Policia dhunë ndaj protestuesve kundër impiantit të plehrave në Fier

231

Nga Jonida Tashi

Disa gra fisnike dhe heroina me plot gojën kanë marrë në dorë protestën për moslejimin e inceneratorit të plehrave në një fshat të vogël pak minuta larg qytetit të Fierit, në Verri. Pasi kreu i Bashkisë, i besuari i Rilindjes, Armando Subashi, i mashtroi banorët në mes të ditës me diell, kur në Fier shkoi Kryeministri Edi Rama, se projekti në fjalë do të anulohej, banorët nuk e kanë ndalur për asnjë ditë protestën e tyre ditën dhe natën. Ata nuk e besuan Subashin e Fierit kur lajmin e “mirë” për banorët ai e përcolli nëpërmjet Facebookut, në një status shoqëruar dhe me një foto me Kryeministrin, që deri atë ditë nuk kishte parë dhe dëgjuar se çfarë po ndodhte në Fier. Mirëpo u desh që nga 3 mijë nxënës që u shkulën nga shkollat e Fierit e Lushnjës për të plotësuar dekorin e mikpritjes së Ramës në Parkun e Apollonisë, disa fëmijë të shkollës së fshatit ku duan të ndërtojnë fabrikën e vdekjes, të bërtisnin mes takimit “Jo plehra në Verri”, që Rama të mësonte se diçka nuk po shkonte siç duhej. Pas kësaj Subashi tha se mori garancinë e plotë të Kryeministrit që pa pëlqimin e banorëve të zonës (Verri, Kallm i Madh, Kallm i Vogël) as që bëhet fjalë të fillojë ndërtimin e impiantit të mbetjeve urbane, pavarësisht procedurave që janë ndjekur nga ministritë deri tani.
Sigurisht që kreu i qeverisë nuk e di se sa shumë i ka sharë, ofenduar e poshtëruar ata njerëz të punës e të tokës, Subashi i tij, që nuk i ka pritur në asnjë takim, por thjesht i ka mashtruar ditë pas dite. E sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, ai ka përdorur forcën e Policisë së Shtetit, e cila nuk është kursyer në asnjë rast. Madje dje, në protestën e radhës të banorëve, të cilët bllokuan autostradën Lushnjë-Fier, policia ka ushtruar dhunë mbi ta, edhe mbi gratë dhe fëmijët, ndërsa ka arrestuar pesë protestues. Prej ditësh Subashi po hahet dhëmbë më dhëmbë me banorët e Verrisë, të cilëve jo vetëm që nuk ua di hallet e jetesën e vështirë të fshatit, por ua ka shtuar edhe më shumë. Ai vetë i pari dhe shumë të tjerë pas tij kanë besuar se lufta e vërtetë bëhet me njerëzit që jetojnë në qytet, ndërsa këta të fshatit është e lehtë t’ua hedhësh, t’i mashtrosh e t’i kërcënosh.
Një nga shumë kërcënimet që Subashi i Fierit u ka çuar banorëve, pasi i ka sharë në mënyra ordinere është se “të gjithë do t’i fusë në burg” dhe këtë po bën. Por banorët nuk do të dorëzohen! Ata sot janë më të braktisur se kurrë; kush i ka hedhur sytë nga fshati veçse kohëve të fushatave; por ata janë më të fortë se kurrë që të mos ndalen në luftën e tyre për jetën dhe për tokën, për tokën me të cilën kanë të lidhur jetën. Unë nuk shqetësohem pse sot me këta njerëz nuk është as shoqëria civile, as opozita. Unë shqetësohem që Subashi drejton Fierin si Subash dhe askush nuk guxon të bashkohet me banorët e Verrisë, të cilët po mbajnë mbi supe të vetëm një rrezik që shkon përtej Fierit. Inceneratori në Verri nuk është e keqe e madhe vetëm për këtë fshat, por për mijëra banorë të tjerë që jetojnë nga Berati në Lushnjë. Ndaj sot me këta njerëz duhet të ishte ngritur e gjithë Myzeqeja e bekuar, e cila është parë si hambar i bujqësisë.
Unë mendoj se Verria e Fierit është një rast i mirë për ata që s’kanë parë gjë akoma, për të dëshmuar se Rilindja është një bandë kriminelësh që drejton vendin dhe që Subashi ua ka mësuar mirë çmimin në kohën kur ushtronte profesionin e gjykatësit. Ndaj sot për këtë njeri, që po lufton edhe fshatin që e votoi për kryebashkiak jeta e këtyre njerëzve vlen shumë pak, sepse ata nuk kanë çfarë t’i ofrojnë. Ndërsa pas inceneratorit të plehrave fshihen miliona lekë për Subashin, që i duhen për të blerë votat e më shumë se të një fshati, sepse Rilindja atij i ka besuar Fierin, që e do sërish të fituar nga Partia Socialiste.