Protesta dhe bllokim rrugësh në gjithë vendin

116

Kryetari i Partisë Demokratike ka paralajmëruar dje se, opozita do e shtrijë lëvizjen e saj në të gjithë vendin, e cila do të kulmojë me protestën e datës 7 maj në Kavajë, për të penguar dorëzimin e bashkisë së këtij qyteti në duart e krimit dhe korrupsionit. Basha u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen paralajmërimit të parë të opozitës ditën e hënë, më datë 24 prill, në protestën, e cila do të bllokojë të gjitha akset kombëtare në vend. Basha tha se kjo protestë do të zhvillohet paralele me protestën në çadrën e lirisë që do të vazhdojë funksionin e saj 24-orësh. Kreu i PD u shpreh se ky është vendim jo vetëm i partisë që ai drejton, por i gjithë opozitës së bashkuar, në mbledhjen që zhvilloi pasditen e djeshme me aleatët. “Sot dua t’ju njoftoj se në funksion të këtij qëllimi madhor, të këtij vendimi të patjetërsueshëm të 18 shkurtit, opozita e bashkuar me në krye PD ka vendosur intensifikimin e protestës qytetare në të gjithë Shqipërinë. Duke ruajtur si pishtar, si bërthamë të kësaj lëvizje çadrën e lirisë 24 orë në ditë, por duke e shtrirë atë në mbarë vendin. Ditën e hënë të gjithë qytetarët shqiptarë, të djathtë, të majtë, patriotë, të rinj, të reja të bashkohemi midis orës 11-12 në bllokimin total të trafikut kombëtar në të gjithë Shqipërinë. Ky është vendimi i opozitës së bashkuar. Kjo është një orë e madhe solidariteti kombëtar, është një orë e madhe mesazhi. Kurrë më nuk do të ketë tërheqje dhe kompromis, por vetëm qëndresë deri në hedhjen e themelit të Republikës së re që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Por është po kështu edhe fillimi i një aksioni politik, i cili vetëm do të përshkallëzohet për të kulmuar në një tjetër kulm më 7 maj, ku ne do t’i rrimë fjalës së dhënë shqiptarëve dhe kavajasve që të mos ia dorëzojmë më Kavajën krimit dhe t’i them ndal krimit në Kavajë dhe pastaj në të gjithë Shqipërinë”, tha Basha.

