagave, paga minimale dhe paga sipas kategorisë së vështirësisë dhe vjetërsisë së punës gjë që ka indinjuar punonjësit”, tha ai. Sindikalistët ecën në këmbë nga sheshi Shqiponja, drejt kryeministrisë dhe më pas drejt Ministrisë së Financave. Për këtë protestë kanë firmosur paraprakisht sindikalistët e të gjitha rajoneve hekurudhore të vendit.