Insigne te Napoli deri në 2022

86

Ai do të jetë, Totti i Napolit, kapiteni i së ardhmes dhe njëkohësisht njeriu simbol i skuadrës së kaltër. Lorenzo Insigne është vetëm një hap larg arritjes së një marrëveshjeje me presidentin e klubit jugor, Aurelio De Laurentis, për rinovimin e kontratës aktuale. Marrëveshja e re do ta lidhë Lorenzo Insignen deri në vitin 2022. Pas muajsh të tërë bisedimesh gjatë të cilëve u fol edhe për një largim të 25-vjeçarit nga Napoli, Insigne ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e klubit të kaltër për të zgjatur bashkëpunimin dhe pse jo për t’u shndërruar në kapitenin e ri të Napolit në të ardhmen, në momentin që Marek Hamsik ndoshta do t’i japë lamtumirën skuadrës që aktualisht drejtohet nga Maurizzio Sarri.
Nga kontrata e re, futbollisti i përfaqësueses italiane pritet të përfitojë 4,5 milionë euro në sezon plus bonuset. Menjëherë, pasi të zyrtarizohet zgjatja e bashkëpunimit me Lorenzo Insignen, presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis do të nisë kontaktet me menaxherin e Dries Mertens. Belgu ka një kontratë që i skadon në vitin 2018-të me Napolin dhe sëfundmi për të firmosur me të po lëviz fuqishëm Interi. Për të shmangur interesimin e zikaltërve, numri 1 i klubit jugor po bën gati një marrëveshje të re për të blinduar edhe Dries Mertens-in.