Çadra ndan dy botë

128

Frrok ÇUPI

Gazeta, nga më të famshmet e botës, sidomos për opinione, “The Spectator” ka shkruar sot një shkrim të gjatë mbi Shqipërinë  dhe që në  fillim ndalet në bulevardin ku ngrihet Çadra. Në fakt nuk shkruan për protestën e sotme, por për  “rrënjët” e saj. Duket si magjike; gazetarët amerikan nuk mund të kalonin pa prekur te ‘Çadra’… Çadra tani është kthyer në “kult”; aty ndahen (dmth., bashkohen) dy botë.
Botët e një tmerri që akoma nuk ka kaluar:
Në janar të vitit 2011 këtu u vranë 4 njerëz dhe u plagosën 150. Në emër të Partisë Socialiste ishte organizuar një demonstratë e madhe nën thirrjen “o jetë, o vdekje” kundër qeverisë së Partisë Demokratike. Vetëm kur u vranë katër, atëherë lideri thërriti “tërheqjen” e trupave. Ata që mbetën në fushën e betejës, sigurisht, nuk ishin trupa-si në çdo betejë…
Ngritja e Çadrës së oponencës kundër asaj demonstrate, duket si një “mallkim” për ata që prinë demonstratën e dhunshme. Frika që ka qeveria e sotme, e cila dy vjet pas vitit 2011 doli nga ajo demonstratë e dhunshme, mbi të gjitha bazohet në mundësinë e zbulimit të të vërtetës së 21 janarit të vitit 2011.
Prapë, edhe vetë kjo frikë, ndan dy botë; por pikërisht këtu te Çadra:
Demonstrata e 21 janarit u organizua nga miliarderi amerikan George Soros-shkruan sot “Spectator”. Ai kishte hyrë në rrugën për të ringjallur të majtën e mbetur nga Politbyroja komuniste; por ringjallje përmes dhunës. Strategjia e Soros doli me sukses në vitin 2011 në bulevardin e Tiranës, por jo vetëm këtu: Në Maqedoni, ka krijuar një situatë dhune dhe përplasjesh ballkanike. Vetë qeveria e Tiranës me mikun e Soros në krye (Rama) po nxit trazira në Maqedoni. Parulla e qeverisë së Tiranës (Soros) se këtu pritet “pushtimi” nga Rusia është e studiuar hollë në kuadrin e strategjisë së Soros për një “përleshje të dhunshme” në fund të epokës së Soros, por në perandorinë e Soros-it. Lindja komuniste dhe sidomos Ballkani, u kthyen në plasdarm të ideve të ringjalljes  së të majtës, me dhunë që në vitin 1992.
Tani ndodhemi para këtij fakti: O Çadra do të fitojë, dmth., fitojnë përpjekjet e Presidentit Trump dhe të populistëve perëndimorë kundër strategjisë së dhunës së Soros, o humb Çadra dhe vazhdon strategjia e 21 janarit…, dhe më tutje.
Botët që janë të ndërthurura brenda të të njëjtit komb ose të të njëjtës qeveri.
Shumë njerëz e morën me “të lehtë” deklaratën e pardjeshme të zotit Gabriel, ministër i Jashtëm i Gjermanisë, i cili gati sa nuk tha: “Merreni Çadrën dhe hidheni në lumë”. Me vete, me siguri që e ka thënë; por jo me zë të lartë. Zoti Gabriel është një majtist i shpallur, pjesë e strategjisë së Soros, “kalë Troje” në një qeveri të djathtë Kristian-Demokrate në Gjermani. Me atë që bëri kundër Çadrës, sigurisht bëri të vetën; ai ashtu është. Mirëpo edhe Çadra kështu është!, këtu ndahen të dy botët. O fiton Çadra, o fiton “Gabriel”.
Europa tashmë është kthyer në një “fushë betejë”- siç tha dje kryeministri hungarez, skeptik ndaj Europës-zoti Viktor Orban. Në këtë betejë ndodhen përballë “Gabrielët” dhe të tjerët që duan të pastrojnë “moçalin” që kanë krijuar elitat e dështuara qeverisëse prej kaq vitesh (disa numërojnë se e krijuan prej 70 vjetësh). Kombet e Europës Perëndimore janë ngritur më këmbë për të larguar këto qeveri të demagogjisë, të premtimeve boshe, të korrupsionit dhe krimit; qeveri që kanë cenuar sovranitetin dhe vlerat e kombeve të tyre.
Europa Perëndimore është thuajse në hapat e fundit të largimit të kësaj specieje. Gjermania vetë nuk do të jetë kjo Gjermani që është sot, pas zgjedhjeve të shtatorit; vetë Gabriel kushedi ku do të jetë, por jo në qeverisje. Franca ndahet prej kësaj “bote” që më datë 23 prill ku pritet fitorja e euro-skeptikëve. Në Itali situata është ngarkuar kundër kësaj lloj qeverisjeje në ‘sëamp’ dhe priten zgjedhjet e ardhshme për të vendosur. Hungaria dhe Polonia thuajse janë jashtë çdo paragrafi të BE. Britania doli si lider i ndryshimit; sot ka shpallur zgjedhje të parakohshme parlamentare me qëllim që të mos i mbetet nam as nishan i species “Gabriel”.
Eruopa është një fushë-betejë; dhe kjo vjen e përplaset këtu te Çadra. Specie të qeverisë “moçal” tentojnë me forcë që të mbajnë më këmbë një qeveri të pabesueshme në Tiranë, vetëm pse ajo është e llojit të atyre që po bien. Këtu janë përplasur marksistë të BE, si Mogherini, Lajcak, Frenckenstein, Fule, etj.
O bie, o fiton e keqja në Europë! Çuditërisht paradigma përplaset mbi këtë Çadër.
Botët që presin një gjë që e ndjejnë por nuk e dinë.
Edhe brenda përbrenda nesh; dmth., mes politikës së vendit, dy botë ndahen te Çadra. Duket si një “lojë” kjo që bën Ilir Meta si aleat i Edi Ramës në pushtet. Në fakt nuk është e tillë. Ajo që ndodh me “aleatin” është si një lloj “materniteti”, ku LSI aleate pret të lindë një gjë tjetër. Jo vetëm, sigurisht, por të lindë e ngarkuar nga ‘Çadra’. Nuk jam i sigurt se sa e ka kuptuar botën që po bie, por LSI duket se ndjen që diçka tjetër do të jetë nesër; jo kjo që është sot. Domethënë e di se nesër nuk mund të jetë qeveria e Rilindjes, e formatuar si repart dhune nga Soros e të tjerë, sipas “The Spectator”. LSI, sigurisht, po pret edhe çfarë do të ndodhë me Çadrën dhe Presidentin Trump në Amerikë; nuk mund të ketë rrugë tjetër.
E njëjta psikozë vihet në lëvizje edhe në rrethanat rajonale. Të gjitha kanë ngrirë në pritje të një “Gjëje”. Po cila është kjo “gjë”? Vetëm ndjehet. Po pret Maqedonia për të zgjidhur krizën që në fakt është as etnike as politike, por sorosiane. Po pret Serbia: të pranojë një atitude alias Millosheviç apo të mos e pranojë. Po pret Ukraina dhe Krimeja, që duket se janë ngrirë si “krushqit e Eposit”. Qeveria e Shqipërisë është udhëzuar nga Soros që të provokojë me “pushtim rus”, me “trazira ballkanike”, me “bashkim me Kosovën”. Provokimi ka për qëllim që të zbulojë: Si reagojnë të dy botët këtu.
Te Çadra vijnë e shkojnë të gjitha.