Historia sekrete e krizës së heroinës

209

Rrëfimi i magjishëm i Don Winslow për kartelin më të madh të drogës, arrestimet, arratisjet, vdekjet, yjet dhe divat e Hollywood: ”El Chapo ka dalë nga dera qendrore. As nuk është futur fare në tunel”.
Bie telefoni. Ishte korriku i 2014 dhe ndodhesha në dhomën e një moteli në Tucumcari të New Mexico, sapo bëhesha gati të hyja në dush. Unë dhe ime shoqe qemë nisur dy ditë më parë nga shtëpia jonë në Kaliforni për një udhëtim me makinë nëpër atdhe dhe doja të freskohesha përpara se të shkoja e të haja diçka në një lokal afër parkimit. Duke parë celularin njoha numri dhe ndjeva një therje në zemër. Ishte një mikja ime e dashur. I biri 20-vjeçar, heroinoman, prej vitesh luftonte kundër varësisë. E njihja. Ishte një djalë i zgjuar, brilant, simpatik dhe tërheqës, kur nuk ishte i bërë apo në mungesë. Do të duhej të më telefononte atë ditë që të më fliste për idenë e tij të rivazhdimit të studimeve. Nuk më kishte marrë. Në telefon ishte e ëma, me psherëtima, belbëzonte fjalët që dija se do të më thoshte: “Na la”. Atë pasdite, më tha, i biri po shkonte të shtrohej në një qendër terapeutike që në fund i kishte dhënë disponueshmërinë e një shtrati, por ishte ndalur për të bërë një dozë të fundit. Kishte vdekur në trotuar. Qëndrova goxha kohë në telefon me nënën e tij. Unë më shumë se çdo gjë tjetër dëgjoja: çfarë kisha për t’i thënë? Pastaj hyra në dush dhe qava. Janë më shumë se 20 vjet që shkruaj dhe dokumentoj mbi të ashtuquajturën “luftë kundër drogës”. Gjatë gjithë kësaj kohe kam marrë pjesë në funerale, kam folur me familjarët e killerëve adoleshentë, u kam shpjeguar njerëzve se pse të dashurit e tyre qenë vrarë, duke u dhënë informacione që qeveria nuk do t’ua jepte. Kam studiuar fotot e autopsive në tentativën për t’u dhënë një emër viktimave të paidentifikuara. Kam parë video me mizori. Mendova se isha ngurtësuar, kalitur ndaj pandjeshmërisë përballë përsëritjes gjithnjë të njëllojtë të kësaj tragjedie të pafund. Mendova se kisha shkuar përtej lotëve. Por kësaj radhe isha keq. Kjo vdekje më prekte personalisht (dhe për më tepër e dija mirë sesi kishte shkuar). Heroina që e kishte vrarë vinte nga Meksika. Ata që kultivonin lulëkuqe, që fabrikonin drogën dhe e dërgonin në veri qenë anëtarët e organizatës narkotrafikuese më të fuqishme të Meksikës dhe vdekja e djalit të mikes time ishte rezultati i drejtpërdrejtë i zgjedhjes biznesore të disa prej këtyre personazheve. Njëri prej tyre ishte Joaquin Guzman Loera, kreu i Kartelit të Sinaloa, centrali më i madh botëror i narkotrafikut, alias “El Chapo”. Po, pikërisht ai.
Guzman është një njohje e vjetër e imja (nuk e quaj El Chapo sepse nofka të bën të mendosh më shumë për një xhuxh të Disney që shkon në punë duke fishkëllyer sesa për vrasësin mizor që është Guzman). Kujtoj kohërat në të cilat djaloshi Joaquin ushtrohej në pistën sekrete si korrier për gjigantët e vjetër të narkotrafikut, njerëz si Pedro Aviles Perez dhe Rafael Caro Quintero. Nëpërmjet forcës së punës dhe të vdekurve të vrarë kishte fituar tashmë një vend midis pecogrosove kur përfundoi brenda për herë të parë, më 1993. Teksa menaxhonte punët nga suita e tij në brendësi të burgut federal të Puente Grande, unë punoja për “The Power of Dog”, të parin e tri romaneve që kam shkruar mbi evolucionin e narkotrafikut meksikan. Flisja me policë dhe të dënuar, trafikantë dhe toksikodipendentë, me anëtarë bandash dhe familjarët e tyre. Frekuentoja burgjet dhe rrugët, arkivat dhe gjykatat, në kufi dhe përtej kufirit. Isha ende i impenjuar me këtë libër kur Guzman u arratis për herë të parë, më 2001. Në atë kohë narkotrafiku meksikan menaxhohej nga një seri organizatash të mëdha të shoqëruara nga një duzinë të voglash, ku më të rëndësishmet qenë Karteli i Juarez, Karteli i Tijuana dhe Karteli i Gjirit, me krahun e armatosur super të dhunshëm të tij, të famshmin Zetas. I arratisur nga Puente Grande, Guzman i vuri vetes si objektiv që të kontrollojë të gjithë narkotrafikun meksikan nën Kartelin e Sinaloa. Në 10 vitet në vazhdim i shpalli luftë të gjithë trafikantëve të tjerë. Kjo luftë shkaktoi më shumë se 100000 të vdekur në Meksikë dhe më shumë se 22000 persona rezultojnë ende sot të “zhdukur”. Ka qenë një katastrofë edhe nga kjo anë e kufirit dhe veç të tjerash, origjinë e “epidemisë” së kohëve të fundit që ka parë mijëra të vdekur nga heroina, midis të cilëve djali i mikes time. Verën e kaluar, në çdo etapë të turit promovues për romanin tim “The Cartel”, kam njohur persona që kishin humbur një të dashurin e tyre në episode dhune të lidhur me drogën në Meksikë ose për mbidozë këtu në Shtetet e Bashkuara. Në Scottsdale një grua më ka pyetur nëse dija t’i thosha se kush e kishte vrarë mikun e saj më të mirë (e dija). Në Seattle një burrë më ka pyetur nëse kisha informacione mbi rrëmbimin e kunatit të tij (nuk kisha). Natën e përvjetorit të vdekjes së djalit të mikes time, i kam telefonuar nga Los Angeles përpara se të hyja në librarinë ku do të duhej të flisja për librin e mallkuar.