Bie fasada e krimit

Gjatë fjalës së mbajtur në praninë e protestuesve tek çadra e lirisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Basha tha se fasada e krimit ka rënë dhe kjo falë sakrificës së çdo qytetari, të cilët prej 62 ditësh ndodhen në protestë. Sipas tij, komploti për të marrë peng Shqipërinë që nga dita e djeshme ka rënë, ndërsa krimi dhe droga ka marrë goditjen më të rëndë. “E kemi thënë prej ditës së parë të kësaj lëvizjeje madhështore, popullore, kombëtare e demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme për Republikën e re, që po vjen falë sakrificës e qëndresës suaj, se rrënjët e kësaj lëvizje janë thellë në aspiratën e çdo qytetari, e çdo të riu, e të reje, të çdo familjari e kryefamiljari për t’i dhënë fund Republikës së vjetër të demokracisë fasadë, të parlamenteve fasadë, të qeverisjeve fasadë, e cila për shqiptarët ka prodhuar vetëm një ekonomi fasadë. Rend e siguri fasadë, shëndetësi fasadë, arsim fasadë, drejtësi fasadë. Sepse qëllimi i vërtetë i Republikës së vjetër është të shërbejë vetëm si një fasadë për komplotin e madh ekonomik dhe politik që është drejtuar kundër çdo shqiptari të ndershëm. Çdokujt që dëshiron të jetojë me djersën e ballit, çdokujt që dëshiron që të jetojë në liri sipas aftësisve dhe mundësive të saj, të jetojë një jetë për veten, familjen dhe shoqërinë dhe një mirëqenie për kombin. Ky komplot ka marrë goditje vdekjeprurëse nga çadra e lirisë dhe nga lëvizja jonë kombëtare për Shqipërinë evropiane. 62 ditë më parë apo le të themi 65 ditë më parë i mbani mend si krekoseshin balozët e krimit të organizuar dhe tutorët e tyre politikë, pas kësaj fasade sepse kishin në xhep asgjësimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Realitetin e tmerrshëm të këtij vendi, e kishin bombarduar me propagandën e paguar shtrenjtë me paratë e djersës dhe gjakut të shqiptarëve, të cilat i vidhnin me koncesione, me tendera, me taksa të larta, me fatura, me vjedhje, me hajdutëri dhe me paratë e krimit të organizuar dhe drogës me të cilin bashkëqeverisin Shqipërinë tash e katër vjet. Por fasada ka rënë, fasada është çjerrë. Kush e çori? Ju e çorët. Shqiptarët e bashkuar në këtë lëvizje e kanë shkatërruar fasadën e gënjeshtrës. E vërteta ka dalë në pah për të gjithë, para gjithë botës dhe sot po ju them nuk ka bojë ta lyejë më realitetin e Shqipërisë, së gjunjëzuar nga krimi dhe korrupsioni. Por po kështu nuk ka më forcë ta kthejë më mbrapsht këtë vullnet popullor që po kërkon të drejtën natyrale, të drejtën hyjnore për të marrë në dorë fatet e tij. Fatet e shqiptarëve nuk do të jenë më kurrë rob i komplotëve politike dhe ekonomike. Ky është premtimi i Republikës së re, ky do të jetë realiteti i ëndrrës që po vjen. Kush e arriti këtë? Ju e arritët dhe qindra mijëra shqiptarë anembanë Shqipërisë që kanë qenë këtu vetë apo me zemër dhe mendje. Opozita, ka qenë dhe është më e bashkuar, më e vendosur dhe më e fortë se kurrë për të qenë bashkë në këtë lëvizje deri në fitoren e saj”, tha Basha.

Në rast se anëtarët e KQZ shkelin ligjin, do shkojnë për ndjekje penale

Kryetari i Partisë Demokratike, gjatë fjalës së tij ka dhënë dhe një paralajmërim për anëtarët e KQZ, e cila refuzoi të marrë vendim në lidhje me shtyrjen e afateve të koalicioneve zgjedhore për zgjedhjet e 18 qershorit. Basha tha se ajo duhet ta hedhë poshtë atë kërkesë, përndryshe ata që do të jenë autorë të pranimit të shkeljes së ligjit do të paditen në Prokurori për ndjekje penale. “Ca nga malli e ca nga halli i koaliconit të zullumit, i cili që prej ditës së sotme ka vendosur zyrtarisht të mos jetë në koalicion, por që vazhdon të mbajë peng, për shkak të zullumit, në të cilin janë zhytur zgjidhjen që pret një popull i tërë, që presin qytetarët, që presin miqtë e Shqipërisë, zgjidhjen e krizës politike të shkaktuar për shkak të makutërisë së verbër, e cila i shtyn drejt projektit ogurzi të asgjësimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Së bashku morëm një vendim, nuk ka zgjedhje fasadë, zgjedhje të diktuara nga krimi dhe droga. Opozita e respektoi kontratën e 18 shkurtit, opozita sot është e bashkuar dhe e vendosur. Kjo çadër dhe kjo lëvizje e madhe ia doli po kështu të shpërthejë dhe shpartallojë pazaret dhe intrigat. Edhe sot u përpoqën të shkelin ligjin dhe Kushtetutën. KQZ me të vërtetë ka refuzuar regjistrimin apo pranimin e kërkesës për të shtyrë regjistrimin e koaliconeve dhe sot në Shqipëri nuk ka koalicione zyrtare për zgjedhjet e 18 qershorit. Por duhet ta hedhë atë poshtë, sepse po nuk e hodhët poshtë jeni në kushtet e shpërdorimit të detyrës dhe do ju çojmë për ndjekje penale. Nuk ka kompromis me ëndrrën e shqiptarëve për Republikën e re”, u shpreh lideri i opozitës.

