Shqipëria e pasur, me shqiptarët e varfër

142

Nga Ornela Liperi

Një vështrim mbi hartën e varfërisë, i kombinuar me të dhënat e burimit kryesor të jetesës në qytet e fshat nxjerr në pah një të vërtetë të dhembshme. Shqipëria nuk arrin të shfrytëzojë pasuritë e saj natyrore, sidomos bregdetin e larmishëm, ndërsa bujqësia, ku punojnë mesë 40% e shqiptarëve, mjafton për të mbajtur frymën gjallë. Të ardhurat nga emigracioni mbeten ende një burim i rëndësishëm për të ardhurat e shumë familjeve. Sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”, në bazë të hartës së varfërisë të Bankës Botërore dhe Atlasit Statistikor të Shqipërisë të INSTAT, në zonat bujqësore, ndonëse papunësia është e ulët, varfëria mbetet e lartë. Në bregdet, papunësia është e lartë, po ashtu dhe niveli i varfërisë.
Në komunat me normë të lartë papunësie, ka një nivel të lartë të pabarazisë (koeficienti Gini). Kjo është veçanërisht e vërtetë për zonat në të cilat nuk ka burime të jashtme të qëndrueshme të të ardhurave, si remitancat nga emigracioni, si në Berat apo Delvinë.
Në zonat kufitare dhe qyteteve apo komunave, të cilat tradicionalisht kanë lidhje të fortë, varfëria dhe koeficienti Gini janë më pak të shpjeguar me normën e punësimit, duke qenë se remitancat luajnë rol të rëndësishëm në cilësinë e jetës, si për shembull, në Gjirokastër apo në Durrës.
Emigracioni është një faktor i rëndësishëm në uljen e varfërisë në vend. Zonat me lidhje të forta me emigracionin kanë normë varfërie relativisht të ulët, edhe kur norma e papunësisë është e lartë.
Në Gjirokastër, vendi me normën më të ulët të papunësisë, pensionet janë burimi më i rëndësishëm i të ardhurave, në pjesën më të madhe të familjeve. Kjo është e vërtetë edhe për disa nga komunat e Qarkut të Vlorës, si Himara apo Lukova.
Në zonat e tjera, lidhja midis normës së papunësisë dhe nivelit të varfërisë është e dobët, veçanërisht në zonat rurale, edhe kur norma e papunësisë është e ulët, niveli i varfërisë është veçanërisht i lartë, duke kuptuar se të ardhurat nga bujqësia janë të pamjaftueshme për të reduktuar varfërinë. Kjo tendencë konstatohet më shumë për komunat e zonës qendrore, ku bujqësia është më së shumti e zhvilluar, si Lushnja, Fieri, Elbasani, duke reflektuar kështu vlerën e ulët të shtuar nga bujqësia.
Në qytetet kryesore, si Tirana dhe Durrësi, trendi pozitiv i rritjes së popullsisë, i shkaktuar kryesisht nga lëvizjet e brendshme, është një faktor që ka rritur pabarazinë.
Zonat bregdetare, megjithëse kanë potencial të lartë në zhvillimin e turizmit, kanë normë relativisht të lartë të papunësisë dhe të nivelit të varfërisë, duke reflektuar kohën e shkurtër të shfrytëzimit të turizmit (kryesisht maj-gusht), shërbimet me vlerë të shtuar të ulët dhe këputjen e zinxhirit të furnizimit në zonat lokale.

Bregdet i varfër

Zonat bregdetare, megjithëse kanë potencial të lartë në zhvillimin e turizmit, kanë normë relativisht të lartë të papunësisë dhe të nivelit të varfërisë, duke reflektuar kohën e shkurtër të shfrytëzimit të turizmit (kryesisht maj-gusht), shërbimet me vlerë të shtuar të ulët dhe këputjen e zinxhirit të furnizimit në zonat lokale.

Tirana

Tirana është qarku me densitetin më të lartë të popullsisë në Shqipëri, rritja e popullsisë është shkaktuar si pasojë e lëvizjeve të brendshme migratore, ndërkohë që ka dhe nivelin më të lartë të Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë në vend. Kjo është reflektuar në treguesit e varfërisë dhe të pabarazisë. Tirana është e para për sa i përket numrit të komunave me nivel më të lartë të pabarazisë në të gjithë vendin. Farka është komuna me nivelin më të lartë të pabarazisë, duke reflektuar zhvillimin e pasurive të paluajtshme (trojet dhe vilat). 75% e të punësuarve në Farkë punojnë në sektorin e shërbimeve.
Komuna e Dajtit në Tiranë është e treta me nivelin më të lartë të pabarazisë në Shqipëri, ndërkohë që qyteti i Tiranës është i gjashti. Kamza, një komunë e cila ka pasur fluksin më të lartë të migrimeve, ka normën më të lartë të varfërisë në Qarkun e Tiranës, rreth 22.55. Sektori kryesor i punësimit në Kamëz është ai i shërbimit, me 59% të totalit të të punësuarve. Zona e dytë më e varfër e Tiranës është Kërraba, me 24.9%.
Tirana është qyteti me normën më të ulët të varfërisë.
Përveç Zall Bastarit, që ka një normë papunësie prej 6%, të gjitha njësitë e tjera kanë një normë papunësie dyshifrore, nga 15.3% në Pezë në 53.9% në Kamëz.