Ku nuk mbin më bari e them qartë dhe shkoqur: heroina është bërë një epidemi për shkak të legalizimit të marijuanës. E donim barin legal dhe në pjesën më të madhe ia kemi arritur. Në 4 shtete të Shteteve të Bashkuara sot është i legalizuar, në të tjerë konsumi nuk përbën më krim dhe në shumë juridiksione policia refuzon që të zbatojë normativën ekzistuese, duke i dhënë jetë legalizimit de fakto. Lajme të mira, apo jo? Jo për Kartelin e Sinaloa, që më 2012, kur Colorado miratoi Amendamentin 64, ishte tashmë karteli dominues në Meksikë. Bari ishte një prej burimeve të mëdha të fitimit, por se nuk arrinin të konkurronin më me produktin amerikan, cilësisht më i mirë, për më shumë përballë kostove të transportit e të sigurisë shumë më të ulëta. Vetëm në një vit, Karteli pësoi një rënie prej 40 për qind të shitjeve të marijuanës, baraz me miliarda dollarë. Marijuana meksikane u bë një produkt i pavlerë. Thjesht kanë pushuar së kultivuari: plantacionet e pafundme të Durango sot janë të lëna djerrë. Lajme të tjera të mira, apo jo? Hëm, jo. Guzman dhe të tijët janë biznesmenë. Nuk ka mundësi që të pësojnë një humbje kaq të rëndë pa reaguar. Duhej t’i realizonin ato fitime në një mënyrë tjetër. Në tregun amerikan të drogës panë një mundësi. Një numër gjithnjë e më i madh amerikanësh ishte i varur nga analgjezikë me bazë opiumi si Oxycontin. Dhe ishte një varësi e kushtueshme. Një kapsulë Oxy në rrugë shkonte deri 30 dollarë dhe konsumatorë të caktuar kishin nevojë për 10 të tilla në ditë. Çfarë fati, menduan narkosët. Plantacionet tona të lulëkuqeve janë ndër më të mirat e botës. Opium, morfinë, heroinë – thelbësisht janë e njëjta drogë, kështu që… Karteli i Sinaloa vendosi që t’i mundë në çmim kompanitë farmaceutike. E rritën me pothuajse 70 për qind prodhimin e heroinës meksikane dhe ia përmirësuan pastërtinë, duke punësuar “kuzhinierë” kolumbianë për të prodhuar heroinë “cinnamon”, e fortë si ajo e Azisë Lindore. Nga një produkt i pastër rreth 46 për qind kaluan në shitje heroine të pastër në 90 për qind. Lëvizja e tretë e tyre ndoqi strategjinë klasike të ekonomisë së tregut, domethënë i ulën çmimin. 1 kilogram heorinë arrinte 200000 dollarët në New York disa vite më parë, kushtonte 80000 më 2013 dhe sot ka zbritur në rreth 50000. Një sasi më e madhe produkti më të mirë me një çmim më të ulët: e pathyeshme. Ndërkohë, të preokupuara nga rritja vertikale e të vdekurve nga mbidoza e opioidëve të dhënë me recetë (165000 nga 1999 më 2014), autoritetet amerikane i nxorën pengesa të mëdha shpërndarjes, si legale, ashtu edhe ilegale, duke ia hapur kështu dyert heroinës meksikane, që kushtonte nga 5–10 dollarë doza. Por konsumatorët e hapave nuk qenë të mësuar me forcën e kësaj heroine të re. Edhe heroinomanët u kapën gafil. Për pasojë, vdekjet nga mbidoza u rritën në mënyrë marramendëse, janë dyfishuar midis 2000 dhe 2014. Më 2014 vdiqën nga mbidoza më shumë se 47000 persona, një primat absolut në historinë amerikane. (Philip Seymour Hoffman, ndoshta viktima më e famshme, vdiq më 2 shkurt 2014, mu në kulmin e epidemisë). Bëhen gjithsej 125 persona në ditë, me shumë se 5 të vdekur në orë, një përqindje vdekshmërie e barabartë me atë të regjistruar në kulmin e epidemisë së AIDS-it më 1995.