Qeveria teknike duhet të ketë kohën e saj për të arritur objektivat

Kreu i PD është shprehur dhe në lidhje me afatet që qeveria teknike duhet të ketë në lidhje me arritjen e objektivave të paracaktuara që janë lufta kundër drogës dhe garantimi i zgjedhjeve. Sipas tij në rast se asaj nuk i jepet koha e duhur atëherë, nuk mund të arrihet ajo që kërkohet. “Qeveri teknike, por a e ka kjo qeveri teknike kohën e mjaftueshme për të zbatuar mandatin e saj që shqiptarët të votojnë të lirë nga krimi dhe nga droga? Që kartat e tyre të identitetit mos shiten e mos blihen, sigurisht që jo. As njëra dhe as tjetra veç e veç nuk bëjnë fajde. Të dyja bashkë është oferta e lëvizjes më të madhe kombëtare për liri të vërtetë, për demokraci të vërtetë. Të dyja bashkë po e bëjnë punën, ndaj tash 62 ditë ftesa jonë është kjo. Së bashku pavarësisht se kush i ka përgjegjësitë, t’i japim fund, ta varrosim Republikën e vjetër, këtë fasadë të komplotit, kundër xhepave të tyre, kundër punësimin të tyre, kundër arsimit të tyre dhe t’i hapim rrugën një Shqipërie evropiane, me një pakt kombëtar të Shqipërisë evropiane. Kjo të nderuar zotërinj është rruga që do të vazhdojë të qëndrojë e të marshojë, lëvizja jonë e madhe kombëtare dhe qytetare për liri dhe demokraci. Oferta për dialog të vërtetë dhe zgjedhje të vërteta nuk mund të tjetërsohet nga asnjë manovër, për të shpëtuar karrigen e kriminalizuar të Edi Ramës. Por do të vazhdojë të qëndrojë si një ofertë dinjitoze për një zgjidhje gjithëpërfshirëse. Tani populli e kupton dhe s’ka nevojë për fakultet juridik. E kuptojnë dhe juristët dhe studentët e shkencave politike, këtë që do të them tani. Është mirë ta kuptojë dhe Rama dhe në rast se e di, akoma më mirë se do të thotë se vetëm po gënjen, në rast se s’e di do të thotë se është dhe injorant. Kushtetuta e Shqipërisë dhe kushtetutat e vendeve të tjera ekzistojnë vetëm për të mbrojtur të drejtat dhe liritë natyrale dhe hyjnore të qytetarëve të tyre. Liritë dhe të drejtat e qytetarëve janë në fjalët e Thomas Jefferson, vetë evidente të dhëna nga Zoti. Kushtetuta është instrument për t’i garantuar ato, por të drejtat e qytetarëve dhe ndër to e drejta për të zgjedhur me votë të lirë, të pakërcënuar nga krimi dhe nga droga, të pableshme nga zuzarët e korrupsionit është një e drejtë që qëndron mbi çdo normë ligjore dhe çdo normë ligjore përfshirë dhe Kushtetutën ul kokën para të drejtës së qytetarëve për të vendosur me votë të lirë qeverinë e tyre. Liria e qytetarëve është themeli, liria e të drejtat themelore është themeli për të cilat Kushtetuta vepron si mburojë dhe jo si alibi. Për të mbrojtur këtë liri ekziston Kushtetuta dhe nuk janë këto liri për t’u sakrifikuar për hir të Kushtetutës dhe parimi tjetër ligjor. Këto të drejta janë vetë evidente, janë të drejtat tuaja me të cilat keni lindur, pavarësisht se për një pjesë tuajën i shkeli diktatura, keni lindur dhe ju shoqërojnë gjatë gjithë jetës tuaj. As nuk t’i merr as nuk t’i jep Edi Rama”, tha Basha.

