Tahiri në Prokurori për dhunën e Shullazit ndaj dy profesorëve

112

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të thirret në Prokurori për dosjen e Emiljano Shullazit dhe bandës së tij. Bëhet e ditur se, dy prokurorët Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi, i kanë dërguar flet-thirrje ministrit Tahiri, për t’u paraqitur pranë organit të akuzës. Mësohet se Tahiri do të merret në pyetje si dëshmitar me cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen e kërcënimit nga banda e Shullazit të dy profesorëve Dhori Kule dhe Mynyr Koni që të mos kandidonin për Rektor të Universitetit të Tiranës që t’i hapnin rrugë pedagoges Klodeta Dibra, anëtare socialiste në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Burimet thonë se, Saimir Tahiri, do të japë shpjegime për bisedën me dy profesorët Koni e Kule, pasi këta të fundit gjatë marrjes në pyetje, kanë deklaruar se ka qenë ministri Tahiri, ai që i ka premtuar zgjidhjen e çështjes, por çështja jo vetëm që nuk është zgjidhur nga Tahiri, por përkundrazi, banda e Shullazit ka vijuar kërcënimet dhe terrorin ndaj dy profesorëve të njohur. Shullazi është ndaluar nga policia pas reagimit të ish-Kryeministrit Berisha, i cili denoncoi në një postim në Facebook kërcënimet e Bandës së Shullazit ndaj dy profesorëve.
Në procesverbalin e deklarimeve, mes tjerash, dy profesorët janë shprehur se pas kërcënimit nga një grup personash në oborrin e një hoteli të njohur, ata janë kontaktuar nga drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj. Ky i fundit, thonë profesorët, i ka shoqëruar për një takim me ministrin Tahiri. Gjatë këtij takimi, dy profesorët kanë pretenduar se ministri, pasi është vënë në dijeni për kërcënimin, i ka premtuar profesorëve zgjidhjen e çështjes dhe zbardhjen e ngjarjes. Për këtë fakt, burimet thonë, se Tahiri do të japë shpjegime para prokurorëve të çështjes pse policia nuk ka reaguar për ndalimin e Shullazit.
Për kërcënimin e profesorëve Koni e Kule, Prokuroria mësohet se ka pyetur edhe drejtorin e Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj. Ky i fundit, thonë burimet, ka shpjeguar para hetuesve për të gjitha procedurat e ndjekura që nga momenti i marrjes në dijeni për kërcënimin e deri te shoqërimi i Emiljano Shullazit dhe më pas arrestimin e tij. Mësohet se Hodaj, ka treguar edhe për hetimet operative që policia ka kryer ndaj këtij personi apo dyshuarve si pjesëtarë të bandës së tij.

Dosja “Shullazi”, merren në pyetje zyrtarë e gjyqtarë

Prokuroria për Krime të Rënda ka marrë në pyetje 20 persona me cilësinë e dëshmitarëve ndaj Shullazit. Bëhet e ditur se në pyetje janë marrë gjyqtarë, avokatë, drejtues të Hipotekave, profesorë, zyrtarë të administratës, punonjës policie, tregtarë e persona të tjerë, për llogari të dosjes së Emiljano Shullazit dhe të dyshuarve si pjesëtar të bandës së tij. Bëhet e ditur se dy prokurorët, Elisabeta Imeraj e Ened Nakuçi, të cilët prej muajsh po hetojnë bëmat e Emiljano Shullazit, për llogari të këtij hetimi kanë nisur marrjen në pyetje të personave të ndryshëm, me cilësinë e dëshmitarëve.
Burimet thonë se në Prokurori janë pyetur drejtues të Hipotekës së Tiranës e Durrësit, në lidhje me regjistrimin dhe çregjistrimin e ish-hotel “Vollgës”, të cilët dyshohet se kanë marrë kërcënime nga persona të ndryshëm. Për llogari të dosjes, mësohet se janë pyetur edhe gjyqtarë të Gjykatës së Durrësit, ish-kancelarë e sekretare gjyqësore, që kanë kryer veprimet në lidhje me ish-hotel “Vollgën”. Në Prokurori, burimet thonë se janë pyetur edhe avokatët, mes tyre edhe ish-mbrojtësi i Ylvi Beqajt, i cili e ka prezantuar këtë të fundit me Emiljano Shullazin, për të zgjidhur problemin e proceseve gjyqësore për regjistrimin e ish-hotel “Vollgës” në Durrës.
Me cilësinë e dëshmitarëve, janë pyetur në Prokurori edhe punonjës të ndryshëm të administratës mes tyre edhe punonjës policie, që kanë kryer veprimet paraprake për hetimin e Emiljano Shullazit. Për llogari të këtyre hetimeve, mësohet se Prokuroria ka pyetur edhe profesor të njohur, të cilët kanë qenë bashkë me profesor Mynyr Koni, në momentin kur ky i fundit është kanosur për t’u tërhequr nga gara për rektor të Universitetit të Tiranës.

Dëshmia për Shullazin, Tahiri refuzoi fillimisht Prokurorinë

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është thirrur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për të dëshmuar në kuadër të hetimeve ndaj Emiljano Shullazit dhe bandës së tij. Bëhet e ditur se Tahiri është kontaktuar javën e kaluar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke i kërkuar që të paraqitej vullnetarisht për të dhënë deklarimin e tij për çështjen Shullazi, por ish-ministri ka refuzuar që të paraqitej në Prokurori dhe kërkoi që t’i dërgohej një njoftim me shkrim.
Tahirit i kërkohet të dëshmojë për rastin e Emiljano Shullazit, për mënyrën sesi i ka mësuar kërcënimet që Shullazi i ka bërë rektorit Mynyr Koni dhe rektorit Dhore Kule gjatë procesit të zgjedhjeve në universitete dhe se ç’masa mori për këtë çështje.
Në procesverbalin e deklarimeve, mes tjerash, dy profesorët janë shprehur se pas kërcënimit nga një grup personash në oborrin e një hoteli të njohur, ata janë kontaktuar nga drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj. Ky i fundit, thonë profesorët, i ka shoqëruar për një takim me ministrin Tahiri. Gjatë këtij takimi, dy profesorët kanë pretenduar se ministri, pasi është vënë në dijeni për kërcënimin, i ka premtuar profesorëve zgjidhjen e çështjes dhe zbardhjen e ngjarjes. Për këtë fakt, burimet thonë, se Tahiri do të japë shpjegime para prokurorëve të çështjes pse policia nuk ka reaguar për ndalimin e Shullazit.