Sinaloa, Irak më 21 shkurt 2014, pas 13 vitesh në kërkim si më i kërkuari në Meksikë (pavarësisht shfaqjeve të shumta në restorante, në koncerte dhe në raste festimesh), Guzman u arrestua sërish. Gazetarëve që më pyesnin u përgjigjesha me një fjalë të vetme: Irak. “Në çfarë kuptimi?”, më pyesnin dhe unë u kujtoja se në boshllëkun e pushtetit që ka pasuar kapjen dhe ekzekutimin pasues të Saddam Hussein, Iraku kishte rrëshqitur në një dhunë sektare, shiitë kundër sunitëve. Fundi i Saddam kishte çuar në lindjen e IS-it, që do të pushtonte qytetet irakene e siriane, duke i dhënë jetë mbretërisë së terrorit. Kujdes, nuk po derdh lot as për Saddam, as për Guzman, të dy vrasës dhe torturues. Por dhuna e frikshme e luftës për pushtet e Guzman më 2014 tashmë ishte qetësuar ndjeshëm, pikërisht pse e kishte fituar (me kontributin mjaft pasiv të qeverisë meksikane dhe asaj amerikane) duke i dhënë jetë të ashtuquajturës Pax Sinaloa. Historikisht, Karteli i Sinaloa ka qenë organizata më pak e dhunshme e narkotrafikut meksikan. Në ato nivele nuk duhet shumë, por për një periudhë të gjatë qeveria meksikane e konsideroi të praktikueshëm dialogun me Guzman dhe të tijët, e imagjinueshme për shembull për Kartelin Zetas. Shumë gazetarë e shkrimtarë, përfshirë mua, janë të bindur se qeveria meksikane përfundoi për ta mbështetur Kartelin e Sinaloa gjatë viteve të këqija të luftës midis narkotrafikantëve, me qëllimin e vendosjes së një minimumi rregull. Numrat i japin të drejtë kësaj teorie – vetëm 12 për qind e mijëra arrestimeve dhe vrasjeve të narkosve të kryera nga policia dhe ushtarakët kanë të bëjnë me anëtarët e Sinaloa, organizata numerikisht më e fortë. Dihej se Guzman dhe të tijët qenë kundër dhunës ndaj civilëve (edhe në këtë rast gjithçka është relative). Për shembull, i ndaloi të tijtë që të kryenin rrëmbime, aktivitet fitimprurës për kartelet e tjera. Fuqia e madhe e Kartelit të Sinaloa, i drejtuar nga Guzman dhe nga ortakët e tij, Ismael “El Mayo” Zambada Garcia dhe (ndoshta i ndjeri) Juan Jose Esparragoza Moreno, ruante një paqe të brishtë midis organizatave më të vogla të shumta. Kjo shpjegon ndërkaq sjelljen ambige, le të themi, të qeverisë meksikane ndaj kapjes së Guzman. Të mos fshihemi pas gishtit: sikur korrupsioni të ishte disiplinë olimpike, Meksika do ta fitonte përjetësisht medaljen e artë. Karteli i Sinaloa thjesht kishte blerë elementë të administratës lokale, shtetërore e federale. Në veçanti Zambada ishte grepi politik midis kartelit, qeverisë dhe pushteteve biznesore. E gjitha kjo, përtej faktit që kartelet kontrollonin midis 8 dhe 12 për qind të ekonomisë meksikane, i dhanë narkosve të Sinaloa pushtet dhe influencë të jashtëzakonshme. Fitimet miliardëshe nga droga, të investuara në aktivitete legjitime, e bënë ekonominë meksikane të varur nga narkotrafiku.
Vetëm 7 muaj nga kapja e Guzman, me lëkundjen e paqes së Sinaloa, në Meksikë u verifikua një masakër në nivele të papara ndonjëherë. Më 26 shtator 2014, në Iguala, një qytet vetëm 3 orë larg në jug të Mexico City, u zhdukën 43 studentë të një shkolle në Ayotzinapa. Për shkak të indinjatës ndërkombëtare dhe protestave masive, qeveria u detyrua që, hëm, të nisë një hetim nga ku doli në fund se policia i kishte nxjerrë studentët nga 4 autobusët që këta të fundit kishin kidnapuar për të shkuar në një manifestim në Mexico City, për t’ia dorëzuar më pas një organizate emergjente narkotrafikantësh, me emrin e bujshëm Guerreros Unidos. Studentët qenë çuar në një grumbullim mbeturinash në periferi të qytetit më të afërt. 15 kishin vdekur të asfiksuar gjatë udhëtimit. Të tjerët qenë pyetur e vrarë, trupat u qenë djegur me benzinë dhe me goma të vjetra. Faji i tyre? Një version thotë se kryebashkiaku thjesht nuk ua vlerësonte orientimin politik të majtë. Dhe atëherë i ka dorëzuar nga policia… tek narkosët? Kjo nuk ka kuptim, ashtu siç nuk kanë kuptim të gjitha gënjeshtrat, të cilave Presidenti Enrique Pena Nieto na ka kërkuar që t’u besojmë. Kurse versioni i dytë është në fakt një klasik meksikan që paraqitet në çdo masakër: narkosët e Guerreros Unidos dyshonin se mos studentët qenë të lidhur me organizatën rivale narkotrafikuese Los Rojos. Është e