Durrësi

Durrësi është qarku ku norma e lartë e papunësisë nuk është e lidhur drejtpërdrejt me varfërinë dhe pabarazinë, duke qenë se kjo zonë ka lidhje të forta me emigracionin, kryesisht në Itali. Megjithëse Shijaku, për shembull, ka një prej niveleve më të larta të papunësisë në zonën e Durrësit, prej 30.7%, ka normën më të ulët të varfërisë, 12.5%, shpjeguar me hyrjet e larta të parave nga jashtë.
Në qytetin e Durrësit, 7.1% e familjeve kanë remitancat si burim të të ardhurave të tyre, Rashbull 15.2%, Golem 17.1%, Gjepalaj 23.2%, Shijak 10.3%, Sukth 18.2%, Ishëm 14.8%.
Ishmi, një komunë me potencial të lartë të zhvillimit të turizmit, rezulton që ka normë të lartë të papunësisë dhe të varfërisë.
Durrësi është një nga dy qarqet (së bashku me Tiranën) që kanë tendenca pozitive të migrimit të brendshëm, të cilat kanë ndikuar në nivelin e pabarazisë, veçanërisht në qytetin e Durrësit, i cili renditet i katërti për sa i përket koeficientit Gini.

Elbasani

Qyteti i Elbasanit dhe Cërrikut kanë normën më të lartë të papunësisë (37.4 dhe 49.4) dhe normën më të lartë të pabarazisë. Disa komuna në zonën e Elbasanit kanë normë të ulët papunësie 9 më pak se 10%), si Gostimë, Kajan, Mollas, Klos, Paper, Labinot Fushë, Funarë, por disa prej tyre janë nga komunat me normë më të lartë varfërie. Elbasani është zona e dytë me normën më të lartë të punësimit në bujqësi. Në Labinot Mal, zona më e varfër e Elbasanit, me një normë papunësie prej 14%, 80% e të punësuarve janë në bujqësi.

Fieri

Qyteti i Fierit dhe i Patosit janë dy zona me nivelin më të ulët të varfërisë në Qarkun e Fierit, megjithëse kanë një normë të lartë të papunësisë (27.55 në Fier dhe 52% në Patos, më i lartë në këtë qark), duke reflektuar zhvillimin e industrisë nxjerrëse të naftës dhe shërbimeve të lidhura në këtë industri, 48% e të punësuarve në Patos janë në sektorin e shërbimeve dhe 42% në industri). Zonat e tjera, të cilat bazohen kryesisht në bujqësi, kanë një normë relativisht të lartë të varfërisë. Struma, komuna me nivelin më të lartë të varfërisë në Fier, ka thuajse 79% të të punësuarve në bujqësi.
Megjithëse Fieri është i dyti për sa u përket të ardhurave (PBB-së) për frymë, pas Tiranës, norma e varfërisë për njësi është relativisht e lartë duke qenë se PBB-ja e lartë për frymë reflekton më së shumti zhvillimin e industrisë së rëndë (nxjerrjes së naftës, një industri intensive).

Vlora

Varfëria në Vlorë, megjithëse është qarku me potencialin turistik më të madh, mbetet e lartë, ndërsa papunësia është dyshifrore në të gjitha njësitë e saj.
Himara është komuna me nivelin më të ulët të varfërisë, rreth 11.6% (ku burim kryesor i të ardhurave janë pensionet, 49%), Lukova ka gjithashtu 48.2% të të ardhurave prej tyre.
Vllahina ka normën më të lartë të papunësisë, pothuajse 23%.

Shkodra

Shkodra është një ndër zonat me normë të lartë papunësie, duke kapur nivelin e 82.5% në Komunën e Shalës, ndërsa norma e papunësisë mbetet e lartë gjithashtu. Gjithsesi komunat e këtij qarku kanë të tjera burime të ardhurash përveçse punësimit, duke qenë se Shala është komuna me normën më të ulët të varfërisë, rreth 8.7%. Burimi kryesor i punësimit në Qarkun e Shkodrës është bujqësia. Velipoja, një komunë me potencial në turizëm, ka një normë të lartë papunësie prej 52.1%, ndërsa norma e saj e varfërisë është 11.5%.

