320 mijë USD të tjerë për Vilmën dhe drejtoreshën e Ramës

204

Të tjera hije skandali me sfond lidhjet e pastra klienteliste në pushtet shfaqen në aferat korruptive që kanë mbuluar sektorin publik të shëndetësisë në vitet e fundit.
Sipas dokumentave të publikuara në portalin Hashtag.al, Shpresa Bello, aktualisht në detyrën e drejtoreshës së Farmaceutikës në Ministrinë e Shëndetësisë mësohet se në katër vitet e fundit ka përfituar miliarda lekë nga koncesionet dhe prokurimet e kryera nga Ministria ku aktualisht është drejtuese e lartë.
Gjithçka falë kompanisë farmaceutike të lidhur me familjen Bello.
Sipas Hashtag.al, kompania ‘Pegasus’ shpk, e cila në ditët në vazhdim pritet të shpallet fituese e koncesionit të laboratorëve, aktualisht është në pronësi 100% të shtetasit Janis Karathanos.
Por më herët, po sipas Hashtag.al dhe një dokumenti që ky portal ka siguruar, “Pegasus” Shpk, ka pasur si drejtuese shtetasen, Nazife Bello.
Nazife Bello sipas të dhënave të siguruara është mamaja e znj. Shpresa Bello, aktualisht drejtoreshë e Farmaceutikës në Ministrinë e Shëndetësisë.
Në vitin 2013, kompania “Pegasus” e ka shpërblyer znj. Bello me një bonus prej 114 mijë eurosh, për punën e mirë që ajo ka bërë në krye të kompanisë.
Por ajo që të bën përshtypje në dokumentet e siguruara dhe që përforcon bindjen se kemi të bëjmë me lidhje klienteliste në majat e pushtetit, është fakti se kompania “Pegasus” ku më herët drejtonte shtetasja Nazife Bello, mamaja e drejtoreshës aktuale të Farmaceutikës në Ministrinë e Shendetësisë znj. Shpresa Bello, ka një bashkëpunim të rëndësishëm me koncesionin e shumëpërfolur të Check-Up-it, të fituar nga biznesmenia Vilma Nushi.
Po sipas një raporti auditimi të kompanisë ‘Deloitte&Touche’ për koncesionin  e ‘Check-Up’-it, në vitin 2013 kompania ‘Pegasus’ i ka dhuruar znj. Nushi pajisjet laboratorike për ‘Check-Up’-in, ndërsa znj. Nushi në këmbim ka pasur detyrimin që të blejë tek firma ‘Pegasus’ të gjithë reagentët që i duheshin. Ku mësohet se granti i deklaruar midis dy kompanive është rreth 320 mijë dollarë.
Një tjetër përfitim i rëndësishëm i firmës ‘Pegasus’ është koncesioni 2-vjeçar 2016-2018, për transfuzionin e gjakut, një biznes i cili kap shifrën e 1.3 milionë dollarëve.
Ndonëse Qendra e Transfuzionit të Gjakut e ka paraqitur këtë kontratë si një prokurim, përtej kundërshtive të ekspertëve rezulton se marrëveshja në fakt është një kontratë ekskluzive koncesionare 2-vjeçare.
Nga ana tjetër, shqyrtimi i prokurimeve publike në vitet 2013-2016, tregon se kompania ‘Pegasus’, e lidhur me drejtoreshën Bello, ka përfituar tendera në vlerën e 3.5 milionë dollarëve nga disa institucione spitalore.

Kush është Shpresa Bello

Shpresa Bello është aktualisht drejtoreshë e Farmaceutikës në Ministrinë e Shëndetësisë. Ajo është vajza e z. Pajtim Bello, ish zv/ ministër i Energjetikës në qeveritë e majta. Mësohet se znj. Bello e ka përfunduar arsimin e lartë për Farmaceutikë në Institucionin e Arsimit të Lartë Jo Publik “Kristal”, i cili më pas u mbyll për shkak të skandalit me diplomat e falsifikuara. Thuhet se znj. Bello ka dështuar dy herë për të marrë Provimin e Shtetit për të përfituar licencën e farmacistes, por e fitoi këtë licencë pasi u shpall drejtoreshë e Farmaceutikës në vitin 2014, si anëtare e Komisionit të Provimit të Shtetit.