mundur dhe këtu vlen analogjia me Irakun. Ashtu si rënia e Saddam shpërtheu urrejtjet e lashta, edhe kapja e Guzman rindezi grindje të vjetra të përgjakshme, aq komplekse sa të mbushin një sezon të “Game of Thrones”. Në sintezë: Guzman dhe katër vëllezërit Beltran Leyva, dikur shumë miq, u grindën pasi Guzman bëri të arrestohej njëri prej tyre dhe një tjetër u vra gjatë një tentative kapjeje. Një prej fushëbetejave të luftës së mëpasme midis Organizatës Beltran Leyva (OBL) dhe Kartelit të Sinaloa ishte shteti Guerrero, vendi i masakrimit të studentëve. Karteli i Sinaloa ia zhvati OBL-së pas një lufte të përgjakshme. Narkosët e Guerreros Unidos që kanë vrarë studentët qenë besnikë ndaj OBL-së dhe vetëm zemërthyer u qenë nënshtruar narkosëve të Sinaloa pasi janë mundur në luftë. Pas kapjes së Guzman, pjesët e mbetura të OBL-së kanë parë mundësinë e një ringjalljeje. Los Rojos, grupi tjetër rebel në luftë për kapjen e shtetit Guerrero, kishte nga ana e tij hesape për të larë si me Guerreros Unidos, ashtu edhe me narkosët e Sinaloa. Më parë në lidhje me Kartelin e vjetër të Gjirit, kishte luftuar kundër OBL-së kur ky i fundit ishte ende pjesë e koalicionit me Sinaloa. Në boshllëkun e pushtetit që ka pasuar arrestimin e Guzman, Los Rojos kanë parë mundësinë e rifitimit të hapësirës. Në shtetin Guerrero, i kontrolluar nga Karteli i Sinaloa, vrasja e 43 studentëve do të kishte kërkuar autorizimin eksplicit të Guzman, që nuk do ta kishte dhënë kurrë. Që Guerreros Unidos kanë marrë lirinë e kryerjes së kësaj masakre është një fakt jashtëzakonisht i rëndë për të ardhmen paqësore të Meksikës.
Nga dera kryesore ka gjasa që fundi i Pax Sinaloa të ketë të bëjë edhe me arratisjen e dytë të Guzman nga burgu, më 12 korrik 2015. Detajet e arratisjes kanë qenë mjaltë për mediat – Guzman kishte kaluar nëpërmjet një të çare të hapur në dushin e tij (a po, kishte një dush të gjithin për vete me një mur në ruajtje të privatësisë; ua lë refleksioneve tuaja mbi konceptin e ruajtjes së privatësisë në një burg të sigurisë së lartë) dhe kishte përshkruar me motoçikletë një tunel prej 1 kilometrash e gjysmë pikërisht nën hundën e autoriteteve penitenciare të hutuara, mesa duket deri në atë moment të bindura se e kishin oborrin të prekur nga urithët. Sa për kronikë, Guzman nuk ka dalë nga tuneli me motoçikletë. Steve McQueen arratiset me motoçikletë. Vë bast se Guzman në atë tunel as nuk ka hyrë fare; njeriu që mund t’i lejojë vetes të paguajë 50 milionë dollarë ryshfet dhe gërmimit të tunelit 1.5 kilometra të gjatë, mund t’ia lejojë vetes edhe që të mos e përdorë. Lexues të dashur, po flasim për një njeri që vlen 1 miliard dollarë. Meditonte të blinte Chelsea F.C. Ka dalë pa pikë dyshimi nga dera kryesore. Pasi El Chapo Guzman arriti famën, mediat e hiperbolizuan jetën e tij. Ishte rritur në varfëri, duke mbledhur opium në plantacione qysh kur ishte 8 vjeç. Në moshën 15-vjeçare kishte nisur të shiste kokainën e tij. Gjithçka e vërtetë, u jepte para të varfërve (e vërtetë). Ka ndërtuar shkolla, spitale dhe kisha (e vërtetë, e vërtetë, e vërtetë). Ishte i dashur me të ëmën (e vërtetë). Ishte arratisur më parë nga burgu (pjesërisht e vërtetë). Më mirë të ecet me shkallë, përndryshe historia e arrestimeve dhe e arrative të Guzman rrezikon të krijojë konfuzion:
1993: Guzman u arrestua dhe u dënua me 20 vjet burg në një burg të sigurisë së lartë që menaxhohej si një rreth privat, me shumë kurva, ushqime dhe verëra të kushtueshme, si edhe kinema një herë në javë.
2001: Guzman kryen “arratinë” e parë, që ashtu si ajo e fundit, nuk ishte aspak e tillë. (Në përgjithësi, një arratisje nuk shikon pjesëmarrjen aktive të gardianëve). Versioni i atij viti qe se ishte arratisur brenda një karreli lavanderie, por duke iu përmbajtur burimeve të mirinformuara, në të vërtetë u mor nga çatia e burgut me helikopter.
2014: Guzman u rikap, ka mundësi pas një marrëveshjeje të lidhur nga ortaku i tij Zambada për të mos e lejuar të birin të vuante dënimin nga 10 vjet në të përjetshëm për trafik kokaine në Arizona. (Djali i Zambada është zhdukur nga të gjitha regjistrat e burgjeve federale të Shteteve të Bashkuara – lexo: Program i Mbrojtjes së Dëshmitarëve).