Të gjitha qarqet ndiqen nga norma e lartë e papunësisë

Lushnja

Lushnja është një prej qarqeve me normën më të ulët të papunësisë në Shqipëri, me 10 nga 16 komunat e saj me normë papunësie njëshifrore (krahasuar me normën mesatare prej 26.1% të Shqipërisë), por varfëria përsëri është e lartë, duke shënuar vlerën më të lartë në Tërbuf.
Megjithëse zona e Lushnjës është një prej zonave më të rëndësishme të bujqësisë shqiptare dhe zhvillimi i këtij sektori ka gjeneruar punësim (në pjesën më të madhe të komunave, më shumë se 80% e të punësuarve punojnë në bujqësi), norma e varfërisë është relativisht e lartë, duke reflektuar vlerën e shtuar të ulët në bujqësi.

Kavaja
Kavaja është një qark me potencial të lartë në turizëm, për shkak të pozicionit gjeografik, por që është i pazhvilluar duke e lënë popullsinë në varfëri. Golemi, i cili është qendër e rëndësishme e turizmit, ka një nivel relativisht të lartë të varfërisë, rreth 17%. Vetëm 38% e të punësuarve janë në sektorin e shërbimeve. Pabarazia është gjithashtu e lartë, për shkak të ndërtimit të vilave luksoze në këtë zonë. Synej, një tjetër zonë e rëndësishme, për sa i përket turizmit, ka një normë relativisht të lartë për sa i përket varfërisë. Sinaballaj, komunë jo bregdetare, ka normën më të lartë të varfërisë në Kavajë, me 22%. Punësimi në bujqësi (85% e të punësuarve) nuk ka ndihmuar në reduktimin e varfërisë. Remitancat janë një burim i rëndësishëm i të ardhurave. 17.2% e familjeve kanë si burim të të ardhurave të tyre remitancat.

Saranda

Norma e varfërisë në Sarandë ka luhatshmëri të lartë, nga 5.8% në Livadh, në 16% në Xarrë. Saranda është një qark me potencial të lartë në turizëm, ndërsa afërsia e saj me Greqinë i siguron të ardhura shtesë nga jashtë. Ksamili, një zonë e preferuar turistike, ka një normë papunësie prej 53.2% dhe një normë varfërie prej 13.8%, e treta më e larta në këtë vend (pas Xarrës dhe Konispoli), ndërsa 63% e të punësuarve punojnë në sektorin e shërbimeve.

Gjirokastra

Qarku i Gjirokastrës, megjithëse ka një normë të lartë papunësie (përveç komunës së Zagorisë), mesatarisht në 25.6% kanë normë të ulët varfërie. 10 komuna të Gjirokastrës (nga 13 që janë në total), janë në mesin e 14 qyteteve dhe komunave me normën më të ulët të varfërisë në Shqipëri (nga 373 në total). Niveli i ulët i varfërisë është kryesisht i shpjeguar me pensionet nga Greqia që marrin të moshuarit (Dropull i Poshtëm ka 61.6% të të ardhurave nga pensionet, Zagoria 58%, Pogoni 72.4%) dhe remitancat (të rinjtë punojnë në Greqi dhe sjellin të ardhura për prindërit e tyre), si dhe për shkak të emigracionit të lartë, Qarku i Gjirokastrës ka densitetin më të ulët, 25 banorë për km2.
Në Dropullin e Sipërm, thuajse 20% e familjeve kanë remitancat si burim të të ardhurave të tyre, Libohova, 7.3%.

Korça

Në Korçë, komunat që janë afër Greqisë kanë një nivel të ulët të varfërisë, pavarësisht normës së papunësisë. Liqenas, në kufi, është komuna e dytë për sa i përket normës së papunësisë, me 36.8%, por ka nivelin më të ulët të varfërisë në rajon, me vetëm 5%.
Maliqi, dikur një zonë e rëndësishme industriale (e njohur për prodhimin e sheqerit) ka normën më të lartë të papunësisë në Korçë, me 42.8% dhe me normë varfërie 12.2%. Sot, 55% e të punësuarve punojnë në sektorin e shërbimeve.
Lekas, me një normë papunësie vetëm 2.1%, është komuna më e varfër e qarkut. 75% e të punësuarve punojnë në bujqësi.

Kukësi

Kukësi është zona më e varfër e Shqipërisë, megjithëse shumica e banorëve të këtij qyteti janë larguar në vitet e fundit (është një prej qyteteve me densitet më të ulët në Shqipëri, me 36.2 banorë për km2, ndërkohë që ka balancën më të madhe negative të migrimit të brendshëm). Ky trend pritet që të vazhdojë deri në vitin 2031, me popullsinë që pritet të rritet me mbi 30% gjatë kësaj periudhe. 7 komuna të Kukësit janë 10 komunat me nivelin më të lartë të varfërisë në Shqipëri. Në Kalis, zona më e varfër e Shqipërisë, norma e papunësisë është 64.4%, ndërkohë që 68% e të punësuarve punojnë në sektorin e shërbimeve).
Shishtaveci, një nga zonat më të njohura për prodhimin e kulturës së patates, ka një normë relativisht të ulët të papunësisë, prej 14.4%, por norma e varfërisë mbetet relativisht e lartë, rreth 26.5%.