Shteti mes dhive

117

Frrok Çupi

Ngaqë shteti është rrëzuar, kemi dëshirë të mos e pranojmë realitetin dhe ta quajmë shtetin Altar, dmth., të naltë e të praruar….
Në fakt ne të gjithëve na intereson që të mendojmë se kemi shtet. Kjo është cilësi e një kombi të mirë, që nuk i meriton ato çfarë kanë thënë ata teoricienë që nuk na kanë njohur nga afër, sikur ne shqiptarët nuk qenkemi “shtet-formues”.
Edhe tani që shteti është shtrirë përdhe, ne po e mendojmë sikur “e kemi”. Do të ishte keq për ne sikur t’i themi vetes të vërtetën mbi situatën e rëndë të shtetit. Megjithatë më mirë që e mbajmë si “altar”, edhe pse asgjë nuk ka si prej hirësie dhe nderimi në këtë shtet.
Si altar!? Shteti?! … Më erdhi në mendje pikërisht kjo pamje që na ka krijuar para syve tanë një nga meshtarët dhe filozofët në dobi të shqiptarëve, At Domeniko Pazi. Aty nga fillimet e shekullit 19, duke përshkruar Shqipërinë ku shërbeu për një kohë të gjatë, ai pat shkruar kështu:
Për Altarin, “është e vështirë të gjesh mënyrën për ta thënë meshën ashtu siç duhet. Shumë herë, jashtë është e pamundur për shkak të motit. Mbetet vetëm ndonjë dhomë, por në përgjithësi janë krejt pa orendi…, nganjëherë duhet të qëndrosh në mes të tymit, sepse mungojnë oxhaqet, dritaret, etj. Pastaj mes kafshëve që janë një rrezik i vërtetë. Dhia ose delja, papritur, mund të rrëzojnë Altarin. Pulat zgjohen dhe duke mos gjetur shteg ku të kalojnë, të fikin qiriun a të të hedhin tutje naforën…”.
Sikur ta kishte shkruar sot pasdite, At Domeniko Pazi… Altar është dhe shteti; të paktën për ne shqiptarët që e kemi pasur dhe e kemi nevojë jetike shtetin dhe shtetin-komb, Shteti është Altar. Edhe tani që ka rënë mes dhive, shtetin prapë e mbajmë si altar.
Sot pasdite, “dhitë” që bëjnë Kuvendin, qeverinë, krekosjen nëpër parti, mburrjen para grave nëpër vilat…, të gjitha këto e fikën edhe qiriun e kryetarit të shtetit. Ai mori në dorë një “naforë” (sipas At Pazit), që në gjuhën e shtetit quhet “dekret” dhe dëshmoi se dhitë nuk e lënë që të ushtrojë vullnetin e shtetit. Vullneti i shtetit-tha Presidenti-nuk e do që kryetari i tij të firmosë një ministër të pa përshtatshëm. Ministri është akuzuar direkt se ka ushtruar dhunë çnjerëzore mbi njerëzit në ditët e diktaturës komuniste. Nuk ka kaluar gjë më të rëndë se komunizmin ky komb i rraskapitur nën dhunë. Por tjetri, xhelat, bëhet ministër në vathën e dhive. Kryetari i Shtetit nuk ka fuqi ligjore që ta ndalojë. Vetë kryetari i shtetit nuk ekzistoka në “Ungjillin” e shtetit që është Kushtetuta. Kur nuk ekziston kryetari, çfarë mund të jetë shteti? Sot nuk ndalon dot një të keqe që vjen me një ministër… Nesër kush do ta ndalojë Luftën-e keqe tjetër? Kush do të ngrejë më këmbë popullin në rast tjetër rreziku?… Me rrëzimin e shtetit, vetë Presidenti ka humbur edhe të drejtën e tij natyrore: Thotë se ka të drejtë të dekretojë, por nuk ka të drejtë të mos dekretojë! Kryetari i Shtetit nuk ka fuqi; atëherë ky është qiriu i fundit që kanë fikur dhitë rreth altarit.
Kësaj here ka ndodhur që “meshtari” si At Pazi, ose edhe një filozof tjetër kombëtar, ta ketë konstatuar Altarin mes dhive, jo që në fillim, por në kulm të asaj që ka ndodhur; domethënë kur nuk ka çfarë bën më. Kulmi ishte pazotësia e Kreut të Shtetit për të ndaluar një spektër diktature që ka ndodhur para 25 vjetësh… Atëherë cila është forca e “Altarit”?
Ta ngresh Altarin në zyrat e Financave, kjo do të ishte më keq se në vathin e dhive… Financat janë rrënuar nga vetë qeveria. Vjedhja dhe korrupsioni i njerëzve në kulmin e shtetit, është “galopante”. Kështu tha edhe Amerika, aleati më i madh i kombit tonë. Po ta vendosnin Altarin në këto zyra, atëherë “dhitë” do ta kishin vjedhur edhe altarin.
Ta ngresh altarin në dhomat e Kuvendit!?.. Këtu nuk ka tym si në kasollet e meshtarit të shekullit 19, këtu ka kriminelë, xhelatë të diktaturës, nostalgjikë të Nazizmit që ne e quajmë Komunizëm, përdhunues dhe trafikantë të mishit të bardhë, kultivues, përdorues dhe trafikantë droge… Ku do të vendosej Altari në këtë dhomë?…
Të ngrihet altari “jashtë…!?”, nuk mund të vendoset “për shkak të motit”, siç shkruante Domeniko Pazi?! Jashtë është mot i tmerrshëm…, por përveç kësaj nuk ka vend për Altar. Shteti që po e quajmë Altar në këtë rast, ka rënë me kohë atje jashtë. Atje jashtë, po të nisesh për në emigrim, të vrasin natën për të të vjedhur bukën që ke marrë për rrugës; shteti mungon. Të mos shkosh në emigrim-ku të rrish, përderisa këtu nuk ka vend as për Altar, si mund të ketë vend për njeriun me hallet e veta?! Atje jashtë- toka është e mbjellë me narkotikë, në tunele dhe lugina lumenjsh kanë prurë plehrat toksike vdekje prurës nga jashtë vendit për të helmuar njerëzit e këtij vendi.
Jashtë nuk ka vend për Altarin-shtet. Vendin e kanë zënë në çdo pëllëmbë, madje edhe pronat e të gjithë “deleve” dhe milingonave- njerëz.
Jashtë ndodhet edhe një Çadër e Opozitës që kërkon të bëhet shtet me rregulla si njerëzimi i përparuar. Mirëpo aty jashtë, opozitën po e përflasin, kryetari i qeverisë po e provokon dhe po e ironizon, mediat e tij-gjithashtu. Komunizmi ka rezervuar vetëm dy pozicione për Opozitën: O brenda në burg, o jashtë në mot të tmerrshëm! Ne jetojmë në kohë post-komuniste, por nën qeverisje komuniste. Edhe me rregulla komuniste…
Jashtë ka vetëm një shpresë, siç po përflitet: Këto ditë nga jashtë, dmth., nga aleati Amerikë do të vijë një “naforë”, dmth., një mesazh për të shpëtuar Altarin nga dhitë në këtë vend. Mirëpo as Amerika nuk është Zoti…, por edhe sikur, kur “dhitë” i sulen altarit të shtetit, çfarë do të bëjë dikush nga jashtë?!
Sot pasdite u shënua akti i fundit kundër Altarit.