2015: Guzman arratiset sërish, kësaj radhe versioni i autoriteteve është tuneli.
Hapësirë të rinjve në rast se Meksika është bërë Irak, Karteli Nuova Generazione i Jalisco (CJNG) është IS-i i vendit. Vetë emri tregon se konsiderohet në njëfarë mënyre ndryshe, një racë e re narkotrafikantësh e gatshme të zëvendësojë gjeneratën e mëparshme duke i korrigjuar gabimet. Ka një të vërtetë thelbësore në këtë tezë: një prej problemeve të Kartelit të Sinaloa ka faktikisht karakter gjeneracional. Lidershipi gjenial që e ka çuar në vend të parë ka vdekur apo është plakur. CJNG-ja ishte më parë një krah i Kartelit të Sinaloa nën drejtimin e Ignacio “Nacho” Coronel. Por organizata e Nacho u nda më dysh pas vdekjes së tij në një përplasje zjarri me ushtrinë meksikane më 2010 dhe një prej fraksioneve, Los Torcidos, ka evoluar në CJNG. Bosi i tij, Nemesio Oseguera Cervantes, “El Mencho”, bëri 3 vite në një burg kalifornian për trafik heroine, më pas u kthye në Meksikë për të drejtuar skuadrën e vdekjes Torcidos. Në atë kohë objektivat kryesorë qenë rivalët Zetas; më 2011 El Mencho i masakroi 35 njerëz në Veracruz, 31 të tjerë një muaj më pas. Djali i El Mencho, pashmangshmërisht i quajtur “El Menchito”, ishte dikur aleat i ngushtë me Guzman, por u arrestua në janar të 2014. Një muaj më pas, kur Guzman u arrestua, El Mencho iu paraqit mundësia e shkëputjes nga Karteli i Sinaloa. Ajo që e bën CJNG-në të ngjashëm me IS-in është paskrupullshmëria totale. Për të konsoliduar pushtetin e tij, El Mencho do të autorizonte vrasjen e ministrit të Turizmit të Jalisco dhe të një deputeti. Në mars të 2015, të armatosur me automatikë dhe bomba dore, njerëzit e CJNG-së kanë hyrë në një qytet dhe kanë vrarë 5 policë. Dy javë më pas, gjatë një prite të një karvani policie, kanë vrarë 15 punonjës të tjerë. Të nesërmen kanë vrarë shefin e policisë të një qyteti tjetër. Në prill të 2016 kanë rrëzuar një helikopter ushtarak me raketalëshuese. Tani po përballen me Kartelin e Sinaloa në Kaliforninë e Poshtme, duke përçnuar stabilitetin e rajonit kufitar. Burime të policisë më referojnë se CJNG-ja është bërë aleat edhe me grupin e ringjallur Beltran Leyva për t’u ndeshur me bosët e vjetër të Acapulco, me një rigjallërim të dhunës në këtë lokalitet turistik. Ndërsa situata nxehej, ka hyrë në skenë një drogë e re, në të vërtetë e vjetër. Fentanyl është një opoid sintetik 30–40 herë më i fortë sesa heroina. Është krijuar më 1960 nga Janssen Pharmaceutics (sot një degë e Johnson & Johnson) si ilaç për dhembjet e tmerrshme të të sëmurëve terminalë me kancer. Është aq e fortë saqë DEA (agjencia amerikane antidrogë) i paralajmëron agjentët e saj se është i dëmshëm qoftë edhe kontakti i thjeshtë me substancën; mund të merret me tableta (emërtimi komercial: Duragesic, Actiq dhe Fentora), sprai, me thithje, me injektim, të përdoret si manikotë transdermike apo të përzihet me heroinë. Këngëtari Prince ka vdekur prej një mbidoze me Fentanyl; ashtu si 700 amerikanët e tjerë vitin e kaluar. Fentanyl është një vrasës versatile.
