Si mashtron monstra Xhafa, dëshmi të reja për torturat

191

Arman MAHO

Fatmir Xhafa, gënjeu dje në të vetmen dalje publike, që pas publikimit të dëshmive rreth torturave që ai ka ushtruar në kohën kur ka qenë hetues i diktaturës. Në tymnajën që ai rrekej të sajonte, sikur desh të thoshte madje se ska punuar fare hetues dhe e gjithë çështja e grupit që festoi për vdekjen e Enver Hoxhës nuk ka ekzistuar. Për të pasur një ide ja se çfarë tha dje, Xhafa i Rilindjes “Në fund të vitit 1985, jam larguar përfundimisht nga puna në organet e sistemit të drejtësisë në moshën 26­vjeçare. Sikurse del qartë nga këto fakte, asnjë ditë të jetës sime nuk kam shërbyer në strukturat e sistemit të Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme të asaj kohe dhe as në organet e hetimit që ishin pjesë e Ministrisë së Brendshme. Këto ditë, kam dëgjuar në media, gjëra absurde që nuk kanë të bëjnë fare me personin tim. Një shtetas shqiptar me banim jashtë atdheut pretendon me mesazhe e telefonata të porositura se në vitin 1986, e paskam dhunuar apo torturuar, vit në të cilin, unë nuk kam qenë fare në punë në organet e drejtësisë të asaj kohe”.

Dokumentet

Në portalin opinion.al, në një shkrim të gazetares Desada Metaj, publikohet dhe një dosje që në fakt ska të bëjë me një çështje politike, por me një shpërdorim detyre (në fakt shumë çështje politike, ktheheshin në çështje ordinere për të denigruar viktimat), për një shitëse atje. Dokumentat tregojnë se shkresa e fundit që është dërguar në lidhje me këtë çështje, është data 2 shkurt 1986, dhe është një shkresë që i dërgohet Kontroll Revizionit të Komitetit Ekzekutiv Krujë, në ngarkim të shtetases në fjalë. Më tej, në të gjithë dokumentacionin e sipërpërmendur, ngado shihet firma e hetuesit Fatmir Xhafa. Vendimi për fillimin e çështjes nga Fatmir Xhafa është marrë në 9 shtator të vitit 1989, dhe  në dëshmitë e marra shihet qartë se hetues i çështjes është Fatmir Xhafa, dhe i pranishëm shoku i tij i asaj kohe Kujtim Luli. Një skenë e përshkruar kjo dhe nga Xhavit Koni në dëshminë e tij, kur shprehej se përgjithësisht Luli mbante shënime, ndërsa Xhafa merrte në pyetje. Në dokumentin e paraqitur vërehet qartë emri dhe firma e shkruar me dorën e vetë hetuesit Fatmir Xhafa.

Akuza që prodhoi një të vdekur

Por sërish ekzistojnë disa, dyshime mbi deklaratat e Xhafës. Thuajse i tërë qyteti i Krujës, pohon se Xhafa ka qenë hetuesi i çështjes së katër të rinjve që festuan për vdekjen e diktatorit. Kjo çështje përveçse prodhoi një të vdekur, atë të inxhinierit Haki Sena, por u dënuan me gjithsesj 50 vjet burg dhe tre të rinj. Adem Sula, Arben Duka dhe Lulzim Sena. Çështja e tyre ka përfunduar në peridhën maj–nëntor 1986, ndërsa Xhafa, shprehet se ka dalë nga sistemi i drejtësisë në dhjetor të vitit 1985. Atëherë, kush i mori në pyetje këta të rinj. Dëshmitarët e pyetur deri më tani identifikojnë dyshen, Xhafa-Luli në çdo rast. Qoftë Xhavit Koni, qoftë Valbona Duka dhe i fundit Adem Sula, një prej të akuzuarve të proçesit.
Në rast se Fatmir Xhafa deklaron se nuk i njeh personat, po kolegu i tij Kujtim Luli i njeh! Fatmir Xhafa sillet sikur kjo çështje nuk ka ekzistuar kurrë, në fakt në mentalitetin e tij prej hetuesi të diktaturës viktimat asnjëherë nuk ekzistonin. Megjithëse dëshmitarët dalin çdo ditë, ai sërish kërkon të na mbushë mendjen se nuk ka punuar për asnjë ditë në organet e akuzës. Në fakt, ngjarja në fjalë është mirëfilli politike, dhe duke qenë  se ka ndodhur vetëm 30 vjet më parë, dëshmitrarët janë ende gjallë. Ata dëshmojnë se Xhafa ka qenë hetues, dhe ka përdorur të njëjtin standard marrjesh në pyetje si për proçestë politike ashtu dhe për të tjerat. Xhafa ka qenë një torturues dhe një xhelat, pavarësisht atyre çka thotë sot 30 vjet më mbas. Sot, ai flet për filozofi qeverisëse dhe shtetin e së drejtës, por është sërish ai që dje fliste me gjuhën e kërbaçit. Gjithsesi ende asgjë nuk ka mbaruar, dhe do dalin fakte të tjera. Siç e tha dhe vetë, në Krujë e njohin  mirë kush është. Ende nuk e kanë harruar tmerrin kur e shihnin xhelatin e ri rrugëve!
Fatmir Xhafën nuk do ta shpëtojë nga pesha e krimeve të tij as votimi në Parlament dhe asnjë vendim tjetër. Fatmir Xhafa do të përgjigjet për krimet e tij me gjyqin që shqiptarët po i bëjnë publikisht. Dëshmi të reja të torturave të tij ndaj qytetarëve të Krujës do të dalin gjatë ditëve të ardhshme. Nuk janë janë vetëm dy ata që ka torturuar Fatmir Xhafa. Ata janë të shumtë dhe për fat janë gjallë dhe të gatshëm që të përballen.