3 kg heroinë me makinë nga Shqipëria kapen në Greqi

50

Një sasi e konsiderueshme heroine është sekuestruar nga policia greke ditën e djeshme dhe janë arrestuar dy persona. Mediat greke shkruajnë se, ngarkesa e drogës u kap në Igumenicë. Bëhet fjalë për 3 kilogramë heroinë që transportohej me makinë. Në pranga ranë një 32-vjeçar shqiptar dhe një 37-vjeçare greke. Heroina ishte ndarë në 6 pako të ndryshme dhe ishte fshehur në kofnon e makinës.
Automjeti me drogë është ndaluar në afërsi të fshatit Asproklis në Igumenicë. Në mjetin që policia ndaloi, u gjetën dhe sekuestruan mbi 3 kg heroinë. Droga ishte e futur pranë motorit të mjetit, e ndarë në 6 pako me 3 kg 162 gramë heroinë. Rezultoi se shqiptari i arrestuar ishte arratisur nga burgu i Malandrinos në Greqi, më 13.09.2016 ku vuante dënimin për trafik droge.
Trafiku i drogës është rritur së tepërmi gjatë ditëve të fundit edhe drejt Italisë. Një sasi rekord droge prej 3.5 ton është sekuestruar nga policia italiane në dy operacione të ndryshme brenda 24 orësh. Në të dyja rastet, droga që në total kap një vlerë prej 20 milionë eurosh, vinte nga Shqipëria për në brigjet italiane. Policia italiane sekuestroi fillimisht në Abruzo një sasi rekord marijuane prej dy tonësh me një vlerë prej 10 milionë eurosh që sipas hetuesve italianë vinte nga Shqipëria. Hetimet kishin nisur para disa ditësh, kur 50-vjeçari italian nga Brindizi me inicialet G.C u ndalua për një kontroll rrugor rutinë.
Ditët në vijim, karabinierët kanë vazhduar të monitorojnë lëvizjet e tij, duke vënë re se ai bënte udhëtime të shpeshta nga Rozeto deli Abruzi në Fosacesia. Pikërisht duke ndjekur këto lëvizje karabinierët italianë zbuluan në një depozitë në fshat një sasi droge. Dy ton marijuanë që u zbuluan dhe më pas sekuestruan ishin ndarë në pako prej 20 kilogramësh secili dhe ishin fshehur në një furgon. Në të njëjtin operacion, agjentët e policisë sekuestruan dhe një gomone me një gjatësi prej 10 metrash të pajisur me dy motorë jashtë bordit.