Trupi i Crystal Sharee Moulden është gjetur në një rrugë të shtetit Baltimore qershorin e kaluar. Nxënëses i ishte injektuar një dozë heroine të prerë me Fentanyl. Ishte 16 vjeç dhe me të gjitha 10-a në shkollë. Fotoja e nekrologjisë së saj tregon një vajzë të qeshur midis shoqeve të saj cheerleader. Në New Orleans, duke i qëndruar të dhënave të përcjella nga “The Times” – Picayune, në muajin e parë të 2016 viktimat e Fentanyl e kanë kaluar numrin e vrasjeve. Në Connecticut, vdekjet e lidhura me opoidin në fjalë janë rritur me 151 për qind midis 2014 e 2015 dhe u rritën me 70 për qind më shumë më 2016. Për narkosët, avantazhet e Fentanyl ndaj heroinës janë të mëdha. Para së gjithash, prodhohet në laborator, kështu që nuk hyjnë në punë fushat me lulëkuqe që mund të jenë objekt sulmesh, djegiesh apo sekuestrimesh. As hyjnë në punë qindra fshatarë për mbledhje dhe as nevoja për të blerë apo kontrolluar territore (hëm, jo territore për t’u kultivuar, por gjithsesi duhet kontrolluar aksesi në rrugët e shpërndarjes, nga këtu dhunat e reja në Kaliforninë e Poshtme ku përqindja e vrasjeve është trifishuar). Por janë fitimet që do ta bëjnë këtë substancë krakun e ri, derivacionin e kokainës që ka krijuar pasurinë e pafundme të karteleve meksikane në vitet tetëdhjetë e nëntëdhjetë. 1 kilogram Fentanyl mund të pritet nga 16 në 24 herë, duke prodhuar një fitim të jashtëzakonshëm për kapitalin e investuar: më shumë se 1 milion dollarë për kilogram, kundrejt 271 mijëve për kilogram për heroinën. Kështu që nuk habit fakti që sipas vlerësimeve të DEA-s importimi nga Meksika i tij është rritur me 66 për qind nga 2014 deri më sot. Duke qenë se shpesh përzihet me heroinën për t’ia rritur fuqinë, heroinomanët e paditur vdesin prej të njëjtave doza që më parë thjesht i bënin të ndjeheshin mirë. Ndihma e shpejtë, personeli i departamenteve spitalore të emergjencës dhe policët nuk e kuptojnë situatën dhe nuk e dinë se nevojitet një dozë e dyfishtë me Naloxon apo Narcan për të animuar një toksikodipendent me sistemin respirator të bllokuar nga Fentanyl. Ata që i mbijetojnë e rrisin nivelin e varësisë nga substanca. Kartelet e përziejnë me heroinë sepse sapo provohet kjo përzierje, askush nuk kthehet më tek “heroina e thjeshtë”, që papritmas nuk shkakton asnjë efekt.
Prodhimi ilegal i Fentanyl në laborator, shoqëruar me frakturën e Kartelit të Sinaloa, ka pasoja katastrofike për rendin publik e shoqërinë civile, por është një dhuratë e Zotit për narkosët që synojnë të prishin rendin e vjetër. Grupe të shkëputura si CJNG-ja mund ta shfrytëzojnë me lehtësi potencialin e madh fitimprurës të Fentanyl për të financuar rebelimin dhe fitimet do t’i inkurajonin të përdornin dhunën për të kontrolluar rrugët e shpërndarjes. IS-i është në rënie në Irak në pjesën më të madhe pasi nuk arrin të paguajë më luftëtarët e tij. Falë Fentanyl, narkosët e rinj nuk do ta kenë këtë problem. Shërben vetëm prirja ndaj dhunës dhe ajo nuk mungon. Meksika ka bërë pak për ta mbushur boshllëkun e krijuar nga rënia e Guzman. Për pasojë, nuk do të jenë 3 grupe që do të tentojnë fronin, por dhjetëra. Në anën amerikane, ngjitja e grupeve të shkëputura i komplikon operacionet e policisë që duan të lokalizojnë dhe kapin drogën. Nuk dihet më nga vjen dhe më keq akoma, se çfarë përmban. Fillimisht asnjeri nuk do të jetë në gjendje të thotë nëse bëhet fjalë për heroinë të pastër, heroinë të përzier me Fentanyl, Fentanyl të pastër apo të prerë kushedi se me çfarë. Do të mbretërojë kaosi farmakologjik. Për heroinën flitet për epidemi. Fentanyl do të jetë murtaja. Muajt e lirisë së Guzman pas korrikut 2015 kanë qenë një farsë. Ndërsa mediat lëshoheshin në një gjueti ndaj thesarit të pamatshëm (është në Kolumbi, në Kosta Rikë, në Los Angeles), inteligjenca meksikane dhe ajo amerikane sipas të gjitha gjasave qenë në korrent të lëvizjes së individit qysh nga momenti në të cilin nuk kishte dalë prej tunelit. Padyshim në vjeshtë autoritetet meksikane e dinin se Guzman frekuentonte qytetin bregdetar Los Mochis në shtetin Sinaloa, ku dhe më pas ka ndodhur kapja e tij. Nuk banonte në një vend të humbur, kishte shtëpi në një rrugë me 4 korsi, pak larg nga banesa e nënës së Guvernatorit të Sinaloa (nuk ju kujton pak Abbottabad, vendstrehimin e Osama Bin Laden?). Është e qartë se Guzman i është rritur mendja dhe ka qenë fatale influencimi nga buja mediatike. Ka botuar nëpërmjet djalit Ivan një foto në rrjetet sociale me vendndodhje Kosta Rikën. Menjëherë është hipotezuar se e kishte lënë Meksikën, edhe pse dikush si puna ime ka bërë me dije se edhe një qytet i shtetit Sinaloa quhet Kosta Rika.
