Të parët në Europë për azil edhe në vitin 2016

114

Edhe pse me një përgjysmim të numrit të azilkërkuesve në vitin 2016 në raport me vitin e mëparshëm, Shqipëria është vendi europian që pati numrin më të lartë të azilkërkuesve në mesin e 28 vendeve të BE-së vitin e kaluar.
Sipas të dhënave të EUROSTAT, 28 mijë e 925 shqiptarë kërkuan azil për herë të parë në BE në vitin 2016. Pas Shqipërisë, për numrin e lartë të azilantëve europianë brenda Europës ishte Rusia me rreth 23 mijë azilkërkues. Më pas, për nga numri i lartë ishte Ukraina me 11,090 persona e ndjekur nga Turqia me 10 mijë e 100 persona.
Në renditje vjen më pas Kosova me mbi 89 mijë azilkërkues rishtaz në BE më 2016.
Vendet e preferuara të shqiptarëve për azil edhe vitin e kaluar mbeten Gjermania dhe Franca me nga 14, 855 dhe 6,850 azilkërkues secila.
Por harta e emigracionit u ndesh me një risi në vitin 2016, ku shqiptarët iu rikthyen azilit ekonomik në Greqi, edhe pse ekonomia e vendit fqinjë është ende në pasojat e krizës ekonomike.
EUROSTAT zbulon se gjatë vitit 2016, rreth 1300 shtetas shqiptarë kërkuan azil ekonomik në Greqi. Vende të tjera europiane të preferuara për azil nga shqiptarët qenë Britania e Madhe, Holanda dhe Suedia.
Edhe më 2015, Shqipëria dhe Kosova ishin dy shtetet e Europës Lindore që kanë kryesuar në kërkesat e tyre për azil në BE.
Kosova dhe Shqipëria ishin përkatësisht në vendin e katërt dhe të pestë për kërkesat për azil (duke përbërë secila nga 5% të totalit) për vitin 2015, pas tri shteteve që i ikin luftës: Siria, Afganistani dhe Iraku. Madje raporti vë në dukje se Europa mori pothuajse të njëjtin numër të aplikimeve për azil nga Shqipëria dhe Kosova së bashku, sa mori dhe nga Iraku. Nga Shqipëria në Gjermani kishte 54 mijë azilkërkues.
Rikthimi i fenomenit masiv të emigracionit dy vitet e fundit po ndikon negativisht forcën e punës, rënien e lindshmërisë dhe plakjen e popullsisë.