Tre fshatra në Fier, protestë kundër impiantit të plehrave

331

Ndërtimi i impiantit të plehrave në zonën e tyre ka zemëruar banorët e fshatrave Verri, Kallm i Madh dhe Kallm i Vogël, të cilët paraditen e djeshme kanë protestuar, duke shkuar tek vendi ku firma ka nisur punimet. Banorët pohojnë se nuk janë dakort me ndërtimin e këtij impianti në zonën e tyre, pasi ata janë zemra e Myzeqesë, janë kryesorët e prodhimit të zarzavateve e perimeve si dhe të qumështit.
Ata pohojnë se, prodhohen 20 mijë litra qumësht që merren nga dy firma të mëdha e shiten në të gjithë Shqipërinë, janë mijëra kuintal prodhime zarzavate e perime që shiten në çdo cep të Shqipërisë, atëherë me ndërtimin e impiantit të plehrave jo vetëm ne si banorë jemi të rrezikuar, por gjithë shqiptarët, thonë ata për alb365.
Nga ana tjetër, përfaqësues të firmës që po kryenin punimet kanë pasur debat me disa persona që ishin edhe pronarë toke, pasi sipas pronarëve të tokës, ata nuk e kanë shitur tokën dhe punimet kanë filluar në tokën e tyre pa marrë OK-in e pronarëve, kur pronarët u kanë thënë që në tokë të mbjellë nuk do hyjë makineri.
Banorët pohojnë se, protestat do të vazhdojnë derisa të mos ndërtohet impianti i përpunimit të plehrave jo në Verri, por as në Myzeqe.