Në një moment të caktuar Guzman ka kërcënuar se do të vrasë edhe Donald Trump (çuditërisht Trump nuk i është përgjigjur duke e etiketuar me nofkën përbuzëse, ndoshta pse, ndër të gjithë meksikanët e thirrur për të paguar për ndërtimin e murit. Guzman do ta kapte topin në ajër, duke qenë se do të rriste të ardhurat e tij). Pastaj ka zemëruar një numër njerëzish duke kërkuar që të marrë kontrollin e shitjes së brendshme të drogës, sidomos të heroinës, në dëm të shpërndarësve të pavarur të Sinaloa. Kjo lëvizje çuditërisht idiote ka krijuar një revoltë në pjesën jugore të shtetit, duke e penguar lirinë e lëvizjes së Guzman. Bandat që kontrollonin tregjet lokale nuk donin shkopinj në rrota dhe qenë të gatshme të përdornin automatikët për të mbrojtur portofolin, duke kërcënuar se do të hidhnin në erë minierën e arit – dhjetëra miliarda dollarë që ortakët e Guzman nxirrnin nga trafiku ndërkombëtar i heroinës, kokainës, metanfetaminës dhe në masë gjithnjë e më të vogël, marijuanës. Ortakët e Guzman në Kartelin e Sinaloa qenë ngopur tashmë me këto budallallëqe – për shembull, Ismael Zambada nuk mund ta duronte më statusin e tij të ri si celebritet mediatik – dhe qenë të gatshëm që ta kthenin prapa hekurave mikun e tyre të vjetër, ku do të kishte më shumë vështirësi për t’ua shkatërruar punët. Karteli duhet të ketë lidhur me qeverinë meksikane një pakt të kësaj natyre: na e hiqni qafe, bëni çfarë të doni, por mos e vrisni. Na sjell një mal me para dhe vazhdojmë të kemi lidhje të forta me familjen dhe me besnikët e tij. Të vetmit që nuk kanë mbetur të vrarë në aksionin që ka çuar në kapjen e re të Guzman kanë qenë vetë ai dhe krahu i djathtë i tij. Nëse mendoni se është rastësi, mendoni për tunelin. Ndërkohë kanë hyrë në skenë Sean Penn dhe Kate del Castillo, protagonistë të një burlesku të shëmtuar.
Del Castillo nuk e kishte fshehur admirimin e saj për Guzman, duke u deklaruar në rrjetet sociale se besonte tek ai më shumë sesa tek qeveritë dhe e nxiste që të ishte një Robin Hood bashkëkohor duke u bërë kështu “heroi i heronjve”. Dhe kishte shtuar: “Dua një trafik dashurie, ti e di sesi bëhet”. Guzman ishte shumë i interesuar për trafikun e dashurisë. Sigurisht, nuk ka qenë i pari që ka rënë në thes prej një aktoreje të bukur dhe ambicioze që synon të bëjë karrierë dhe nuk do të jetë i fundit, por të vjen keq që zotëria i drogës, më i fuqishëm i botës, krijuesi i një perandorie multimiliardëshe, të kapet nga një fytyrë e bukur. Pothuajse të ngjall mëshirë. Mesazhet e tij për Castillo janë patetike: “Kam tamam dëshirë që të njoh dhe të miqësohem me ty. Je gjëja më e bukur e botës”. I kërkon që të vijë ta takojë. “Besomë, do të jesh shumë mirë. Do të kujdesem për ty më shumë se për sytë e mi”. Del Castillo i përgjigjet: “Më mallëngjen fakti që do të kujdesesh për mua. Nuk ma ka bërë askush”. Guzman impenjohet bashkë me avokatët e tij që të komunikojë më lehtësisht me aktoren dhe këmbëngul që avokati t’i dhurojë një BlackBerry rozë që, për fatin e keq, kompania nuk e ka në prodhim. Pastaj Del Castillo informon avokatin se ka ndërmend që të marrë me vete edhe Sean Penn. Guzman nuk e dinte kush ishte Penn, por nuk donte t’i sfumonte takimi. “Bjere aktorin. Po deshe njerëz të tjerë, merri edhe ata”. Takohen më 2 tetor 2015. Disa ditë më vonë, me një operacion që autoritetet meksikane e kanë quajtur më pas të “lehtësuar” nga vizita e Del Castillo-Penn, por që ka më shumë gjasa të ketë qenë rezultati i përgjimeve telefonike nga ana amerikane, marinsat meksikanë sulmojnë rançin në të cilin Guzman ishte strehuar bashkë me dy kuzhinierët personalë të tij. Snajperët thonë se i kishin në shënjestër, por kanë pasur urdhrin që të mos qëllojnë sepse heroi ynë kishte një vajzë në krah që i shërbente si mburojë. Më 8 janar 2016, Guzman është kapur në Los Mochis. Autoriteteve nuk u është dashur gjë tjetër veçse të ndjekin majmunin.