Tre hapat për zgjidhjen e krizës dhe pazari i peshkut

Kryetari i opozitës, Basha ka përcaktuar tre hapat për zgjidhjen e krizës dhe ka denoncuar “pazarin e peshkut”. Sipas tij opozita e ka vullnetin për të dialoguar me këdo që është interesuar për arritjen e standardeve në zgjedhje dhe luftën kundër fenomenit të drogës dhe kriminalitetit. Por ajo s’do të bëhet asnjëherë pjesë e pazareve në kurriz të qytetarëve.
Ai është shprehur për dialog, por jo për Pazar.  “Nuk ka kompromis me ëndrrën e shqiptarëve për Republikën e Re, por ka patur ka e do të ketë një gadishmëri për dialog të vërtetë që i shërben zgjidhjes.Në këtë dialog ne vijmë me kërkesat e parashtruara nga qytetarët shqiptarë që përbëhen nga dy pjesë, dy pjesë të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra tjetrën”, tha Basha.
Cilat janë tre hapat për zgjidhjen e krizës sipas Bashës?
Hapi i parë është qeveri teknike me mbështetje të gjerë politike.
Hapi i dytë, mandati i kësaj qeverie, që ka të bëjë me zbatimin deri në fund të ligjit të dekriminalizimit për të larguar kriminelët nga institucionet shtetërore, nga parlamenti, nga bashkitë, për ti larguar ata që nuk na ranë nga qielli, as nuk i gjeti në Partinë Socialiste, por i solli Edi Rama për pushtetin e vet dhe i mban për pushtetin e tij në krye të vendit, në krye të punëve.
Së dyti, luftë të vendosur dhe të vërtetë kundër drogës që deri para një muaji nuk e shihte, se nuk ekzistonte, nuk e shihte as ai, as ish Ministri i tij i Brendshëm, as Ministri i tij aktual i Brendshëm, as miqtë e zhages nuk e shihnin drogën.
Ua kishte zënë sytë zhagia, prandaj se shikonin drogën. E megjithatë ti ia ke zbrazur zhaget gjithë shqiptarëve, dhe flasim për zhaget me të cilat korrupton ata që të qëndrojnë në krah kundër interesave të shqiptarëve, prapë se prapë, ne jemi për një zgjidhje me dialog.
Dhe së treti, kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, reformë të plotë zgjedhore, votim elektronik, biometrik dhe numërim elektronik.
Ne 24 orët e fundit, pazari i peshkut që është qelbur nga koka, nga Konispoli në Vermosh, nga Bilishti në Rodon, ka filluar manovrat që mendojnë se do e nxjerrin në breg republikën e vjetër që ua ka marrë e po ua merr lumi përditë. Pazari i peshkut mendon se tani që nuk po ia del dot faqe kurajos dhe bashkimit qytetar, do të negociojë me opozitën, me ne, politikanët e opozitës, një pazar politik që të mbajë në këmbë republikën e vjetër, dhe ti shesë qytetarëve sapunin për djath dhe kjo përbëhet nga dy platforma.
Platforma e pare, është hajde ti bëjmë edhe luftën kundër drogës edhe luftën kundër krimit edhe kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, po hajde se i bën Ed Rama këto. Pra njeriu përgjegjës për shndërrimin e Shqipërisë në Kolumbinë e Europës, sa i përket sasive të drogës, se në Kolumbi drogën e bëjnë të gjitha palët, kurse këtu drogën e kontrollon Edi Rama dhe çeta e tij, ajo që e solli në pushtet, pra, ky që e mbushi Shqipërinë me drogë, tani do besimin tonë se mund të luftojë drogën dhe paratë e drogës. I zoti i zhages, thotë do ta hedh zhagen në lumë.
Së dyti, njeriu që solli kriminelët në pushtet që e detyruam të bënim ligjin për dekriminalizimin me ndihmën e partnerëve tanë europianë, që sot u thotë botërisht, aleatit të vet dhe ambasadorëve, që jam bërë pishman që kam kaluar ligjin për dekriminalizimin, kërkon që shqiptarët ta besojnë se tani do ta zbatojë ky ligjin për dektriminalizimin, tani që e ka lakun në fyt nga ky bashkim popullor dhe vendosmëria juaj për ta spastruar politikën nga kriminelët.
Dhe së treti, njeriu që shkatërroi katër palë zgjedhje, Korçën e mbani mend, zgjedhjet e 2015, Dibrën dhe Kolonjën, ky do na garantojë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme.
Sigurisht, që nuk ka njeri që e beson, as të vetët nuk e besojnë. Pra Edi Rama nuk e ka e nuk do ta ketë kurrë besimin për të kryer këto detyra si Kryeministër.

Rrëzohet oferta për shtyrje zgjedhjesh deri me 10 korrik

Basha ka refuzuar ofertën e bërë për të cilën ai nuk ha shumë detaje sipas të cilës zgjedhjet të shtyhen m vetëm pak ditë dhe ata të vendoset me 10 korrik. “Rruga tjetër, thotë, hajde të bëjmë qeveri teknike dhe shkojmë në zgjedhje me 10 korrik. Pra, qeveria teknike fasadë.  10 korrikun po e them meqë po qarkullojnë këtë ide, që do shpërndajmë parlamentin, se nuk zgjedhim presidentin, do futemi në krizë kushtetuese, dhe kushtetuta mbi të gjitha.
Qeveri teknike, po a e ka kjo qeveri teknike kohën e mjaftueshme për të zbatuar mandatin e saj që shqiptarët me të vërtetë të votojnë të lirë nga krimi, nga droga, që kartat e tyre të identitetit të mos blihen dhe të mos mblidhen. Sigurisht që jo.
Asnjëra dhe as tjetra veç e veç nuk bëjnë fajde. Të dyja bashkë, është oferta e lëvizjes më të madhe kombëtare për demokraci të vërtetë, për liri të vërtetë dhe drejtësi të vërtetë. Të dyja bashkë po, e bëjnë punën.
Ndaj, tash 62 ditë, ftesa jonë është kjo; së bashku, pavarësisht se kush i ka përgjegjësitë, ti japim fund e ta varrosim republikën e vjetër, këtë fasadë të komplotit kundër shqiptarëve, kundër xhepave të tyre, kundër punësimit të tyre, kundër shëndetësisë dhe arsimit të tyre dhe të hapim rrugën për një Shqipëri europiane me një pakt kombëtar të Shqipërisë europiane”, tha Basha.

2017 do të jetë viti i fundit i krimit në pushtet

Kryetari i opozitës, Basha deklaroi dje se ky do të jetë viti i fundit i krimit në pushtet. “2017 do të jetë viti i fundit i krimit në pushtet dhe i pushtetit të bërë njësh me krimin. 2017 do të jetë hera e fundit që shqiptaret luftojnë për zgjedhje të lira e të ndrshme. 2017 do të jetë viti i fundit për drogën dhe drogmenët kudo ku janë.
Zgjedhjet para nesh janë të qarta, vendimet janë marrë. Kur Republika e Re, realiteti që të gjithë presim, endrra që ka zbritur në zemrat dhe mendjet e shumicës derrmuese të shqiptarëve, të jetë duke prodhuar efektet e saj konkrete për të përmirësuar jetesën e njerëzve, për të ngritur edhe njëherë ekonominë në këmbë, e pastaj për të ndezur motorrët e zhvillimit, për punësim shëndetësi që garanton trajtim me dinjitet dhe profesional të të sëmurëve, për arsim që edukon brezin e ardhshëm, shpresën e këtij vendi, shpresën e prindërve të këtij vendi, atëherë kur të kthejmë kokën pas, dy reflektime do na kujtohen në mendje dhe zemër.
I pari që kemi kaluar vite të errëta, kur këtu krimineli përshëndetej nga policët, kur këtu krimineli bënte ligjin. Kur krimineli dhunonte qytetarët në dyert e policisë, kur krimineli bënte ligje për drejtësinë, kur krimineli emëronte policin, doganierin, tatimorin.
Por ne do të jemi krenarë duke i thënë njëri-tjetrit dhe brezave që vijnë: kohët ishin të errëta, sfidat ishin të mëdha, por sot jemi këtu ku jemi, sepse ne thamë jo, ne thamë ndal, ne u ngritëm u bashkuam dhe fituam”, tha Basha.