Tamam kështu. Nuk ka qenë një aktor në Hollywood që e ka kapur Chapo Guzman. Nuk ka qenë as protagonistja sensuale e telenovelave që ka çuar në kapjen e tij të re në distancën e një viti nga “arratia” e tij “spektakolare”, e guximshme” (lexo: e stisur) nga një burg i sigurisë së lartë (nuk guxoj ta imagjinoj as nga një me siguri të ulët). Ka qenë një majmun. Guzman do t’u kërkonte që të kishte vendstrehimin e tij jo shumë të sigurtë majmunin e vajzave binjake, Boots dhe autoritetet meksikane janë vënë në dijeni. Kështu që inteligjenca meksikane dhe amerikane po e monitoronin tashmë Guzman në momentin e pelegrinazhit – farsë të Sean Penn dhe Kate del Castillo, pas të cilit Guzman, gjithmonë optimist, do të shkonte në Tijuana që të operohej prej keqfunksionimit erektor (Një histori e kësaj natyre është përtej çdo shpikjeje). Gjithsesi, nuk dihet nëse falë majmunit, yjeve apo interceptimeve amerikane, por marrëveshja ishte e vlefshme dhe marinsat meksikanë kanë ndërhyrë duke qëlluar. Disa orë më vonë një prej njerëzve më të fuqishëm të botës kërcente nga një tombino në mes të rrugës si urithi i ndjekur nga të shtënat e lojës së famshme të tavolinës. Dy policë i kanë gjuajtur duke zbuluar më pas – o Zot i madh – se çfarë u kishte rënë në dorë dhe janë frikësuar aq shumë saqë e kanë dorëzuar. Në Lindje të Mesme kemi zëvendësuar djallin që njihnim me djaj të panjohur. Në Meksikë djajtë që njihnim janë zëvendësuar nga një numër aq i madh djajsh që nuk do t’i njohim kurrë. Aftësia për të fshehur prodhimin (ndryshe nga plantacionet e marijuanës apo lulëkuqeve) dhe anonimati i garantuar nga komunikimet në mediat sociale do të krijojë anarki. Epoka e Kartelit mund të jetë afër fundit. Dhe Guzman në gjithë këtë? Sikur të mos dihej ajo që ka bërë, do të tundoheshim ta konsideronim një figurë tragjike, një personazh të Gabriel Garcia Marquez që jeton vitet e rënies nën hijen e shpresave të humbura të tij.
E kanë transferuar në një burg të Juarez, Cefereso Nr. 9, një strukturë e famshme për dhunën që mbretëron në të, në një qytet ku Guzman ka shumë armiq. Ministri i Jashtëm meksikan ia ka hapur rrugën ekstradimit të tij në Shtetet e Bashkuara, por rrugëtimi gjyqësor është ende i gjatë. Sipas thënieve të disa ekspertëve meksikanë që kam konsultuar do të duhen ende të paktën 2 vjet, nëse do të arrihet ndonjëherë tek ekstradimi. Personalisht dyshoj se Guzman do të ekstradohet, por nuk i dihet asnjëherë. Momentalisht mund të preferojë vetëvrasjen e asistuar në një qeli meksikane. Në burg tani ua japin paraprakisht qenve ushqimin e destinuar për të se mos është i helmuar dhe dy gardianë elitarë, me kamera GoPro në helmet, mbajnë të burgosurin nën shikim 24 orë në 24, 7 ditë në 7.
Mos ndiqni majmunin. Ndiqni bananen. Kështu Guzman është pas hekurave, ka mbaruar dhe ne kemi fituar. Pikërisht siç ka ndodhur me Saddam Hussein. Sipas “Los Angeles Times”, dy të tretat e zotërinjve meksikanë të drogës janë vrarë ose burgosur. Por me çfarë rezultati? Drogat janë të disponueshme në sasira më të bollshme, më të forta dhe më pak të shtrenjta se kurrë. Vdekjet nga mbidoza kanë arritur maksimumin historik. Në Meksikë dhuna, më parë në rënie, po rifiton terren. Pikërisht javën e kaluar kam parë fotot e kufomave të 4 njerëzve të ngjeshura në bagazhin e një makine në Tijuana. Në trupa qenë të dukshme shenjat e torturës. Dhuna e bandave rritet në të gjitha qytetet e mëdha amerikane, sidomos në Chicago e New York dhe luanët frikacakë të Kongresit nuk bëjnë asgjë lidhur me drogat apo me armët që ushqejnë dhe mundësojnë vrasjet dhe të vdekurit: është më shumë nga sa ka ëndërruar IS-i. Të duket sikur jemi kthyer prapa në kohë. Do të ketë telefonata dhe të vdekur të tjerë nga mbidoza. Dikush do ta zëvendësojë El Chapo, tamam ashtu si ai ka zëvendësuar paraardhësit e tij. Unë vë bast për El Mencho, por në të vërtetë nuk ka rëndësi se kush është. Historia përsëritet në pafundësi, në shekujt e shekujve, amin. Guzman kishte të drejtë: “Sikur të mos ekzistonte konsumi, nuk do të ekzistonte shitja”. Më habit gjithmonë fakti që progresistët mijëvjeçarë bojkotojnë një supermarket pse nuk blen kafe të çertifikuar nga tregtia e barabartë dhe solidare, por më pas kthehen në shtëpi që të bëjnë drogat, të cilat u vijnë nga vrasës, torturues dhe sadistë të karteleve. Jemi të varur nga lufta ndaj drogës po aq sa jemi nga vetë drogat. Sistemi ynë gjyqësor është një makinë e ushqyer nga qindra mijëra arrestime, procese dhe burgime. Deri kur Shtetet e Bashkuara dhe Europa do të vazhdojnë të blejnë drogë për miliarda dollarë në vit, duke shpenzuar ndërkohë miliarda për ta ndaluar, do të krijojmë një seri të pafundme personazhesh si Chapo dhe Mencho. Një ekonomi e tërë bazohet mbi ndalimin e drogës dhe dënimet lidhur me të, një gjë si 50 miliardë dollarë në vit, më shumë se dyfishi i 22 miliardëve që sipas vlerësimeve shpenzojmë për heroinën. Janë një mal me para. Është e pashmangshme që të ketë një Guzman tjetër, por nga ana e tij do të jetë një deviator. Mos ndiqni majmunin. Ndiqni bananen.

(Don Winslow për “Esquire”)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA